[ ngjitur: Ulpiano Checa (1860-1916) – Naumakia (betejë e improvizuar detare e romakëve), 1894 ]
Naumakia* romake ishte diç si betejë gladiatorësh e përshkallëzuar dhe e orkestruar të ndodhte në një “pishinë” gjigante, mini-liqen artificial, me flota kundërshtare (psh. flotat greke dhe persiane ishin improvizime ideale, përputheshin në mënyrë të përkryer). Ushtritë pjesëmarrëse duhej të luftonin realisht dhe lirshëm njësoj si në një betejë historike, jo vetëm duke e improvizuar brutalitetin e betejave reale (siç ia bëhet nëpër filmat e së sotmes), por duke vrarë e vdekur realisht.
Organizimet “Naumakia” ishin organizime argëtimi në shkallë aq të madhe sa pothuaj as skenografikat disamilionëshe të Hollivudit sot (për filmat e tipit “blockbuster”) s’janë më komplekse as më të kushtueshme. Dhe ky krahasim (meqë e bëmë) nënkuptohet pa i llogaritur vdekjet reale, lëndimet dhe gjakderdhjen që ishin dhe elementi kyç i akëcilit argëtim me “luftra gladiatorësh”. Afërmendësh, në skenografikat gjigante të së sotmes filmike s’duhet të ndodhin as lëndime as vdekje.
Atëbotë kishte sa të duash skllevër e burrash që e prisnin ekzekutimin, i mblidhnin fatkeqët nga gjithandej skajeve të perandorisë, ashtu-kështu do ekzekutoheshin. Dhe ndonjëherë, për hir të argëtimit masiv (si kontekst gladiatoresk) nxiteshin të luftonin mes vete, ta vrisnin njëri-tjetrin, sipas skenarëve që përpiloheshin, sipas “skripteve instruksionale” që përputheshin me planet e spektakleve të radhës.
Në rregull, sot dhe vetëm të lexosh për këso gjëra tingëllon e tmerrshme. Dhe vetë germat e mia tani sikur kthehen në diç si “germash barbare”, por fjala është për Romën e lashtë. Spektaklet e mëdha të argëtimit perandorak organizoheshin dhe zbatoheshin në skenën e realitetit, pakashumë ngjashëm siç zbatohen dhe direktivat e skenarëve të filmografikave sot.
Imagjinoji pakëz aktivitetet rreth filmimit të një skene epikale të betejës së Aleksandrit kundër Dariusit – totalisht marramendje, sikur dhe vetë “marramendja” ndjehet konfuze. Imagjinoje një stadium fansash të futbollit tek shqirren me lloj-lloj klithmash, tollovi e orkestruar, pluhnajë e kontrolluar, bujë e poterë përjashta normales, dridhet e lëkundet vetë toka nga galopi i kuajve, nga vrapi i elefantëve…
Por ja që dhe shigjetat tek fluturojnë shpesh mund t’jenë “fals”, dhe vetë fiullimat e tyre janë efekte speciale me kompjuterat. Aleksandri triumfon dhe s’vritet askush, as dhe 1 “persian” i vetëm, sa për falangistët e tij as hiç se hiç.
Madje është supozuar as kuajt t’mos lëndohen, asnjë kafshë, asnjë shpirt. Përndryshe organizatat për të drejtat e kafshëve ia fillojnë me paditë e me akuzat, fimaxhinjtë do shpenzoheshin me miliona për avokatët, do ua grabisnin milionat e buxhetit filmik.
Naumakia e parë (për të cilën flitet në histori) qe organizuar në v. 46 pes. për nder të triumfit të Cesarit (jo vetëm për triumfin në Egjipt, meqë ishte triumf i “disafishtë”, psh dhe në Gali).
Beteja “naumakiste” e këtij organizimi masiv pati qenë pjesë qendrore e një gala-ekstravagance prej festiviteti gjigant. Organizimi pati qenë jashtëzakonisht ambicioz, ndoshta dhe vetë e tanishmja do ia kishte “zili” për komleksitetin organizativ. Përveç “betejës naumakiste” përfshinte dhe koncerte muzikale, gara me kuaj, luftime këmbësorie, luftime kalorësie, betejash me elefantë etj.
