Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të enjten gjatë shënimit të përvjetorit të Ditës D, se bota e lirë është me Ukrainën dhe se nuk do të dorëzohet para agresionit rus, duke nxjerr një paralele me luftën e aleatëve për ta çliruar Evropën nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja “nuk do ta braktisin” Ukrainën, tha Biden gjatë fjalimit në Normandi më 6 qershor, ku u shënua përvjetori i zbarkimit të aleatëve në Normandi më 1944, që ishte një pikë kthese që kontribuoi në disfatën e Adolf Hitlerit më 1945.
“Më besoni: Ne nuk do të përkulemi, ne nuk mund të dorëzohemi para bullizuesve; është thjesht e papërfytyrueshme. Nëse e bëjmë, liria do të jetë e nënshtruar, e gjithë Evropa do të jetë e kërcënuar”, tha Biden në ceremoninë e organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për nder të veteranëve të mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore.
Në ceremoni morën pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri kanadez Justin Trudeau, Mbreti Charles III i Britanisë dhe krerë të tjerë shtetërorë dhe personalitete të tjera.
As presidenti rus Vladimir Putin, e as asnjë zyrtar nga Rusia nuk u ftuan për të marrë pjesë në këtë ceremoni.
“Ukraina është pushtuar nga një tiran. Ata po luftojnë me guxim të jashtëzakonshëm, po pësojnë humbje të mëdha, por kurrë nuk po dorëzohen”, tha Biden.
Presidenti amerikan e lartësoi NATO-n si “aleancën më të madhe ushtarake në botë” dhe tha se ajo “është më e përkushtuar se kurrë më parë, për ta ruajtur paqen”.
Duke bërë krahasim me Luftën e Dytë Botërore, Biden tha se “izolimi i Amerikës nuk ishte përgjigje para 80 vjetëve dhe nuk është përgjigje as sot”, një referencë drejtuar disa politikanëve republikanë, të cilët janë skeptikë të mbështetjes amerikane për Ukrainën.
“Ne duhet ta kujtojmë patjetër se fakti që ata ishin heronj këtu atë ditë, nuk na liron neve nga ajo që ne duhet ta bëjmë sot. Demokracia nuk është e garantuar asnjëherë. Çdo brez duhet ta ruajë atë, duhet ta mbrojë atë dhe të luftojë për të. Kjo është sprova e epokave”, theksoi ai.
Ceremonia u mbajt afër Omaha Beach, emri i koduar i njërit prej dy vendeve ku zbarkuan forcat amerikane, ku trupat amerikane i pësuan më shumë se 2.500 të vrarë – që është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të trupave të vrarë të aleatëve në Ditën D.
Dita D ishte sulmi më i madh amfib në histori, ku morën pjesë 156.115 trupa nga 12 vende.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se “kjo ngjarje dhe e sotmja janë kujtesë e guximit dhe përkushtimit që tregohen për hir të lirisë dhe demokracisë”.
“Aleatët e mbrojtën lirinë e Evropës asokohe, ukrainasit e mbrojnë lirinë e Evropës tani. Uniteti fitoi atëherë, uniteti i mirëfilltë është në gjendje të fitojë tani”, shkroi Zelensky.
Zelensky pritet të bisedojë me Bidenin dhe Macronin gjatë qëndrimit në Francë. REL