TIRANË – Besimtarët myslimanë në të gjithë botën por edhe në Shqipëri kremtojnë sot Kurban Bajramin. Mijëra besimtarë shqiptarë u mbledhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”për të falur namazin Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, ndërsa u lut për më shumë paqe e harmoni. “Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”.
Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai.
Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët.
IDRIZI: BASHKIM DHE SOLIDARITET
Urimeve të festës i bashkohet edhe politika. Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi duke uruar të gjithë shqiptarët tha se kjo është një ditë bashkimi, barazie dhe solidariteti. “Uroj që të jetë një ditë e bashkimit dhe mirësisë. Sot është dita e barazisë dhe solidaritetit”.
Komentet