1. Baza historike
Mijëra e mijëra bashkatdhetarë, për shkaqe ekonomike, politike e shoqërore kanë ardhur nder vite në Zvicër. Fillimisht erdhën individualisht si punëtorë stinor e më vonë sidomos në vitet ’90 të shekullit që lëmë pas, gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë u krijuan kushte detyruese që prindërit të merrnin me vete në mërgim edhe familjet.
Në këto rrethana, për ta ruajtur e për të kultivuar gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar te fëmijët shqiptarë, u hapën shkollat e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Një mbështetje e tillë nga vendi pritës dhe nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar “Naim Frashëri” përbën një rrugëzgjidhje të efektshme për konsolidimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit kombëtar, prandaj për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej kulturën dhe gjuhën shqipe duhet drejtuar sidomos shkollës.
Tradicionalisht, nxënësit/et shqiptarë/re ndaj mësimit shqip u ndanë në dy kategori. Një numër modest ka frekuentuar shkollat shqipe të mësimit plotësues, ndërsa shumica e fëmijëve për shkaqe të ndryshme nuk kanë vijuar mësimin shqip, kanë braktisur gjuhën shqipe si diçka të pa rëndësishme, kanë humbur kompetencën gjuhësore të shqipes, iu kanë përkushtuar vetëm mësimit në gjuhën e vendit pritës, kanë mësuar gjermanisht apo frëngjisht, por kanë mbetur analfabet në gjuhën amtare, d.m.th. nga mundësia për t’u bërë dygjuhësorë kanë mbetur me një gjuhë.
Nxënësit/et që vijojnë në shkollat e mësimit plotësues janë më shumë nga anë të ndryshme të Kosovës dhe viseve shqiptare të Maqedonisë Veriore, më pak nga trojet tjera shqiptare. Shtrirja gjeografike e të folmeve të nxënësve në Zvicër përfshinë të folmet e shqipes gjegjësisht dialekti i gegërishtes veriore, veriperëndimore dhe verilindore.
Fëmijët kryesisht janë një gjuhësh me dy prindër shqiptarë, të lindur në Zvicër folës burimor të shqipes por që rriten në kushte të dygjuhësisë së mërgimit. Për këta fëmijë shqipja është më e lehtë për ta mësuar.
Marrëdhëniet martesore midis shqiptarëve dhe grupeve tjera etnike vijnë duke u shtuar. Për të mësuar shqipen vijnë edhe nxënës me familje dygjuhëshe fëmijët shqiptaro-zviceranë. Fëmijë me familje të përziera me baballarë shqiptarë dhe nëna zvicerane në të shumtën e rasteve ndonjëherë italiane, spanjolle, libaneze, ukrainase etj.. Kohëve të fundit, ka nxënës me baballarë të bashkësisë pritëse dhe nëna shqiptare. Në këtë rast për fëmijë mësimi i shqipes është pak më i vështirë, sepse ata në shtëpi dëgjojnë më pak gjuhën shqipe dhe në të gjitha ambientet e tjera dëgjon gjuhën e vendit ku jetojnë.
Shkolla ka për qëllim që fëmijët shqiptarë ta zotërojnë sa më mirë gjuhën e folur amtare shqipe dhe atë të shkruar, ta kultivojnë dhe të njohin letërsinë shqiptare, historinë dhe gjeografinë e vendit të të parëve. Për arritjen e këtij qëllimi, shkolla luan rol kryesor, pasi para saj del detyra të mbështes nxënësit pa ndërpre brez pas brezi.
2. Rëndësia e mësimit shqip
Mësimi i gjuhës amtare fillon të zhvillohet në familje, vazhdon të përvetësohet në shkollën e mësimit plotësues ku përvetësohen të katër shprehitë komunikuese gjuhësore: të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit, të shkruarit.
Padyshim suksesi është i dukshëm kur fëmijët fillojnë të përdorin elemente të gjuhës së shkruar dhe të lexojnë e zgjerojnë thesarin e tyre leksikor, zhvillojnë aftësitë e të shprehurit dhe nxënë kështu gradualisht gjuhën amtare e cila bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, si në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Në mënyrë të theksuar forcohet edhe kompetenca e orientimit mes gjuhës standarde dhe dialektit. Gjithashtu mësimi shqip, frenon ndikimin e tepruar të huazimeve nga gjuhët e vendit pritës.
Mësimi plotësues shqip është një kriter social mjaft i rëndësishëm i cili luan rol vendimtar në zhvillimin dhe përmirësimin e të folmeve të shqipes në përgjithësi dhe afrimin e tyre me normën standarde Dallimet mes një folësi që ka ndjekur mësimin shqip dhe atij që shqipen e ka mësuar vetëm në gjirin familjar janë të dukshme.
3. Mësimi shqip luan rol thelbësor në ndërtimin e dygjuhësisë
Me termin dygjuhësi do të kuptojmë aftësinë që ka një individ (në rastin tonë fëmijë apo nxënës) për t’u shprehur saktë në dy gjuhë dhe për t’i njohur ato në mënyrë të rregullt si dhe për t’i pasur të dyja si gjuhë të domosdoshme për komunikimin e përditshëm.
