Sejdiu përmendi disa raste të parregullsive, të tilla si votim familjar, prerje të fletëvotimeve në kundërshtim me ligjin, si dhe mosvulosje të fletëvotimeve
SHKUP – Lëvizja BESA ka paraqitur ankesë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në lidhje me, siç thonë nga kjo parti, mospërputhjen e rezultateve reale nga terreni me të dhënat elektronike të KSHZ-së mbi numërimin e votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Ky subjekt politik konsideron se kontestues janë dy mandate nga Njësia e dytë dhe Njësia e gjashtë zgjedhore. Përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Blerim Sejdiu, përmendi disa raste të parregullsive, të tilla si votim familjar, prerje të fletëvotimeve në kundërshtim me ligjin duke u arsyetuar se nuk kanë gërshërë, si dhe mosvulosje të fletëvotimeve me qëllim që më vonë të shpallen të pavlefshme.
“Sipas analizave tona në disa vendvotime të njësisë zgjedhore 6 dhe të njësisë zgjedhore 6 ka pasur keqpërdorime në procesin zgjedhor. Në lidhje me këtë ne kemi konstatuar se parregullsitë kanë qenë të mëdha gjatë gjithë kohës nëpër korridoret e vendvotimeve, ku janë lëvizur persona të paautorizuar dhe kanë bërë presion ndaj votuesve”, deklaroi Sejdiu.
Sejdiu tha se këto raste të parregullsive kanë ndodhur në disa vendvotime në rrethinën e Likovës, në Haraçinë, në malësinë e Tetovës dhe vendvotime të tjera në të cilat siç theksoi ai, janë të dëmtuar me mbi një mijë vota nëpër vendvotime.
Ndërkohë, edhe lideri i partisë opozitare maqedonase, LSDM, Zoran Zaev, në një konferencë për media deklaroi se rezultatet paraprake i befasuan qytetarët, por shprehu bindje se në rezultatet përfundimtare do të ketë ndryshim të numrave.
Zaev theksoi se do të paraqesë ankesë në KSHZ, pasi që siç tha ai, partia që drejton ai ka mandate të barabarta me VMRO-DPMNE-në, përkatësisht nga 50 mandate.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), mbrëmë njoftoi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, VMRO-DPMNE fitoi 51 mandate, LSDM 49 mandate, BDI 10 mandate, BESA 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët 3 mandate dhe PDSH fitoi 2 mandate.
Në të këto zgjedhje ishin të regjistruar 1.784.416 qytetarë vendas, prej të cilëve të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar 1.190.491 ose 66.86 përqind e qytetarëve. aa
Komentet