“Kështu, më në fund foli McGonigali”. Ai u rrëfye para drejtësisë amerikane mbi krimin e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në dëm të interesave të vendit tone dhe opozitës shqiptare. Dhe për ta vazhduar me një shprehje te famshme të Niçes prej Zarathustrës, do të duhet të bërtasim fort çdo ditë e në çdo vend e media: “Të vërtetat që fshihen kthehen në tragjedi të mëdha”.
Po, po, të vërtetat deri tani na janë fshehur në mënyrën më të keqe të mundshme, duke sulmuar opozitën dhe liderin e saj politikisht. Vetëm se nga dje e tutje, kur McGonigal foli dhe pranoi që është korruptuar nga Edi Rama për të sulmuar opozitën dhe për të shpikur procese kundër saj, në favor të dhënies së fushave tona të naftës një oligarku të sanksionuar rus, e vërteta nuk mund të rrijë më jetime.
E vërteta duhet t’i ngarkohet mbi shpinë të zotit të vet, në gjithë rëndesën e saj ligjore, politike, morale dhe juridike. Madje, nëse do ta shihnim në dimensionin historik, tradhtia është e lartë dhe kombëtare, pasi ka shitur për “çikërrimat” e tij kushtetore, pasuritë kombëtare.
Turpi historik i gjakut dhe djersës së gjithë bijve dhe bijave të këtij vendi qofshin mbi ty Edi Rama që na shite si plaçkë tregu!
Që sot e tutje, do të duhet të përsërisim çdo ditë e çdo orë thirrjen tonë më të fuqishme ndaj të gjithë miqve tanë të mëdhenj ndërkombëtarë: na ndihmoni që kjo e vërtetë e madhe të mos na kthehet në një tragjedi të frikshme, siç është anashkalimi dhe fshehja e saj, që mund të përfundojë në mosndëshkueshmërinë më tragjike të autorit të saj gjëmëmadh, Kryeministrit më famëkeq të tranzicionit shqiptar, zotit Edi Rama. Amerika e shtetit të së drejtës e provoi me fakte dhe dëshmitarë, krimin e tij të disafishtë ndaj opozitës, zgjedhjeve të lira dhe pasurive shqiptare. Amerika edhe njëherë arriti ta ndihmojë Shqipërinë prej këtij regjimi të frikshëm në makinacionet e tij edhe me kryespiunë të FBI, ndaj pjesa tjetër e shtetit të saj diplomatik dhe politik duhet që sot e tutje të ushtrojë ndikimin e saj sistematik ndaj drejtësisë së re shqiptare që të ekzekutojë deri në fund vendimin e drejtësisë amerikane: fajësinë e kryeministrit në detyrë.
Kërkojmë që të gjithë mediat dhe aktorët publikë dhe politikë shqiptarë të respektojnë vetveten dhe të mos sillen siç janë sjellë deri tani disa prej tyre nën thirrjen hipokrite: të gjithë janë të barabartë ndaj ligjit.
Sali Berisha dhe dhëndri i tij, pa asnjë provë e fakt janë dënuar dhe arrestuar politikisht. Padrejtësisht, politikisht dhe me mundësinë zero për të prishur provat dhe faktet e hetimit. Po sot, kur dihet fuqia dhe ndikimi i Kryeministrit mbi SPAK dhe aftësia e tij e provuar për lidhjet e fshehta sorosiane, me anë të të cilave arrin të mbrohet e t’i shpëtojë proceseve gjyqësore, a nuk është e përligjur dhe evidente mundësia e tij për ndikimin në ekzekutimin e vendimit të drejtësisë amerikane nga ana e SPAK?
Ku janë sot bijtë e etërve që ulërinin për Berishën, po puthadorët dhe borderotë e mediave lëpirëse gjithëkombëtare, pse nuk e bërtasin atë që foli McGonigal?!
Edi Rama duhet urgjentisht të merret i pandehur dhe në flagrancë, tani, sot, në sy të të gjithë popullit, sepse i ka të gjitha mundësitë të shkatërrojë faktet dhe procesin e SPAK ndaj tij, sepse ka shitur pasuritë e popullit të tij dhe ka dashur të minojë e të shkatërrojë demokracinë shqiptare, duke goditur me falsifikime opozitën e zgjedhur dhe mbështetur nga gjysma e popullit të saj.
Asgjë e re dhe e jashtëzakonshme s’do të ndodhë po të shkojë e të dënohet për ato që ka bërë. Asgjë! Shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë ta zëvendësojë në çast. “Përgjegjësia është individuale”. Kjo është thirrja jonë nga sot e tutje ndaj të gjithë faktorëve ndërkombëtarë europianë dhe amerikanë: ndikoni që SPAK të ekzekutojë drejtësinë dhe të dënojë me faktet dhe dosjen e provuar me dokumente e dëshmitarë, krimin e korrupsionit dhe minimit të demokracisë të kryer nga ana e Kryeministrit tonë.
Shqipëria do të dijë të ecë e sigurt dhe e qetë në rrugën e saj demokratike.
Dënimi i tij nuk ndryshon asgjë as për Partinë Socialiste, as nuk tjetërson vullnetin e popullit shqiptar. Ajo i ka të gjitha kapacitet publike dhe administrative për të kryer qarkullimin e elitave të saj si të dojë, me kë të dojë.
Asgjë s’do ndryshojë as për Partinë Demokratike. Ajo duhet të ecë në rrugën e saj të bashkimit dhe shpalosjes se progresimit dhe alternativave. Merrni guximin, përgjegjësinë të besoni në aftësitë dhe largpamësinë e shqiptarëve për të vendosur vetë për fatet e tyre, në zgjedhje të lira, jo në zgjedhje të vendosura me korrupsionin e kapjes se liderit të opozitës peng.
Kështu foli McGonigali, është thirrja e madhe edhe për ju, që buron sot nga shpirti i çdo shqiptari.
Dëgjojeni dhe plotësojeni këtë detyrim historik kundrejt demokracisë shqiptare për të shpërdredhur lëmshin e ngatërruar Rama-McGonigal e thurur me poshtërsi në kurriz të opozitës shqiptare. Do jetë në nderin dhe dinjitetin tuaj në emër të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit, por dhe në detyrimin kundrejt taksapaguesve tuaj solidarë, të cilët ju kanë ngarkuar detyrë për t’i shërbyer drejtësisë në këtë vend.