Fëmijët duke ditur shqipen (L1 ) si dhe duke nxënë në shkollën zvicerane njërën nga gjuhët e vendit pritës gjermanishten, frëngjishten apo italishten (L2) në ketë mënyrë ndërtojnë një identitet dy kulturor dhe dygjuhësor.
Mbi një bazë të thjesht nxënësit/et përdorin shqipen me pjesëtarët e familjes, rrethin më të gjerë si dhe me të afërmit kur kthehen në vendlindje, ndërsa gjuhën e vendit pritës, të shkollës së përditshme që medoemos duhet ta nxënë deri në nivele më të larta shprehëse, shtrohet si domosdoshmëri që kërkon mjedisi, për të u arsimuar dhe integruar në shoqërinë pritëse.
Prania e një situate të tillë të kontaktit përcakton, një situatë të bilinguizmit më fort potencial se real, sepse vetëm disa nga këta folës janë në gjendje të zotërojnë me të njëjtën kompetencë, të dy gjuhët.
4. Probleme sociolinguistike. Dukuritë e ndër ndikimit (interferencës). Në përsiatjen tonë do të kufizohemi në trevën zvicerane frëngjisht folëse në kantonin Jura.
Situata gjuhësore e nxënësve/eve paraqet kontaktin gjuhësor të dy gjuhëve në zhvillim e sipër, andaj gjuha është individuale që i nënshtrohet një procesi të zbulimit të rregullave shndërruese nga struktura sipërfaqësore tek struktura e thellë (Chomsku 1957,1965). Ndërsa struktura e thellë është e njëjtë si në gjuhën frënge ashtu edhe në shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër, ajo sipërfaqësore ndryshon nga një gjuhë në tjetrën duke u krijuar akte gjuhësore pafund që e karakterizojnë komunikimin njerëzor. Nxënësi dygjuhësh do të mbështetet dhe në ato pika ku strukturat sipërfaqësore të gjuhës frënge dhe asaj shqipe përkojnë me njëra-tjetrën.
Interferencat që konstatohen janë të niveleve të ndryshme: fonetike, leksikore, drejtshkrimore. Në shqiptimin gojor të fjalëve paraqet shmangie në drejtshqiptimin shqip të atyre tingujve të cilët i ka shqipja e jo frëngjishtja si ( ë, h, c, ç, dh, gj, ll, q, rr, x, xh).
Mungesë e tingujve, ka nxënës që nuk e theksojnë tingullin ë (shpi -shtëpi), tingullin h ena/hëna) e të tjerë. Humbje e diftongut; ia, ie, io, oi etj. . Në veçanti ky ndryshim fonologjik është tipik te nxënësit e brezit të dytë dhe të tretë, të cilët tregojnë zotërim më të mirë të gjuhës frënge dhe integrim më të mirëfilltë në shoqërinë zvicerane në krahasim me gjeneratat e mëparshme.
Tek nxënësit të folurit shqip është i ngadalshëm, shoqërohet me pauza të gjata e të shpeshta, përdorin fjalë nga frëngjishtja, nuk shprehen qartë. Kanë vështirësi në shqiptimin e fjalëve me theksin e duhur. Fjala shqipe shqiptohet me theksin e gjuhës frënge. I përdorin gabimisht fjalët përcaktuese sidomos mbiemrat dhe përemrat. Nuk arrijnë të bëjnë përshtatjen e tyre në gjini, numër e rasë me fjalët që përcaktojnë. Në përdorimin e foljeve kanë vështirësi në përshtatjen e saj në vetë, numër e kohë me kryefjalën. Ndërtimi sintaksor i fjalive është i mangët.
Fjalët e paraqitura në tabelën vijuese i përkasin dy sistemeve të ndryshme gramatikore ose nënsistemeve.
Huazime nga frëngjishtja Termi standard frëng Fjalë shqip
Kjo është tomat e kuqe. tomate domate
Natura është e mirë. nature natyra
Kjo vuatur është e babit. voiture veturë
Më pëlqen të ha oliva olive ulli
5. Huazimet leksikore
Sa i përket gjuhës së folur huazimet leksikore janë dukuri e rregullt, shqipja ndikohet dukshëm nga frëngjishtja, në fakt shqipja funksionon duke u ndihmuar nga frëngjishtja. Nevoja e komunikimit, domosdoshmëria e pasjes së fjalëve të reja që i mungojnë në shqip i shtyn ata të përdorin fjalë nga frëngjishtja. Ja disa shembuj fjalish ku kanë depërtuar huazime nga frëngjishtja dhe duket një përzierje e theksuar. Fjalët e reja nga frëngjishtja që përdoren në shqip pësojnë ndryshime fonetike të shqipes, përshtaten në gjini dhe trajtë. Ndonjë herë përdoren edhe fjalë nga frëngjishtja të pa ndryshuara.
6.Lloje të ndryshme të ndërrimit të kodit shqip – frëngjisht
Përzierja e kodeve (codsmixiting dhe prishja e kodeve (codswiching) në mjedisin e nxënësve/eve dygjuhësor ku gjuha shqipe është edhe në kontakt me frëngjishten. Shqipja dhe frëngjishtja janë dy gjuhë origjinale, por, gjatë të folurit shpesh afrohen dhe përzihen.