Për naumakia-spektaklin e Cesarit qe organizuar një betejë gjoja mes fenikasve dhe egjiptasve. Anijet që i përfaqësonin flotat e ushtrive kundërshtare qenë vendosur në një pellg masiv (mini-liqen) ndërtuar pranë lumit Tiber (Campus Martius).
Mirëpo anijet ose lundrat e luftës nuk “lëvizin” vetiu, kështu që duhej menduar dhe për 4000 rremtarët. Mbase duhet supozuar se këta s’do vriteshin, dhe as patjetër të lëndoheshin. Ishin skllevër, e saktë por do ishin të zënë vetëm me rremat e me logjistikat e marinës. Ndryshe nga 2000 luftëtarët, gladiatorët e vërtetë, të armatosur e që duhej të angazhoheshin në duelet e përgjakshme.
Për historianët është e paqartë deri në çfarë mase spektakli për nderin e Cesarit pati qenë i para-orkestruar (dmth. Naumakia). Dihet se gjithçka ishte improvizim, organizimi masiv pati ndodhur për nder të tij. Gjithkujt mund t’i shkojë “mendja” se organizimi ishte i justifikuar, se ia vlente të celebrohej “victoria cesariane”, se do ketë qenë spektakël i shtrenjtë, qe konstruktuar pellg-liqeni, qenë ndërtuar flotat, me anije e me ushtri qe bërë gati gjithçka, do i ketë kushtuar mjaft dhe kasës së shtetit. Mirëpo cili skenar qe ndjekur dhe me sa përpikëri, sa ishte teatrale beteja dhe sa ishte kaos i përgjakshëm realistik, nuk dihet.
Thuase na ishte një lloj “kalendari” gjysmëshekullor për spektaklet e tilla të Naumakia (të betejave të improvizuara “detare”) – do ia fillonte Cesari në v. 46 pes. Përafërsisht gjysmë shekulli më pastaj, në v. 2 pes. perandori August e organizoi një Naumakia mes ushtrive athinase dhe asaj persiane. Padyshim athinasit do i kenë bërë “lesh persianët aty në mes” të Romës. Meqë dhe ai, ngjashëm si Cesari pararendës, e ndërtoi një aso pellgu gjigant artificial në bregun e djathtë të lumit Tiber.
Pastaj, përafërsisht gjysmë shekulli më vonë, në v. 52 të erës sonë, një Naumakia spektakolare qe organizuar nga perandori Klaudius, ky do e organizonte në liqenin Fucine. Klaudiusi do i angazhonte jo më pak por 100 anije (le t’themi 2 flota me nga 50 anije, imagjino… madje as në luftrash të vërteta shpesh s’mernin pjesë aq shumë anije). Qenë nevojitur rreth 19.000 njerëz në mënyrë që gjithçka e mozaikut të Naumakia të vinte në vendin e vet.
Sipas Tacitit, disa nga të burgosurit, disa gladiatorë sikur ia patën prishur “qejfin” paksa Klaudiusit, sepse patën refuzuar të luftonin. Qe detyruar vetë Klaudiusi të intervenonte, i mllefosur dhe i trazuar për refuzimin e tyre, do ta dërgonte gardën perandorake dhe thjesht do i vriste. Akoma pa ia nisur spektakli i gladiatorizmit, vetë perandori do e përdorte gjakderdhjen ndaj skllevërve të pafashëm, si “mesazh” për të tjerët kryengritës eventualë.
Liqenin Fucine, të cilin e pati përdorur Klaudiusi, romakët e njihnin si Fucinus Lacus, u siguronte tokë pjellore, ishte burim i pasur peshkimi. Mirëpo për fat të keq, duke mos patur rrjedhje natyrore, liqeni e përmbyste tokën e punueshme rrotull vazhdimisht. Besohej gjithashtu se ishte “shkaktar” i sëmundjeve, e sidomos psh. malaria ishte mjaft problematike.
