Kryetari demokrat, Sali Berisha, përshëndeti Kuvendin e të rinjve demokratë, duke thënë disa mesazhe për ta.
“Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtaret e PD-së, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD-së, të rivitalizimit të saj, u shndërruat në vis vitalis të atij revolucioni, që kishte dy qëllime madhore: shpëtimin e PD-së dhe shpëtimin e Shqipërisë.
Ju vini krenarë, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të motivuar në misionin e dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
A do mundeni ju, me energjinë, me guximin, me përkushtimin tuaj, të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit në historinë e ekzistencës tonë kombëtare. A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?
Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik.
Mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës, u përball në vitet ’90 me diktaturën më të egër staliniste, më çnjerëzore, më barbare, me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin, diktatura vriste ata që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.
Megjithatë ata të rinj, të udhëhequr nga bashkëmoshatari juaj Azem Hajdari, i shndërruar në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin.
I imponuan atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë diktaturën komuniste në Shqipëri.
Kjo është trashëgimia, që do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.
Është kjo trashëgimi që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës është revolucion dhe vetëm revolucion.
Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve,” tha Berisha.
Berisha entuziazmon të rinjtë: Ne nuk ndalemi pa realizuar qëllimet tona
Kryetari demokrat, Sali Berisha, entuziazmoi sallën e të rinjve të Forumit Rinor të PD, kur tha se nuk do të ndalen pa realizuar qëllimet.
“Forumi dhe PD prej një viti u angazhuan në një përpjekje të madhe, të ndershme, transparente dhe të sinqertë për të vendosur votën brenda tyre në piedestal. Zhvilluam primaret, zhvilluam referendumet, në mënyrë ëq secili prej jush, të ketë pushtetin dhe dinjitetin e vet. Të vendosë me votën e tij.
Këto nuk i kemi për veten tonë. Ne do bëjmë gjithçka që këto t’ia garantojmë çdo qytetari shqiptar, atij që na do dhe atij që nuk na voton.
Sot në pushtet është një klikë, që urren liritë tuaja. Është një njeri që e ka shndërruar shtetin në një makineri monstruoze të shtypjes dhe rrëmbimit të votës. Në pushtet është një njeri që përdor qindra miliona dollarë tuaj për të blerë votat.
Në pushtet është një njeri që ka krijuar një armatë të kuqe patronazhistësh që terrorizojnë nënat dhe baballarët tuaj.
Në pushtet është një njeri që po bën gjithçka jo për të ardhmen tuaj, por për narkotrafikantët. Kurse ju përpiqet që t’ju largojë me shpejtësi nga vendi.
Nuk ka vend me pasuri si Shqipëria, por ky këto pasuri i ka kthyer në mallkim për ju, prandaj shqiptarët largohen dhe marrin detrat sikur ky vend të ishte një vend i mallkuar. Ky është vend i bekuar, por Edi Rama me këtë klikë, e shndërron në vend të mallkuar ku shqiptarët besojnë se nuk mund të ndërtohet e ardhmja.
Por ju do ia dilni, ne do ia dalim, sepse ne i dalim zot Shqipërisë, ne i besojmë Shqipërisë. Ne jemi gati të luftojmë çdo armik të saj, çdo pushtues të saj, çdo mafie te saj.
Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona,” tha Berisha.
Paralajmërimi/ Berisha-Ramës: Një njeri mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë! Mjerë ti nëse prek votën
Gjatë Kuvendit Kombëtar të FRPD, kryetari demokrat, Sali Berisha kishte një mesazh direkt për kryeministrin Edi Rama.
“Edi Rama, ky frikacak, nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan.
Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë.
Ne do e faktojmë shpejt Edi Rama se kauza jonë do triumfojë.
Se Shqipërinë nuk ta japim kurrë, se lirinë nuk ta japim kurrë, se votën e lirë nuk ta japim kurrë!
Ata që kanë luftuar pushtuesit në histori, i kanë luftuar me moton ja vdekje, ja liri, ne do i luftojmë me moton: jetën e japim, votën nuk ta falim.
Mjerë ti që ke prekur votën tonë!” tha Berisha.
Mesazhi/ Berisha: Tani fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik të shqiptarëve
Kryetari demokrat, Sali Berisha, në mbyllje të fjalimit të tij përpara të rinjve të FRPD-së, tha se tani pritet të nisë faza e dytë e revolucionit.
Ai tha se tani nis përballja me Edi Ramën.
“Ju mbyllni këtë Kuvend të mrekullueshëm, PD mbylli primaret.
Fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Koha në fton: aksion, aksion dhe vetëm aksion.
E keni të qartë se liria na fton: sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë.
Unë jam i bindur se ju e keni të qartë, se çfarëdo të bëjmë ne për Shqipërinë, ajo bën 100 herë më shumë për ne, prandaj ne do i dalim zot asaj.
Ju uroj suksese nga zemra këtij Kuvendi dhe pres me padurim të madh të dalim së bashku në sheshin e betejës në emër të lirive tona, të dinjitetit shqiptar,” tha Berisha.
syri.net
Komentet