Gjatë bisedës në shqip, dukuria më e shpeshtë është ( code switching ) ndërhyrja e një fjale nga frëngjishtja brenda një fjalie të shqipes por, struktura e fjalisë mbetet shqip. P.sh. A duhet të mësoj vjershën par coeur (përmendsh)? Kam harruar mes devoirs (detyrat e mia) në shtëpi.
Ndërrimi i kodit është edhe i përzier (codsmixting) hyjnë në veprim karakteristikat strukturore të dy gjuhëve, në një fjali kemi dy fjalë nga frëngjishtja. Ndërhyrja bëhet duke marrë fjalë si pas dy mënyrave: fjalë të përshtatura në fonetiken e shqipes dhe fjalë të pa asimiluara nga frëngjishtja. Pozicionet e ndryshme mbi fenomenet e ndërrimit të kodeve dallohen nga funksionet e tyre përballë strategjive të ligjërimit dhe kompetencës dygjuhësore. Në përgjithësi dallojmë dy lloje të ndërrimit të kodit:
a). Kod suiçing paliativ, folësi e përdor fjalën nga frëngjishtja për motive të varfërisë
së fjalorit nga gjuha amtare. Struktura e fjalisë mbetet shqip. Shembull :
Sonte është séance des parents në Delémont. (Sonte është mbledhja e prindërve në Delémont). Kur unë repassage këmishët, nëna më falënderon. (Kur unë hekurosi këmishët ,nëna më falënderon). Vëllai im e ka humb connaissance nga temperatura.(Vëllai im e ka humbur vetëdijen nga temperatura.
b). Kod–suiçing « exspresiv », praktikohet sikur lojë, funksionon sikur zhargon te një grup i caktuar folësish. Shembull: Unë për chaque matin e rregulloj mon lit, la rob vë në armoire.
Unë për çdo mëngjes e rregulloj shtratin, rrobat i vë në dollap. Kjo është cousine e jeme, elle ka ardhur me oncle vetëm sot. (Kjo është kushërira ime, ajo ka ardhur me xhaxhin vetëm sot). Prishtina është capitale e Kosovës, là-bas flasin albanais.( Prishtina është kryeqyteti i Kosovës atje flasin shqip).
7. Qëndrimet e prindërve ndaj mësimit shqip sipas brezave
Brezi i parë i mërgimtarëve me njohuri minimale të gjuhëve të shtetit pritës e favorizoi më shumë mësimin shqip përkundër rrethanave jo të favorshme të asaj kohe.
Brezi i mesëm i mërgimtarëve është më indiferent ndaj mësimit shqip, prindër me bindje të gabuar se mjafton të flitet shqip me fëmijë dhe jo nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë për të mësuar gjuhën e kombit të vet. Thënia e shumë prindërve se mësimi i gjuhës amtare e pengon mësimin e gjuhës së dytë është plotësisht i gabuar.
Tek brezi i ri ( prindër të arsimuar në shkollat zvicerane), kanë njohuri të pakta të shqipes, për të ia transmetuar fëmijës. Një kategori e prindërve nuk e flasin më gjuhën shqipe as në familje, është vënë re presioni i fëmijëve që ushtrojnë mbi prindërit ( me sukses ) që mos të shkojë në mësimin shqip. Këto qëndrime të fëmijëve, prindërit i marrin si të drejta. Duke thënë se “fëmija im nuk po donë të shkojë në shkollën shqipe”.
Në situatën që ka të bëjë me qëndrimet, brezat e dy niveleve të fundit janë në rrugë e sipër të asimilimit nga bashkësia mbizotëruese për shkak se gjuha e parë në të shumtën e rasteve nuk flitet më as në familje.
8. Përfundim
Të përdorësh të dy gjuhë do të thotë më tepër dimensione, vlera dhe mundësi të thelluara për zhvillimin e njohurive. Megjithatë për fëmijët e mërgimtarëve që flasin një gjuhë të ndryshme nga ajo e shkollës nuk është gjithmonë e lehtë në shkollat zvicerane. Shumica e përballojnë mirë, por ekzistojnë të tjerët që nuk ia arrijnë qëllimit të diturisë. Ekzistojnë disa faktorë që bashkëveprojnë. Një nder ta është mungesa e mësimit të gjuhës amtare, është e njohur ndihmesa e hershme gjuhësore sidomos te moshat parashkollore, mbështetja është e rëndësishme në këtë moshë. Është e rëndësishme, prandaj, që për fëmijët që lindin larg vendlindjes, të mendohet dhe projektohet zbatimi i një politike integruese, ndaj gjuhëve amtare (MP), të hartohet një dokument politik që do të orientojë marrëdhënien e shtetit me këto shkolla, që mos të mbetet gjuha amtare në bazë vullnetare, por të jetë një konkurrente e tyre në kushtet e një shoqërie shumëgjuhëshe.
Delemont, 27. 11. 2021 Nexhmije Mehmetaj
Komentet