BILD
Shpresa të mëdha për pacientët me kancer: studiuesit në një nga qendrat më të mëdha të kancerit në SHBA po punojnë për një kohë të gjatë për një pilulë kundër kancerit. Tani mjekët në Qytetin e Shpresës në Los Anxhelos duket se janë gati për lajmin e madh: sipas një studimi aktual, pilula e kancerit AOH1996 funksionon kundër 70 lloje tumoresh.
BILD iu prezanton ilaçin dhe gjendjen aktuale të kërkimeve.
Në luftën kundër kancerit, AOH1996 shënjestron proteinën PCNA, një lloj ndërprerësi për qelizat tona, e cila ka edhe një variant kancerogjen. Kjo proteinë mbështillet rreth qelizave dhe nxit rritjen e pakontrolluar. Pilula e re shënjestron pikërisht këtë variant të veçantë të PCNA.
Studiuesit kanë arritur që falë testimeve në më shumë se 70 lloje kanceri, të zbulojnë se AOH1996 ishte në gjendje të shkatërronte të gjitha tumoret e ngurta. Shembujt përfshijnë kancerin e gjirit, prostatës, vezoreve, lëkurës dhe mushkërive.
Udhëheqësja e këtij kërkimi, profesoresha Linda Malkas, e shpjegon kështu efektin: “Imagjinojeni kancerin si ujin që mbush një vaskë. Nëse nuk kontrollohen, tumoret ose uji, përfundimisht do të vërshojë dhe do të dëmtojë pjesë të tjera të shtëpisë. Trajtimi që ka zhvilluar ekipi im në Qytetin e Shpresës është i ngjashëm me një pronar shtëpie vigjilent, që e mbyll ujin- duke ndaluar përhapjen e tumoreve në pjesë të tjera të shtëpisë- dhe më pas zbraz vaskën për të hequr qafe kancerin”.
Studiuesit e Qytetit të Shpresës zbuluan se ‘AOH1996 vret në mënyrë selektive qelizat e kancerit duke prishur ciklin normal të replikimit të qelizave’. Vetëm qelizat e kancerit u shkatërruan në eksperiment, qelizat burimore të shëndetshme nuk u prekën nga ilaçi.
Sipas gjendjes aktuale të hulumtimit, AOH1996 mund të funksionojë vetëm ose si një përgatitje për kimioterapinë.
AOH1996 është emri i Anna Olivia Healy dhe viti kur lindi vajza. Anna vdiq nga një kancer vdekjeprurës në vitin 2005, kur ishte 9 vjeç.
Megjithatë, hulumtimi është ende në një fazë të hershme, fazën e parë të studimit. Duhen tre faza, të cilat kërkojnë vite, përpara se ilaçi të dalë në treg. Rezultatet e para premtuese vijnë nga eksperimentet në provëza dhe me kafshë. AOH1996 u testua në një pacient të parë vitin e kaluar.
Rezultate të mëtejshme priten në studimin fazor deri në vitin 2024. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë përpara një miratimi të mundshëm për tregun në Europë.