Voal – Në prag të kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit të vendit nga pushtimi nazist, historianët nxjerrin fakte të reja të cilat risjellin sërish në vëmendje debatin politik mbi datën e çlirimit.
Historiani Bernd Fisher tha se ekzistojnë dy raporte për Shqipërinë të publikuara në vitin 1945, njëri i shkruar nga misioni diplomat amerikan që ndodhej në atë periudhë në Shqipëri dhe tjetri i përpiluar nga gjermanët.
Sipas raportit të shkruar nga gjermanët thuhet se gjermani i fundit u largua nga territori shqiptar më 4 dhjetor.
“Ushtria gjermane kishte në Shqipëri përfaqësuesin e tij i cili përpilonte raporte të hollësishme mbi situatën. Të dyja raportet, ai amerikan dhe gjerman ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri.Në raportin amerikan, flitet me nota pozitive për regjimin e Hoxhës, për shqiptarët dhe luftën e tyre, ndërsa raporti gjerman kuptohet se përdor një gjuhë krejt ndrshe për shqiptarët.Por në raportin gjerman dalin fakte të reja historike që mund t’i shërbejnë debatit tuaj mbi datën e clirimit të vendit pasi në të thuhet qartë se ushtari i fundit gjerman është larguar nga Shqipëria në datën 4 dhjetor”, tha Fisher.
Drejtori i Institutit të Historisë Beqir Meta tha se historianët shqiptarë kanë nxjerrë fakte e analiza të reja mbi historinë e Shqipërisë nga Periudha e Rilindjes dhe deri në Periudhën e Komunizmit.
Këto deklarata u bënë gjatë Konferencës Ndërkombëtare për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku morën pjesë historianë të njohur shqiptarë dhe të huaj.