Lideri historik i PD, Sali Berisha ka mbërritur në Lezhë, për takimin me demokratët, me rastin e 31-vjetorit të rithemelimit të degës së PD-së.
Berisha është pritur si gjithnjë me entuziazëm nga demokratët, të cilat kanë brohoritur njëzëri duke kërkuar largimin e Lulzim Bashës.
Disa herë, të pranishmit kanë deklaruar se Basha i ka injoruar, madje as nuk i ka përshëndetur për 31-vjetorin e degës.
Demokratët i kanë kërkuar Berishës një riorganizim sa më të shpejtë të PD-së. Po ashtu ata kanë uruar që Berisha të jetë kryeministër sa më shpejt.
Ky është takimi i parë në bazë pas protestës së 8 janarit. Berisha do të zhvillojë edhe një takim nesër.
Berisha: Edi Rama dhe Lulzim Brava duan të mbajnë peng pluralizmin
Në 31-vjetorin e themelimit të PD-së së Lezhës, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha deklaroi se vendi është përballë një armiku më të rrezikshëm se diktatori komunist.
Ai tha se Edi Rama dhe pengu i tij duan të mbajnë peng pluralizmin në vend.
“Ne krenohemi sot në një ditë historike, sepse rrënjët e shkuara janë të domosdoshme për t’u njohur dhe nderuar, në mënyrë që e ardhmja të jetë ajo që duam. Ne jemi një parti e traditës, ne nuk heqim dorë nga tradita jonë. Ne e respektojmë atë, ndaj jemi vërtet një parti konservatore. Ne nderojmë rrënjët tona dhe historikun tonë sepse duam të projektojmë të ardhmen tonë më të mirë.
U zgjodha president në vitin 1992 dhe jetoja në Brrakë të Tiranës. Çdo ditë kaloja pranë sheshit Skënderbej. Sheshi ishte i mbushur me të papunë. Ndjeja një keqardhje të jashtëzakonshme. Bashkëshortja ime shkonte çdo ditë në dyqane bosh dhe merrte të shara sistematike nga komunistët për dyqanet bosh.
Në atë kohë ne kishim vetëm besimin tonë të madh te liria. Kishte shumë pak para në xhepa, kishte varfëri, kishte papunësi. Por kishte shpresë. Pse na shërben ne kjo? Ne përsëri kemi shumë mungesa. Demokratët sot janë më të diskriminuarit, më të ndëshkuarit, por ata janë njerëzit më të lirë të vendit. Ne vërtet vuajmë, por jemi më të pasurit në ideale, më të pasurit në atdhetari. Ata besojnë se do ia dalin dhe do ia dalim.
Ne kemi një armik shumë më të rrezikshëm se ai që kishim para vitit 1990. Ai që kishim, ishte një diktator, i cili kishte urdhëruar vrasje politike, por prapë e kuptoi se uragani i lirisë nuk mund të ndalet. Sot jemi përballë një armiku të egër të pluralizmit. Sot jemi i vetmi vend, ku kreu i qeverisë, kreu i Meduzës, mendon se do mbajë peng pluralizmin në Shqipëri. Mendon dhe beson duke marrë peng Lulzim Bravën, do të mund të vazhdojë të shkelmojë mbi të drejtat e shqiptarëve, mbi interesat e shqiptarëve,” tha Berisha.
Berisha: Ja pse Rama na sulmoi më 8 janar me kërkesë të Beogradit
Nga Lezha, lideri historik i PD, Sali Berisha deklaroi se më 8 janar, demokratët u sulmuan me kërkesë të Beogradit.
“8 janari është faqja më e zezë në 30 vite e një qeverie shqiptare. Më 8 janar, Edi Rama faktoi se ai me mënyrat e tij kriminale, ishte autori i vërtetë i pushtimit të shtëpisë sonë, shtëpisë së PD-së.
Nuk është problemi i një zyre, i një ndërtese. Këtu është problemi themelor: i zbatimit të vendimit të shumicës ndaj pakicës. Pa këtë parim nuk ka demokraci. Dhjetëra-mijëra demokratë shkuan për të zbatuar vendimin e tyre. Kuvendi Kombëtar ka votuar se selia e PD është ajo seli dhe ne shkuam të hymë në shtëpinë tonë.
