Presidenti demokrat Joe Biden dhe rivali i tij republikan Donald Trump kritikuan ashpër njëri-tjetrin mbi çështjen e ekonomisë, abortin, imigracionin dhe politikën e jashtme gjatë mandateve të tyre, duke u dhënë votuesve një mundësi për të parë një debat mes kandidatëve më të moshuar presidencialë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Biden është 81 vjeç, ndërsa ish Presidenti Trump 78 vjeç.
Presidenti Biden gjatë debatit fliste me zë të ngjirur dhe ngatërroi fjalët në disa raste gjatë debatit, ndërsa zoti Trump e goditi atë me kritika të njëpasnjëshme, që përfshinin disa gjëra të pavërteta që ai i ka thënë shpesh, duke përfshirë pretendimet se emigrantët kanë sjellë një valë krimi dhe se demokratët mbështesin vrasjen e foshnjave.
Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti Biden ishte me grip.
Ekonomia
Joe Biden dhe Donald Trump bënë një numër gabimesh me shifrat dhe faktet në fillim të debatit të enjten në Atlanta.
Presidenti Biden e filloi debatin me një gafë, duke pretenduar se kishte krijuar 15,000 vende pune. Numri i saktë është më shumë se 15 milionë vende të reja pune gjatë mandatit të tij, një nënvlerësim dramatik nga një kandidat, që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve në aftësitë e tij për të udhëhequr ekonominë e vendit.
Zoti Biden tha gjithashtu se “një dozë e insulinës kushton 15 dollarë tani, në krahasim me 400 dollarë.” Por kostoja e insulinës për amerikanët e moshuar, të cilët janë pjesë e programit të sigurimeve shëndetësore të qeverisë, është ulur në 35 dollarë bazuar në ligjin e pakësimit të inflacionit, të cilin Presidenti Biden e nënshkroi në vitin 2022. Kjo ulje e kostos së ilaçit të insulinës hyri në fuqi në vitin 2023, duke detyruar shumicën e kompanive të sigurimeve shëndetësore që ta ulin në 35 dollarë koston e ilaçit.
Zoti Trump tha se ekonomia amerikane ishte gati të fillonte të paguante borxhin e saj kombëtar përpara pandemisë së Covid-19. Por, deficiti buxhetor po rritej gjatë mandadit të zoti Trump, sepse shkurtimi i taksave në vitin 2017, një ligj që e ka mbështetur ai, nuk ka ndihmuar në uljen e deficitit ashtu siç kishte premtuar ai. Zoti Trump trashëgoi një deficit buxhetor prej 585 miliardë dollarësh dhe ai u rrit në 984 miliardë dollarë në 2019, duke shënuar një rritje prej mbi 3 trilionë dollarësh vetëm në 2020 pas fillimit të pandemisë, sipas Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Biden nga mesi i debatit filloi të përqëndrohej në sulmet ndaj zotit Trump duke përmendur gjyqin në Nju Jork, në të cilin zoti Trump u shpall fajtor për fshehjen e pagesave për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniel për të mbajtur të fshehur një marrëdhënie seksuale me të. Presidenti Biden e quajti rivalin e tij republikan “një njeri të shpallur fajtor për një krim”. Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat për këtë çështje.
Ish Presidenti Trump u përgjigj duke përmendur gjyqin ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, në të cilin ai u shpall fajtor për akuzën se ka gënjyer në një formular për blerjen e një arme mbi historinë e përdorimit të drogës.
I pyetur për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 nga një turmë e mbështetësve të tij, ish-presidenti Trump u përgjigj duke thënë se ai nuk ishte përgjegjës për protestën në Kapitol dhe pretendoi se shumë nga të arrestuarit ishin të pafajshëm.
“Ky është presidenti më i keq në historinë amerikane. Ky njeri nuk e kupton demokracinë amerikane”, tha Presidenti Biden në përgjigje të këtyre komenteve të rivalit të tij republikan.
Ish-presidenti Donald Trump u ankua se emigrantët që po hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme po strehohen në “hotele luksoze” ndërsa veteranët e ushtrisë sonë janë në rrugë.
