Presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara kryen një operacion kundër terrorizmit të shtunën në Afganistan duke vrarë udhëheqësin e lartë të al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, i cili ishte zëvendës i themeluesit të grupit terrorist, Osama bin Laden, kur ata organizuan sulmet e shtatorit të viti 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Biden tha se zyrtarët amerikan të zbulimit e gjurmuan al-Zawahirin në një shtëpi në qendër të Kabulit, ku ai ishte fshehur me familjen e tij, e cila nuk ka pësuar gjatë sulmit.
“Tani drejtësia është vendosur dhe ky udhëheqës terrorist nuk është më”, tha presidenti Biden në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.
“Njerëzit në mbarë botën nuk kanë më nevojë të kenë frikë nga vrasësi i egër dhe i vendosur. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të demonstrojnë vendosmërinë dhe kapacitetin për të mbrojtur popullin amerikan kundër atyre që kërkojnë të na dëmtojnë. E bëjmë të qartë sërish sonte se sado kohë të zgjasë, kudo që të fshiheni, nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju heqin qafesh”, tha presidenti Biden.
Konfirmimi i sulmit u bë disa orë pasi sundimtarët talebanë në Kabul thanë se një sulm me raketa të dielën kundër një kompleksi banimi në kryeqytetin afgan, ishte kryer me një dron amerikan.
“Emirati Islamik i Afganistanit e dënon fuqishëm këtë sulm me çfarëdo preteksti”, tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në një deklaratë, duke përdorur emrin zyrtar për qeverinë talebane.
Ai e denoncoi sulmin si “shkelje të hapur të parimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjes së Dohas”, duke ju referuar marrëveshjes së vitit 2020 që grupi i tij kishte nënshkruar me SHBA-në, e cila çoi në tërheqjen e të gjitha trupave amerikane dhe aleate nga Afganistani gushtin e kaluar, pas pothuajse 20 vitesh lufte me talebanët.
Grupi kryengritës islamik mori kontrollin mbi Afganistanin me 15 gusht pasi trupat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja u tërhoqën dhe qeveria e mbështetur nga perëndimi në Kabul si dhe forcat e saj të sigurisë u rrënuan përballë sulmit taleban.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja pushtoi Afganistanin në tetor të vitit 2001 dhe rrëzoi qeverinë e atëhershme talebane në Kabul, për ta ndëshkuar atë për strehimin e rrjetit terrorist al-Kaida. Bin Laden dhe al-Zawahiri i shpëtuan operacionit ushtarak ndërkombëtar. Forcat e posaçme amerikane më vonë gjetën dhe vranë bin Ladenin thellë brenda Pakistanit fqinj, në maj të vitit 2011.
Komentet