Imami Drilon Gashi thotë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e ka përjashtuar nga puna si imam i xhamisë në Vitomericë të Pejës – ku ka punuar për dy vjet – me arsyetimin se ka shkelur parimet e Kuranit.
Sipas tij, shkak për këtë shkarkim, është bërë një deklaratë e bërë në muajin qershor të vitit 2018, në televizionin Rrokum ku ai ka thënë se “teoria e evolucionit është teoria e vetme bashkëkohore që ka arritur t’iu bëjë ballë furtunave të kohës. Do të thotë argumentet po shkojnë deri tek ajo që evolucioni është fakt”, kishte thënë Gashi.
Video nga arkivi:
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Gashi ka thënë se ai është shkarkuar para një muaji, mirëpo vendimin e ka marrë ditën e enjte.
“Arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia, paskam shkelur Kuranin dhe traditën profetike! Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin, të vërtetën dhe t’i qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, në BIK mungon të menduarit racional dhe “nuk u lejohet të mendoni në mënyrë kritike e as të dialogoni”.
“Nuk jam i zhgënjyer pse ma mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme”, thotë Gashi.
Në mars të këtij viti ai ishte suspenduar nga detyra për një vit.
Komentet