-Jusuf Buxhovi “Vitet e Gjermanisë”, boti “Faik Konica”, Prishtinë 2024.
Në vitin 1984, Jusuf Buxhovin e njoha përmes romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman ky, përpos që më përmbushi shpirtërisht, siç ndodh zakonisht me veprat letrare, përmes rrëfimit letrar, më përmbushi edhe në aspektin e njohurive historike, por ajo që është më e rëndësishme, ma rrënoi mitin e të fortit, ku përmes fabulës së shkëlqyer të tregimit, autori jep porosinë se jo çdoherë mbi të keqën fitohet me forcë dhe se, kur proceset i merr në dorë inteligjenca, fitorja mbi të keqën shoqërore mund të arrihet edhe vetëm me një të grithur. Ja pra, fuqia magjike e fjalës së shkruar letrare, që artisti e përçon te lexuesi e që nuk të le të dorëzohesh, të motivon të qëndrosh deri në fund për ta mundur të keqën.
Fizikisht Jusuf Buxhovin e kam takuar së pari tash e tridhjetepesë vjet, pikërisht në këtë vend, kur së bashku me një shokun tim, kishim ardhur për të marrë fletëregjistrimet për të regjistruar popullsinë e Gjilanit, e cila në mënyrë masive po aderonte në LDK. Këtu pra, në sallën e madhe, ai duke qëndruar në këmbë i diktonte diçka dikujt që shkruante me dorë në një letër formati. Pa e ditur se zotit Buxhovi, me vite të tëra, me kazmën e tij të vogël ishte akter në procesin e gërryerjes së themeleve të brishta të kështjellës së madhe jugosllave (gjë e cila e kristalizuar dokumentohet gjatë leximit të librit që promovohet sot), efektet që kishte shkaktuar romani dhe qetësia me të cilën ai i dikonte shokut të vet, përpara më shfaqën Nikollë Kazazin. Atmosfera që mbretëronte në objektin e Shoqatës së Shkrimtarëve, në shtëpinë ku u ngjiz pavarësia dhe me zotin Buxhovi në qendër, më krijuan një qetësi shpirtërore, nga e cila si me të prekur të butonit, mu hoq nga barra pesha e shumë dilemave që më ishin krijuar nga përditshmëria e rënd e pushtimit të egër, e që i bluante në kokë mendja e ime rinore:
Nuk ka më dilemë – duhet qëndruar!
Dhe si dikur që Nikollë Kazazi me Lamin e kishte mundur murtajën, edhe tani do të ngadhënjehej mbi të keqën, e cila në këtë kohë, e tërbuar e kishte kapluar Kosovën. Isha i bindur se ky njeri, së bashku me ata që ishin aty rrotull tij, kishin vullnetin, dijen, përkushtimin dhe vizionin për ta gjetur ilaçin, për t’i dalë të keqes shekullore përpara dhe për ta mundur atë, pra, për ta fituar lirinë.
Dhe ja ku jemi sot pas 35 vjetëve! Përpara kemi zotin Buxhovi dhe veprën e tij, e cila e argumenton se si ai, së bashku me elitën intelektuale të kohës, me përkushtim intelektual, me mund dhe sakrificë, e gjetën këtë ilaç, e mundën të keqen!
Se si ishte zhvilluar procesi kompleks për çlirimin e Kosovës, do të mësoni në librin “Vitet e Gjermanisë”, ku Jusuf Buxhovi është akter i rëndësishëm dhe do të ju shfaqet si: gazetar, shkrimtar, historian, publicist, diplomat dhe mbi të gjitha si intelektual parekselancë, i cili pa problem e me dashamirësi, komunikonte me nivele më të larta të shtetit gjerman, me ata të cilët e bënin jetën politike e publike të Gjermanisë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohët si dhe pas saj:
– Me ata të cilët e bënë historinë e këtij shteti dhe të Evropës në kohën e konfrontimit bllokist;
– Me ata të cilët kishin hise në vendosjen e konturave gjeopolitike të botës së pas Luftës së Ftohtë;
– Me ata të cilët ndikuan që ne sot të lirë, në këtë vend, të promovojmë këtë libër me vlera të veçanta historike, politike, diplomatike e gazetareske;. (Vili Brand, Helmut Shmit, Helmut Kol, Gerhard Sherder, Hanc Ditrih Gensher, Angele Merkel).
Në kulmin e kësaj lufte, për një gazetar nga një vend komunist, nuk ka qenë e thjeshtë që të ftohet në audienca private nga përfaqësues të shtetit gjerman, nga shkrimtar elitar, nga gazetar, nga ata që bënin jetën publike të gjigantit ekonomik evropian, me ndikim të fuqishëm politik, siç ishte Gjermania e atyre viteve.
Gjatë këtij rrugëtimi, në funksion të çështjes shqiptare, Buxhovi kishte sensin për të heshtur kur duhej heshtur dhe të fliste aq sa duhej të flitej në rrethana dhe ambiente ku ndodhej dhe mbi të gjitha, të thoshte atë që ishte e nevojshme të thuhej në mënyrën më të përshtatshme.
