Edhe nëse Gabriel Grada nuk do të kishte një histori krejt të veçantë, ai do t’i bënte për vete të gjithë me humorin, elokuencën dhe forcën e tij. Por Gabrieli, një 9 vjeçar me prindër nga Shqipëria, u bë i njohur për diçka që e shndërron jetën e gjithkujt dhe çdo prindi do t’i dridhej zemra ta prekte fëmijën e tyre: Kancer. Gabrieli, u shfaq në një seri për kancerin tek fëmijët në faqen shumë popullore në Facebook “Humans of New York”. Kolegia Keida Kostreci, bisedoi në Nju Jork me Gabrielin, prindërit dhe mjekun e tij. Ja historia e tyre:
Në një kuptim Gabrieli, është si shumë fëmijë të tjerë në klasë të tretë të shkollës fillore. I pëlqen të luajë me lojra elektronike, i pëlqen futbolli amerikan, por jo bejsbolli. Dhe detyrat nuk para i ka shumë qejf.
“E di që detyrat të bëjnë mirë për trurin, por për mua janë të mërzitshme”.
Por ky vogëlush nëntëvjeçar, buzëqeshja e të cilit shkëlqen më shumë sesa një ditë e mrekullueshme me diell në Central Park të Nju Jorkut, për më shumë se një vit, ka luftuar për jetën e tij.
“Ndjehem mirë. Sapo kam mbaruar raundin e fundit të kimioterapisë. Sapo bëra grafitë dje. Mbarova edhe rrezatimin. Nëse grafitë dalin në rregull, s’ka më kemio.!”
Kur Gabrieli, ose Gabe siç e thërrasin të gjithë për shkurt, u diagnostikua në fillim vjet me një tumor në tru, për prindërit e tij, ishte shumë e rëndë.
“Ishte shumë, shumë e rëndë për mua. Si baba, si njeri, si prind. Nuk di çfarë të them. E kam rritur si shokun tim të vogël. Ishte diçka e pabesueshme”, thotë Bledar Grada, babai i Gabrielit.
“Frika më e madhe ishte se mos humbnim djalin. Kështu që gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë luftës që kemi bërë, ta ndanim këtë perspektivë. Frika e djalit se mos bëhej më keq, mos e humbnim dhe ajo shpresa që mbase bëhet më mirë, mbase doktorët me tërë mend mund ta rregullojnë këtë gjë”, thotë mamaja e Gabrielit, Arjela Grada.
Gabriel Grada with family
Për prindërit e Gabrielit, Arjela dhe Bledar, viti i fundit e ka transformuar jetën e tyre rrënjësisht. Gabrieli u diagnostikua në fillim me një tumor në qershor të vitit të kaluar.
“Dhe ky lajmi i keq na erdhi në çastet më të bukura dhe na vrau jashtë mase. Sepse ne kishim ëndrra të tjera. Nuk e prisnim një gjë të tillë”, thotë Arjela.
“Njeriu ka një qëllim në jetë. Bën luftë, peripecinë e kalon dhe e arrin atë që do. Ne arritëm në një pikë që e arritëm veten tone. Por nuk mund të pranoj unë realitetin e hidhur, nuk ka mundësi”, shton i ati.
“Nuk e di si ta përshkruaj: Por kur je në një vend shpirtëror të qetë, të bukur, të mire dhe të të kthehen rolet kaq shpejt sa hap e mbyll sytë…”
Pas operacionit për heqjen e tumorit, ata pritën për një kohë të gjatë përgjigjen e biopsisë. Përgjigjia ishte një goditje shumë më e rëndë se e para.
“Gabrieli ka një formë shumë të rrallë kanceri që quhet Descmoplastic Small Round Cell Tumor. Ky tumor deri para 20 vjetësh, as nuk ishte përkufizuar ende”, thotë doktor Paul Meyers, mjeku që ndjek Gabrielin në Qendrën e Kancerit “Memorial Sloan Kettering”.
Vetëm rreth 50 raste identifikohen çdo vit në Shtetet e Bashkuara me këtë lloj kanceri dhe një mjek i Memorial Sloan Kettering e kishte zbuluar atë. Dr. Myers thotë se metodat e reja të zbulimit të diagnozës përmes ADN-së kanë bërë të mundur diagnostikimin e Gabrielit.
“Ky kancer nuk është gjendur pothuajse kurrë në tru, dhe kur sheh një fëmijë me një tumor në tru, mendja të shkon në 100 diagnoza të tjera, para se të të shkojë tek Descmoplastic Small Round Cell”.
Beteja filloi prapë dhe këtë radhë duhej bërë kimioterapi dhe rrezatim. Ndryshimi fizik i Gabrielit, ishte i menjëhershëm.
“Dhe nga ndryshimi që pati Gabrieli, i menjëhershëm fizik, çdo gjë ndryshoi. Gabrieli u dobësua jashtë mase, vështirësitë e kimos ishin të shumta. Japin goditje në organet e tjera”.
“Pjesa më e vështirë për mua? Kimioterapia! Më bëri të humbas flokët, thotë ai duke hequr kapelen. Më dha simptoma të çuditshme. Kisha temperaturë. Vetëm herën e parë nuk kisha temperaturë, sepse trupi ishte ende i fortë, por pastaj në ciklet e tjera, fillova të ndjehesha gjithnjë e më i dobët”.
“Është shumë e rëndë për një prind të shohë fëmijën e vet, pranverën e jetës së vet (përlotet)… të këputet…është e rëndë”.
