Kryetari demokrat, Sali Berisha, vazhdoi akuzat ndaj Ilir Rusmalit duke e quajtur kriminel elektoral. Ai iu referua vendimeve të KAS për Elbasanin.
“Në një seancë që ka vazhduar gjer në 6 të pasdites, provat filmike të pakundërshtueshme janë paraqitur përpara KAS-it, i cili siç del, kryesohet nga një kriminel i vërtetë elektoral.
Pra, një proces antiligjor i faktuar me dokumente zyrtare, të marrë nga kamerat e qendrave të votimit, faktohet se është zhvilluar në shkelje flagrante të ligjit dhe të fshehtësisë së votës, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit.
Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral.
Ju i keni ndjekur ndoshta dje, nga salla e KAS-it, në çdo qendër votimi, gjatë gjithë ditës, operatorët shkelnin ligjin elektoral, kontrollonin votën e zgjedhësve. Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar,” tha Berisha.
Ai premtoi se opozita do vazhdojë analizën e farsës elektorale dhe më pas do ketë protesta.
“Analiza në PD nuk ka filluar sepse siç po konstatoni, ne jemi çdo ditë në analizë të procesit elektoral. Jo çdo gjë është në duart tona. Nuk është në duart tona, materialet që na duhen, janë në duart e institucioneve të shkatërrimit të zgjedhjeve, janë në duar të afateve të gjykatave. Janë një seri procesesh që kërkojnë durim dhe kohë. Por ne do i shkojmë gjer në fund.
Ne sot ju informuam se kemi paraqitur me video se si në Elbasan, në të paktën 70 përqind të qendrave, operatori ka shkatërruar votimin. Me video. Ky është rezultati kur e bën komisionin 7 me 0, kur voton fëmija 10 vjeç.
Me të mbaruar kjo analizë që e kemi detyrim absolut, përndryshe ne bëhemi bashkëfajtorë në farsën elektorale, ne legjitimojmë farsën elektorale. Ne nuk e bëjmë kurrë, nuk pajtohemi.
Në mbyllje të kësaj, do jetë analiza. Me kaq seriozitet do bëjmë edhe analizën në PD dhe do ndërmarrim protestat e fuqishme për rikthimin e votës së lirë,” tha Berisha. syri.net