Presidenti i SHBA-së Joe Biden mirëpriti të hënën në Shtëpinë e Bardhë kampionët e Federatës Kombëtare të Basketbollit (NBA), vizita e parë e tillë që nga viti 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Në motin me diell para Shtëpisë së Bardhë dhe me duartrokitje, Biden ngriti fanellën e Milwaukee Bucks me numrin “46”, një referencë për detyrën e tij si presidenti i 46-të i Amerikës.
Bucks kanë fituar dy kampionate të NBA-së, përfshirë titullin e këtij viti, i cili i dha fund një hendeku 50-vjeçar.
“Gjëja më e keqe është se i mbaj mend të dyja”, tha Biden me shaka. “Atëherë isha fëmijë”, shtoi ai.
Biden vlerësoi lojtarin më të vlefshëm të ligës, Giannis Antetokounmpo, si një emigrant grek me prindër nigerianë, i cili erdhi në SHBA në kërkim të mundësive të reja. Ai përmendi gjithashtu mbrojtjen e Antetokounmpos për çështjet sociale, duke përfshirë reformën e policisë dhe promovimin e vaksinave.
“Kjo është e mrekullueshme”, u përgjigj 26-vjeçari Antetokounmpo. “Kjo është një mundësi e pabesueshme të jesh në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi ai.
Kjo është një mundësi që shumë basketbollistë nuk e kanë pasur, ose nuk e kanë dashur, nën administratën e ish-presidentit Donald Trump.
Ekipet profesionale të basketbollit në të shumtën e rasteve kishin marrëdhënie të ftohta, ose krejtësisht armiqësore, me Trump-in, kryesisht për shkak të komenteve të tij që përçmonin protestat e sportistëve për të shtënat nga policia ndaj personave me ngjyrë dhe pabarazinë racore në SHBA.
Në dy vitet e tij të para në detyrë, Trump priti vetëm gjysmën e 20 fituesve të ekipeve kryesore profesionale dhe kolegjiale, në çdo sport, të cilët zakonisht priteshin në Shtëpinë e Bardhë.
Por marrëdhëniet e tij me basketbollin, një sport i dominuar nga lojtarët me ngjyrë, ishte veçanërisht i ftohtë.
Nga 14 ekipet kryesore të basketbollit profesional dhe kolegjial, si për meshkuj ashtu edhe për femra, që fituan kampionate gjatë katër viteve në detyrë të Trump-it, vetëm një e vizitoi: ekipi i kampionatit kolegjial të femrave në Universitetin Baylor, nga shteti amerikan i Teksasit, në vitin 2019.
Disa ekipe nuk morën ftesë për të vizituar. Ekipet e tjera edhe pse u ftuan refuzuan, ku si arsye kishin përmendur konfliktet e planifikimit ose zemërimin ndaj Trump-it. Disa skuadra njoftuan paraprakisht se nuk do të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë edhe nëse oferta përsëritet.
Një ekip kampionati, ekipi profesionist i basketbollit për femra, Seattle Storm, nuk mori ftesë për në Shtëpinë e Bardhë, kurse më pas deklaroi se do të mbështesin Joe Biden-in për president në vitin 2020.
Në një rast, Steph Curry, yll i Golden State Warriors të Kalifornisë, deklaroi se nuk ishte i interesuar të shkonte në Shtëpinë e Bardhë, pasi Warriors fituan kampionatin NBA 2017.
Trump u përgjigj në Twitter, platformë në të cilën ai tani e ka të ndaluar qasjen.
“Të shkosh në Shtëpinë e Bardhë konsiderohet një nder i madh për një ekip kampionati. Stephen Curry po heziton, prandaj ftesa është tërhequr”, kishte shkruar Trump.
Komentet