Siç pritej, ai u përqëndrua shumë në çështjen e krimeve të emigrantëve. Ai tha gjithashtu se emigrantët po vijnë në Shtetet e Bashkuara nga “institucionet mendore” dhe “azilet”. Ai nuk ka dhënë prova për këtë pretendim, të cilin e ka bërë shpesh në tubimet elektorale.
Lufta Rusi-Ukrainë
“Ne jemi si një vend i pazhvilluar dhe kjo është e turpshme”, tha zoti Trump në debatin televiziv në selinë e kanalit CNN në Atlanta.
“Ne nuk respektohemi më”, tha zoti Trump, duke fajësuar për këtë Presidentin Biden. “Ata (udhëheqësit e vendeve të tjera) mendojnë se ne jemi budallenj.”
Gjatë debatit, zoti Biden dhe zoti Trump ishin dakord në kundërshtimin e kushteve të presidentit rus Vladimir Putin mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Por, zoti Trump përsëriti pretendimet e tij se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të kishte qenë president.
“Nëse do të kishim një president të vërtetë, një president që respektohej nga Putini, ai nuk do ta kishte sulmuar kurrë Ukrainën”, tha zoti Trump.
Ai kritikoi gjithashtu Presidentin Biden për ndihmat e mëdha që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit.
“Vazhdoni, lëreni Putinin të hyjë në Ukrainë dhe pastaj në Poloni dhe vende të tjera. Shikoni se çfarë ndodh atëherë. Ai nuk e ka idenë se çfarë po thotë”, tha Presidenti Biden për zotin Trump.
Zoti Biden tha se zoti Trump do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja dhe do të rrezikonte një luftë në zgjerim. Dhe për udhëheqësin rus, Presidenti Biden tha: “Fakti është se Putini është një kriminel lufte”.
Lufta Izrael-Hamas
Një nga temat e politikës së jashtme në debat ishte edhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden për mënyrën se si e ka trajtuar luftën në Rripin e Gazës, duke thënë se zoti Biden “është bërë si një palestinez” për shkak të kërkesës së Preisdentit Biden që Izraeli të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Gazë. Zoti Trump ka kritikuar gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë në një intervistë në prill se ai duhet të kishte parandaluar sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Presidenti Biden i hodhi poshtë kritikat se administrata e tij ka zvarritur dërgimin e disa llojeve të armëve në Izrael. “Ne po i ofrojmë Izraelit të gjitha armët që i nevojiten”, tha ai. Presidenti Biden gjithashtu përmendi propozimin e tij me tre faza për arritjen e një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, duke fajësuar grupin militant palestinez për mungesën e një marrëveshje armëpushimi.
Zoti Trump e kundërshtoi këtë vlerësim duke thënë se “Izraeli është ai që e ka kundërshtuar propozimin. Dhe ju duhet t’i lini izraelitët të mbarojnë punën”, tha ai.
Izraeli filloi një ofensivë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u morën peng 250 të tjerë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 37600 njerëz. Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve në raportet e saj mbi numrin e viktimave.
Debati ishte një shans për të dy kandidatët që të flisnin për planet dhe vizionin e tyre për vendin dhe të fitonin mbështetjen e votuesve të pavendosur.
Në Atlanta të Xhorxhias, një shtet i pavendosur dhe i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, ishin të pranishëm politikanë republikanë, që mendohet se janë në listën e kandidatëve për nënpresident, përfshirë senatorin nga Ohajo JD Vance, ish guvernatorin e Dakotës së Veriut Daug Bergum, senatorin nga Karolina e Jugut Tim Scott dhe senatorin nga Florida Marco Rubio.
I mbajtur mbi katër muaj përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, debati Biden-Trump ishte një nga debatet me të hershme presidenciale në cilkin katër vjeçar të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai ishte gjithashtu një përsëritje e dy debateve të tyre të vitit 2020, që u mbajtën dy muaj para zgjedhjeve, në të cilat zoti Biden fitoi ndaj Presidentit të arëhershëm Donald Trump. Debati i ardhshëm mes Presidentit