Presidenti Joe Biden po përballet me reagimet e disa anëtarëve të Partisë së tij Demokrate për mbështetjen e palëkundur për Izraelin ndërsa siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ushtria izraelite po zgjeron operacionet tokësore në Gazë dhe numri i viktimave civile palestineze po rritet.
Ndërsa vazhdojnë sulmet ajrore izraelite në Gazë, përfshirë atë në kampin e refugjatëve al-Shati, Këshilli Kombëtar Demokratik Mysliman i ka dërguar një letër Presidentit Joe Biden duke kërkuar që ai të ndërmjetësojë një armëpushim ose të përballet me humbjen e mbështetjes së miliona myslimanëve amerikanë në fushatën për rizgjedhje në vitin 2024.
“Ne e dimë se komuniteti ynë mund të ndryshojë rezultatin në shtetet ku gara për President është e fortë. Unë mendoj se udhëheqësit e Partisë Demokrate po i kushtojnë vëmendje kësaj dhe kanë frikë nga ajo që po ndodh dhe po i dërgojnë mesazhin Shtëpisë së Bardhë se kjo do të dëmtojë shanset tona në zgjedhjet e vitit 2024”, tha Basim Elkarra nga Këshilli Kombëtar Demokratik Mysliman.
Mbi një milion myslimanë hodhën votën në zgjedhjet e vitit 2020, një numër i mjaftueshëm votash që mund të luhasë rezultatin në disa shtete ku garat zgjedhore janë të papërcaktuara.
Myslimanët dhe arabo-amerikanët votojnë tradicionalisht për kandidatët demokratë, por kjo prirje mund të jetë duke ndryshuar.
Një sondazh i ri nga Instituti Arabo-Amerikan tregon se mbështetja për zotin Biden ra tek votuesit e këtij komuniteti, nga 59% sa ishte në zgjedhjet e vitit 2020 në 17%.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me komunitetin mysliman, komunitetin arabo-amerikan dhe udhëheqësit palestinezë amerikanë për të dëgjuar shqetësimet e tyre”, thotë Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Në anën tjetër, hebrenjtë amerikanë janë “thellësisht mirënjohës” për mbështetjen e Presidentit Biden për Izraelin.
“Izraeli mbetet një çështje shumë e rëndësishme për votuesit hebrenj. Është një çështje për të cilën ka një lidhje shumë të fortë emocionale midis hebrenjve amerikanë dhe mbështetjes për Izraelin”, thotë Halie Soifer, e cila drejton Këshillin Demokratik Hebre të Amerikës.
Rreth 7 milionë hebrenj jetojnë në SHBA, po aq sa jetojnë edhe në Izrael. Ata përbëjnë 3% të elektoratit amerikan.
Presidenti Biden vlerësohet gjerësisht edhe në Izrael. Ai i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu që të udhëheqë luftën sipas ligjit ndërkombëtar humanitar për të mbrojtur civilët.
“Ajo që ai po i thotë Izraelit është më ndihmo që të jem në gjendje të të ndihmoj. Nëse bëni përpjekje maksimale për të luftuar sipas ligjeve të luftës, atëherë më lehtësoni mua t’ju mbështes dhe të marr mbështetje për ju në komunitetin ndërkombëtar, në Amerikë dhe në Partinë Demokrate”, thotë Jonathan Rynhold, kreu i Departamentit të Studimeve Politike në Universitetin izraelit Bar-Ilan.
Sondazhet tregojnë se më shumë republikanë sesa demokratë e mbështesin vendimin e zotit Biden për të dërguar armë në Izrael.
“Republikanëve, qoftë (ish-presidenti) Trump, apo atyre të Kongresit, nuk u ka mbetur shumë hapësirë për ta rritur mbështetjen për Izraelin më shumë se Presidenti Biden”, thotë Norman Ornstein nga Instituti “American Enterprise”.
Ndërkohë presioni për një armëpushim po rritet, përfshirë edhe ata që protestuan gjatë seancës dëgjimore të Kongresit të së martës. Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar “pauza humanitare” për të lejuar ndihmat të arrijnë te civilët, por thonë se nga një armëpushim në këtë pikë do të përfitojë vetëm nga Hamasi.