Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën, ditën më të rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.
Në mbarë vendin besimtarët kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e Pashkës.
Besimtarët ortodoksë kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Si çdo vit të shtunën e Madhe të Pashkës ortodokse, zjarri i shenjtë iu kalua me qirinj besimtarëve që shkëmbyen mes tyre urimet e rastit për këtë ditë të rëndësishme në kalendarin festiv ortodoks.
Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin në vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
“Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.
Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë
Kryepeshkopi Janullatos në mesazhin drejtuar të gjithë besimtarëve tha se “periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit”.