Këto virtyte, Buxhovin e bënë personin e besuar para personaliteteve të shquara politike, diplomatike, të kulturës e të gazetarisë, në radhë të par të shtetit gjerman, si dhe të gjithë botës perëndimore që gravitonte në këtë kohë në Gjermani, në shtetin me ndikim në BE dhe në NATO. Ata para tij e hapën zemrën, për t’i përcjellë mesazhin e vizionit për shqiptarët, që në vitet e shtatëdhjeta, kur në horizont ende nuk dukej as gjë. Sot duket e thjeshtë, por në ato vite ka qenë shumë e komplikuar që një zyrtar i lart shtetëror gjerman, një shqiptari nga një vend komunist, t’i shpaloste strategjinë e veprimit dhe qëllimin e Perëndimit për shqiptarët: “Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe perëndim… Nga të harruar dhe të anashkaluarit, shqiptarët një ditë do të kthehen në qendër ë vëmendjes së saj…” (Franc Juzef Shtraus).
Me delikatesën e intelektuali të kompletuar, në takimet e shumta, Buxhovi ja doli mrekullisht që para elitave politike, intelektuale e te mediave prestigjioze gjermane, britanike, franceze e amerikane, ta demaskoi propagandën shekullore serbe (jugosllave), në dëm të shqiptarëve, zanafilla e të cilës është që në fillim të shekullit XIX dhe të argumentoi se serbët nuk kanë hequr dorë nga qëllimi për t’i shfarosur shqiptarët.
Buxhovi gjatë audiencave private e zyrtare, në media të shkruara e vizive, në forume ndërkombëtare, do të argumentojë bindshëm se shqiptarët e Kosovës janë në të drejtën e tyre mbi parimet universale që i kishte pranuar bota demokratike. Këtë e kishte filluar qysh herët, në mes të viteve të shtatëdhjeta, kur shkreptimat e dekompozimit të federatës jugosllave ishin ndjerë. Gjatë gjithë kësaj kohe e deri në vitin 1999, Buxhovi me finesë dhe delikatesë kishte konceptuar doktrinën strategjike të veprimit politik për avancim të pozitës së shqiptarëve në rrethanat e pas shkërmoqjes së Jugosllavisë komuniste: “Liria , barazia, demokracia dhe përkatësia perëndimore” do ishin thelbi i kësaj doktrine, e cila në dukje e thjeshtë (vetëm një grithë), por që arriti t’i fus në lëvizje ingranazhet e të gjitha sistemeve të brendshme e ndërkombëtare që e favorizonin zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.
Vitet e pas Gjermanisë, kur Buxhovi kthehet në Kosovë, janë vitet e ngjarjeve të mëdha, në të cilat ai është ndikuesi herë i drejtpërdrejtë e herë anësorë i vendosjes së konturave të veprimit politik, të cilat ju dhanë kahe të duhur zhvillimeve për çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Pa kulturën familjare, pa ngritjen intelektuale dhe pa përvojën e viteve gjermane të Buxhovit, do të thosha edhe atyre franceze të Rugovës, rezistenca e jonë do të kishte lënguar gjatë për t’u liruar nga kthetrat të ideologjisë marksiste – leniniste, e cila për shkak të regjimit në Shqipëri, kishte ndikim të madh edhe te ne. Sigurisht se nga kjo perspektivë, është e vështirë që të kuptohet në retrospektivë ky ndikimi, por, kur kihet parasysh platforma e veprimit politik të pjesës me ë madhe të grupimeve ilegale që kishin qenë pjesë e Pranverës së 81, domosdo se do të vlerësohet pesha e këtij ndikimi. Ndonëse që nga fillimi i librit e deri në fund, këtë faktor (të transformuar në një formë tjetër të veprimit pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri), Buxhovi e prekë përciptazi, me gjithë atë, i ka frikën. Sido që të jetë, në libër dokumentohet qartë se si Rugova, Buxhovi dhe ai që dikush e quan “Çarku i intelektualëve të Prishtinës”, arritën ta shmangin këtë faktorë dhe lëvizjes për çlirim, t’i japin frymën iluministe.
Pikat e kthesës historike për Kosovën, të cilat Buxhovi i pasqyron të argumentuara në këtë libër, e në të cilat ai ka hise të drejtpërdrejtë, pos të tjerave, do t’i veçoja: demolomin e të drejtës historike serbe mbi Kosovën, të cilën përhapte Dobrica Çosiqit, në një tribunë ndërkombëtare e në Budva me 1987; përballjen dhe çmontimi i shkrimtarëve serb në Beograd në pill 1988, ku Çosiq do të deklaronte “i respektoj kundërshtarët e fortë. Këtë herë ishit të tillë”; rolin kyç në Formimin e LDK-së, e të tjera, e të tjera…
Nëse do të kishte një akademi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për t’i shkolluar politikanët dhe diplomatët, me pak modifikime, ky libër do të ishte një material metodik i fushës së diplomacisë, politikës, dhe gazetarisë. Për ndryshe, libri ka edhe vlera të çmuara historike, të cilat janë të domosdoshme për t’u eksploruar në mënyrë që historia e hidhur mos të na përsëritet.
*(Fjalë rasti e mbajtur në promovimin e librit “Vitet e Gjermanisë”, më 23 dhjetor 2024 në Prishtinë).