Thuhet se perandori Klaudius qe përpjekur ta mbante nën kontroll nivelin e liqenit duke e gërmuar një tunel për kullimin e ujit. Tunel ~6 km i gjatë përmes Monte Salviano, ishte kjo një ndërmarrje masive e llojit të vet. Klaudiusi do t’i angazhonte 30.000 punëtorë, dhe puna e gërmimeve do i hante 11 vjet. Por s’është se mundi qe shpaguar mirëfilli, historianët s’dinë për ndonjë sukses të mirëfilltë.
Dhe dmth. nëse të “krahasohej në vija të trasha” shkalla e një angazhimi të tillë inxhinierik-ekonomik (30.000 punëtorë merren me gërmimin për 11 vjet, qëllimet janë të mirat ekonomike-strategjike për popullatën), nga ana tjetër me 19.000 njerëz të angazhuar rreth improvizimit të një “beteje detare” me 100 anije aty në liqen, kësaj radhe thjesht sa për t’u zbavitur e argëtuar me art-zotësinë luftarake të gladiatorëve… sikur sadopak na dalin “parasysh” përmasat e ndërmarrieve të perandorit Klaudius : )
Siç e cekëm më lart, nuk dihet sa “teatrale” ishin betejat e tilla dhe sa ishin vrastare, të përgjakshme realisht. 50 anije andej dhe 50 të tjera këndej mbushur me gladiatorë të armatosur, patjetër se është spektakël impresiv. Gladiatorët sikur bëheshin dhe më të “rrezikshëm”, meqë secila palë e dinin se o duhej të vdisnin o të fitonin – këtu dhe do ishte fundi. Spektakli, beteja nënkuptonte se ishte afruar ai “fundi” i vetë fundit – me fitoren gladiatori “sigurohej” sadopak se do frymonte sëpaku deri në betejën tjetër.
Sidoqoftë, shkalla dhe risia e spektakleve të tilla i tërhiqte masat, me javë grumbulloheshin turmash të mëdha. Ndodhnin dhe fatkeqësi, aksidente, shpesh në furinë kaotike spektatorët madje përfundonin të lënduar a të shkelur për vdekje. Mirëpo kishte dhe një aspekt tjetër që ndërlidhej me spektaklet masive – aspekti afarist, aspekti i biznesit.
Ashtu-kështu një organizim aq masiv si spektakël s’mund të arrihej brenda ditës – në kuptimin siç sot, bie fjala për një ndeshje futbolli, ca sekonda duhen dhe me iPhone blihen biletat “online”. Pastaj në akord me datën e caktuar të ndeshjes, brenda 1 dite të vetme 50.000, 80.000 spektatorë e mbushin dhe e zbrazin stadiumin “Marakana” (si shembull). Gjithçka vërtitet rrjedhshëm, pa incidente, pa u lënduar kush. Event kolosal, pothuaj as Oktoberfest s’është më i “madh” si event, zgjatë sa zgjatë… por dhe kur mbaron, s’ankohet kush për gjë.
Përveç mbase gjysmë të dehur nëse qejflinjtë e birrave ankohen se u kanë mbaruar birrat. Ose tifozët më të flaktë dhe mund të ankohen se na u qenkan “ligështuar” kordat e zërit. Në rregull, ndonjëherë ndodhin dhe zënkat mes fansave, më vonë sikur dhe ne ngelim gojëhapur me lajmet e TV-mbrëmjes. Shohim tym, kacafytje, lloj-lloj skenash kaotike, tifozët shpesh ia fillojnë dhe me grushtosjet masive. Sepse… sepse (dhe mund ta kuptojmë, na pllakosë keqardhja por dhe sikur i kuptojmë tifozët) inati është inat – fitoret prore të ëmbla, disfatat gjithmonë të hidhura.
Edhe në Romën e atëhershme, një Naumakia spektakolare e asaj shkalle, me turmat dhe me kaosin e pashmangshëm, nënkuptonte biznes, “lumenj” të verës, të alkoholit, dehje, shthurje mundësi të bollshme për shkëmbime qejfesh, mundësi për lloj-lloj aventurash “amoreske”. Spektaklet masive sikur ishin vetë justifikimi për dehjen, për lirinë e për shthurjen. Të çfarëdollojshme të kenë qenë; qoftë celebrime, festivitete të rralla për nder të ndonjë eventi perandorak, aspekti i biznesit s’kishte dallim, njësoj siç dhe për festivalet “religjioze” tradicionale.