Arjela dhe Bledi kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si imigrantë në vitin 2000. Ajo ishte 18 vjeç. Ai 22. Kaluan peripecitë e çdo emigranti. Nuk dinin anglisht. Mësuan gjuhën, u futën në shkolla, gjetën punë.
“Ishte lodhje. Por ishte lodhje me perspektivë të madhe. Ne ishim të kënaqur, ishim shumë mirë. Familje si të gjithë. Fëmijët të gëzuar. Prindërit të gëzuar”, thotë ajo duke iu referuar edhe djalit të vogël Brandon që tani është 3 vjeç.
Historia e Gabrielit, Arjelës dhe Bledit, u përhap në gjithë botën kur ata u portretizuan në faqen shumë popullore të internetit Humans of New York. Krijuesi i saj Brandon Stanton, bëri një seri ku rrëfente historitë e pacientëve peditarikë, prindërve, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë atyre që janë në pararojën e luftës kundër kancereve të fëmijëve në qendrën Sloan Kettering.
Historia e Gabrielit ishte e para që u botua dhe fotot e tij dhe të prindërve të tij shoqëruan postimin për shpalljen e serisë. Dhe si ndjehet Gabrieli, tani që miliona e njohin historinë e tij?
“Më pëlqen sepse më pëlqen të jem i famshëm dhe se kështu ndihmoj edhe fëmijë të tjerë me kancer”.
“Më vjen mirë që mori vëmendje, sepse gjithmonë kisha dëshirë sado edhe pak për të ndihmuar familje të tjera, thotë Arjela pa i përmbajtur dot lotët. Kështu që m’u bë qejfi por s’diskutohet nga ana tjetër çdo njeri e kërkon atë jetën private. Kisha edhe merakun nga ana tjetër që ne po ekspozohemi kaq shumë, por të dyja i peshova dhe thashë kjo ka më shumë peshë ta nxjerrësh”.
Dr. Meyers thotë se është shumë e rëndësishme që seria e drejtoi vëmendjen tek çështja e kancerit mes fëmijëve.
“E vuri në qendër të vëmendjes këtë çështje kaq të rëndësishme dhe njerëzit u befasuan por edhe e pritën mirë dhe menjëherë shprehën gadishmërinë të ndihmojnë”.
Kjo ndihmë u përkthye në afro 3.8 milionë dollarë që u grumbulluan, një shifër e jashtëzakonshme që doktor Meyers thotë se do të shërbejë për kërkime kritike.
Arjela dhe Bledi thonë se edhe prirja që ekziston mes shqiptarëve për të mos folur për këto tema të vështira dhe madje as mos t’ia thonë emrin kancerit, ishte një nga arsyet që ata vendosën të flasin aq publikisht.
“Nga ana tjetër dëshirova që ta shfaq ngjarjen e Gabrielit, sepse neve si kulturë, si edukatë e kemi që nuk shfaqemi të dobët. Por unë nuk e shfaqa që të tregoja dobësi në këtë rast, e shfaqa që të tregoj solidaritet, sepse ne pamë në familje të tjera qoftë amerikane, qoftë diku tjetër, mbështetja tek baza e vet, shumë e rëndësishme. Dhe neve u gjetëm për fat të keq pak të izoluar, pak vetëm në këtë aspekt sepse kultura jonë e ka që t’i mbajmë pak të fshehura këto gjëra”.
“Një fjalë e ëmbël në një moment të vështitë për një person që ka luftë me jetën të ndihmon jashtë mase. Merr telefonin pyet si je, si është djali. Mjafton. Në atë moment ne jemi vetëm”.
Arjela thotë se është një betejë e jashtëzakonshme shpirtërore, fizike, emocionale dhe në disa momente u ndje e sfiduar. Por ajo pati edhe mbështetjen e prindërve dhe përpjekjet për të shpresuar dhe besimi e ndihmuan.
“Kur arrin t’i japësh vetes sado pak kurajo çdo ditë dhe me anë të asaj shpresës tek një forcë më e madhe se ç’jemi neve. Ajo shpresa jonë e madhe, ato lutjet që kemi bërë çdo ditë e çdo natë na dhanë forca. Dhe është e çuditshme sepse çdo ditë, kur ajo kurajoja rritet, kur ajo forca rritet, frika bëhet më e vogël”.
Ndërsa ajo shpreson që duke folur për historinë e familjes së tyre të ndihmojnë sadopak prindërit që janë në të njëjtin pozicion,
Pasi qanë dhe u trishtuan, Arjela dhe Bledi mësuan edhe diçka tjetër: të jetonin çdo ditë.
“E vetmja luftë është gëzimi, gëzimi, dashuria që t’i japësh fëmijës, familjes. Loti nuk na ndihmonte dot më”.
Dhe ku gëzim mund të mos jetë më aq i përkohshëm. Gabrieli e ka mbaruar kurën dhe ndjehet më mirë.
“Ne shpresojmë dhe lutemi që ai të jetë mirë përgjithmonë, të rritet dhe që sëmundja të jetë thjesht një detaj i vogël në jetën e tij”, thotë doktori Meyers.
Një ditë pas intervistës, mjekët i thanë Arjelës dhe Bledit që Gabrieli nuk ka më kancer.
Dhe ku i dihet, së shpejti mund edhe të shkojë në Shqipëri të shohë gjyshen tjetër.
“Nëna të kam xhan. Edhe unë dua që të vij në Shqipëri që të shikoj të gjithë kushërinjtë e mi dhe ty”.
what’s the name of this child ?
?