Ish-Kryeministri Sali Berisha , pasi votoi sot për zgjedhjen e kryetarit të ri të degës nr.2 të PD në Tiranë, theksoi se me këtë votë demokratët firmosin fundin e kryetaro-kracisë dhe presidenco-kracisë në Partinë Demokratike.
“Duke iu kërkuar ndjesë, dua që të uroj nga zemra, çdo demokrate dhe demokrat të 14 degëve të PD-së, – tha Berisha, – që firmosin sot me votën e tyre, kryetarin e ardhshëm të degës së PD dhe njëherazi, fundin e kryetarokracisë dhe presidencokracisë në Partinë Demokratike; firmosin vendimarrjen me votën e lirë të anëtarëve të kësaj partie.”
“ Kjo është një arritje historike, e panjohur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. Ky është procesi më demokratik që do të qëndrojë gjithnjë në themelet e rithemelimit të PD-së si një forcë e fuqishme konservatore.”
“Por, theksoj këtu gjithashtu se këto demokrate dhe demokratë firmosin sot me votën e tyre opozitën e vërtetë shqiptare, kusht i të gjitha kushteve për një shoqëri të lirë dhe ky është një ogur i bardhë jo vetëm për PD-në, po për mbarë shoqërinë shqiptare.
Vetëm një opozitë e vërtetë mund të qëndrojë përballë një narkoshteti dhe një diktature të çfarëdolloji të bazuar në drogën dhe ideologjinë.
Vetëm një opozitë e vërtetë ka shanset dhe mundësitë për ta ngjitur PD dhe shndërruar në forcë politike. Ndaj,urimet më të përzemërta për demokratët që votuan javën e kaluar dhe votojnë për kryetar e degëve të PD-së. “
Sot votoi në selinë blu, Berisha: Asgjë s’ mund të pengojë Partinë Demokratike!
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka theksuar sot se asgjë nuk mund ta pengojë PD-së në rrugën e saj si forcë e vërtetë opozitare.
I pyetur nga gazetarët “si ndiheni sot që votoni në selinë blu, ndërsa herën e fundit, për referendumin ishit në një ambient lokali?”, ish-Kryeministri u përgjigj:
“Ka një dëshmi kjo, ka një sinjifikancë: asgjë, asgjë nuk mund të pengojë Partinë Demokratike në rrugën e saj si forcë politike e vërtetë opozitare dhe ky zhvillim i saj dëshmon më së miri këtë.”
Deklarata u bë pasi hodhi votën për të zgjedhur kreun e ri të degës nr.2 të PD në Tiranë.
A i druhet rrëzimit të zgjedhjeve nga Apeli? -Berisha: Ky revolucion nuk ndalet nga asgjë!
Një pyetje tjetër drejtuar z. Sali Berisha sot nga gazetarët në selinë e PD-së, as votimit për zgjedhjen e kreut të ri të degës nr.2, ishte: “A i druheni një vendimmarrjeje nga Apeli që rrëzon zgjedhjet që po organizoni dhe mund t’ju nxjerrë nga selia?”
“Asgjë, ky është një revolucion, ju garantoj unë ju, – deklaroi ai. – Ju keni parë këto kohë një lloj rënie të valës por që në të vërtetë nuk ka qenë rënie, por angazhim total i këtyre burrave dhe grave kudo që janë në procesin zgjedhor të PD-së. Por këta sot janë në këmbë dhe të jeni të sigurtë se marshin e tyre të lirë nuk ka dhe nuk mund të ketë forcë që do ta ndalë.
Për sa i përket standartit, një gjykatëse vendosi dje të shkruajë ligjin e shtetit në një akt që tejkalon jashtë çdo imagjinate, në një presion të tmerrshëm ndaj të cilit një njeri që ka minimumin e minimumit të karakterit nuk ia lejon vetes akte të tilla.
Jam I bindur se asgjë dhe asnjë vendim …për arsye se kjo është e qartë si drita e diellit. Është po kjo gjykatëse që nuk ka pranuar ankesën tonë duke vlerësuar më parë se ne nuk ishim palë, por tani ajo shpalli “palë” atë që në mënyrë absolute nuk ishte palë.
Shkroi ligjin, mendoj unë, në aktin më të shëmtuar të CV së saj së pari, por jo vetëm të CV së saj, të shumë…është pak më komplekse. Sidoqoftë, ky revolucion nuk ndalet nga asgjë.”
Ndërhyrjet e Yuri Kim në PD, Berisha: Nuk është kurrë orientim i vendit të madh të lirisë, është akt individual!
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shprehur bindjen e tij sot se ndërhyrja e Ambasadores së SHBA-së Yuri Kim, në proceset e brendshme të Partisë Demokratike është një akt individual dhe jo një orientim i vendit të saj të madh të lirisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I pyetur nga gazetarët sot në selinë e PD-së për këtë ndërhyrje të ambasadores në vendimet që po merr gjykata së fundmi lidhur me drejtimin e PD-së, Berisha tha:
“Nuk besoj se ka pasur një shkelje më të rëndë mbi vlerat, vlerat e lirisë mbi të cilat qëndrojnë SHBA dhe vendet e lira. Nuk besoj kurrë se ky është një orientim, është një parim i vendit të saj të madh të lirisë. Ky është një akt individual për të cilin në mënyrë absolute do të informojmë me hollësi autoritetet e SHBA.” syri.net
Komentet