Pjesë e shumë festiviteteve të tilla, përveç biznesit tregtar të zakonshëm, përveç dyqanxhinjëve “mobilistikë”, ishin dhe prostitutat. Bordelet, shtëpitë publike angazhoheshin gjithashtu për ndonjë metelik, me dërgimin e “skuadrave mobile” të prostitucionit. Për një spektakël Naumakia psh. Ovidi pati shkruar “me një turmë të tillë, vallë kush s’do e gjente atë që i pëlqente”?
Disa vite pas Klaudiusit, në v. 57 pes. thuhet se dhe perandori Nero e pati organizuar një spektakël Naumakia. Nero do e përdorte një amfiteatër prej druri, një lloj “pishine” gjigante e pati mbushur me ujë. Të ndërtosh diç enkas, ngrehinë speciale, qoftë pellg natyral skaj lumit Tiber, si Cesari e Augusti, o ta përdorësh liqenin e gatshëm si Klaudiusi, a qoftë “pishinë prej druri” si Nero… fare në rregull.
Mirëpo romakët me sa duket qenë përpjekur (të paktën një herë) ta përdornin dhe Koloseumin madhështor të Romës për Naumakia-spektaklin. Si mbushet me ujë Koloseumi dhe si arrihet hidro-lojaliteti (për “mos-rrjedhjen”, për mos-ikjen e ujit), sa për kohën e Romës romake absolutisht s’e kemi idenë. Teknologjitë e kohës sonë mbase dhe do ta kapërthenin, ne s’e dimë as këtë por inxhienierët e dinë saktë, me plastiko-logjinë e së sotmes ndoshta s’do ishte strikt e “pamundur”.
Sipas historianit romak Casius Dio, në v. 86 es. një “betejë detare” qe zhvilluar dhe në Koloseumin e famshëm të Romës. Pra duhet supozuar tani se tunelet dhe kthinat e shumta poshtë Koloseumit e mundësonin idenë të tillë të zbatohej në praktikë. Nga ne kërkohet ta supozojmë mbushjen e tuneleve me ujë, pastaj stërmbushjen dhe vërshimin, krijimin sipri të një lloj akua-skene rrumbullake, gala-pishinë mjaftueshëm e thellë për lundrat dhe për mbarëvajtjen e skenarit luftarak.
Në rregull, i lehtë supozimi, por si?! S’e kanë idenë as shkollarët, as inxhinierët e së sotmes, sikur ende ka ngelur enigmë. Për fat të keq, sikur s’dimë ta vëjmë në punë as imagjinatën e inxhinierëve perandorak, pompa aq të avancuara zor t’ketë patur Roma. As me imagjinatën e inxhinierëve modernë s’dimë si pompohet ujë i mjaftueshëm në Koloseum për t’lundruar aty rrotull një a dy flotash, plot lundrash ngjeshur me gladiatorë.
Njëra flotë psh. mund t’ishin marinarë të xhindosur persianë (le t’jenë të Kserksit – në këtë drejtim s’na ngec imagjinata, e di dhe Hollivudi madje : ) Flota tjetër kundërshtare mund t’ishin marinarë të patrembur spartanë. E prapë, s’është vetëm problemi i pompave me të cilin ballafaqohet imagjinata bashkëkohore, as jo vetëm “funksionimi” i flotave. S’kemi imagjinatë funksionale si do arrihej as procesi i mos-ikjes së ujit pasi ta kemi pompuar. Shkurt… s’dimë, dhe pikë.
[ ngjitur: Ulpiano Checa (1860-1916) – Naumakia (betejë e improvizuar detare e romakëve), 1894 ]
* Naumakia – fjalë e latinishtes, huazuar nga greqishtja e lashtë, “ναυμαχία“, e që do përkthehej si “betejë detare“. Betejat naumakiste ishin aktivitete marramendëse në emër të argëtimit perandorak. Improvizohej një betejë komplete “amfiteatrale”, me gjithçka realistike, luftim mes flotave gladiatoreske për jetë a vdekje.