Çfarë ndodhi? Edi Rama rrethoi Lulzim Bravën, pengun e tij, jo vetëm me 8 oficerë garde, me në krye komandantin e rojes së personaliteteve, por Edi Rama i pajisi ata me të gjitha mjetet e dhunës të një policie agresive.
Çfarë ndodhi? E shndërroi selinë e PD në një strofull krimi dhe kriminelësh, të cilët vendin e kishin në qeli dhe vetëm në qeli.
Çfarë ndodhi? Më 8 janar, në një skenar të parapërgatitur, ai vërsuli me kërkesa direkte nga Beogradi, të faktuara, hordhitë e narkobanditëve me uniformë, kundër demorkatëve paqësorë. E them këtë të Beogradit, sepse Baston Stanishiçi është Mugosha i ri në PS dhe në Shqipëri. Mugosha i ri, e ka marrë 6 herë në telefon Edi Ramën, pas urdhrave që i vinin nga Beogradi. Mbro Lul Bravën. Ai nuk e mohoi këtë kur ia përplasën përfaqësuesit tanë,” tha Berisha.
Berisha: Basha, pas kompanive të basteve! Batoni e ndihmoi për…
Nga takimi i Lezhës, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, hodhi akuza të tjera ndaj Lulzim Bashës.
Berisha tha se ai qëndron pas kompanive të basteve. Berisha tha se Baton Haxhiu e ka ndihmuar kur u ndaluan bastet. Sipas liderit historik të PD, kjo tregon edhe njëherë angazhimin e Beogradit në vendin tonë.
“Ka sot një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Ballkani i Hapur është nga Alfa te Omega një projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit nga Tirana në Prishtinë se si përfaqësojnë.
Kur ndodhi vrasja në Bllok, Edi Rama vendos ndalimin e basteve. Të kujt ishin bastet? Ishin të Lul Bravës.
Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin.
Absolutisht. Ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lulzim Basha me emrin e të shoqes.
Pra, e kuptoni ne se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar?” tha Berisha.
Berisha: Selinë e PD e mbajnë peng për kullat! Do bëjmë protesta më të fuqishme se ajo e 8 janarit
Në takimin e zhvilluar në Lezhë, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama dhe Lulzim Basha e mbajnë peng selinë për shkak të projektit të kullave.
Në fjalën e tij, Berisha u zotua se do ketë protesta edhe më të fuqishme se më 8 janar.
“Një lojë e gjerë luhet kundër pluralizmit shqiptar, kundër jush, kundër shqiptarëve.
Qëllimi ynë më 8 janar ishte që të nxirrnim kriminelët nga shtëpia. Natyrisht ta nxirrnim nga zyra pengun e turpshëm, njeriun më të degraduar në historinë politike shqiptare.
Këto ditë doli se gjithë ai sulm ndaj selisë, ndaj demokratëve, gjithë ato mijëra bombola gazi e helmesh toksike, pluhurash toksike, të përgatitura nga trafikantë dhe vrasës në seli, kishin si qëllim, përsëri vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen. Mos e harroni këtë.
Doli parku i katër hajdutëve, që duhej ndërtuar te selia e PD-së. Hajdut Ramës, hajdut Bravës, hajdut Fushës dhe hajdut Velisë. Parkun e kishin emëruar si parku i katër lirive, kur ai ishte parku i katër hajdutëve. Ky është shkaku pse Edi Rama kërkon të mbajë peng shtëpinë tonë, shtëpinë e lirisë, shtëpinë e demokratëve,” tha Berisha.
“Duhet të jemi të gatshëm për protesta më të fuqishme se ajo e 8 janarit. Axhenda jonë është liria dhe vetëm liria,” vijoi më tej ai.
Dhunë nga demokratët? Berisha tregon rastin e lezhjanit: Vetë ishte në seli, vëllai e motra në protestë krah meje
Berisha u ndal tek situata në selinë blu, ku theksoi se Edi Rama nëpërmjet Lulzim Bashës ka marrë peng sot opozitën, me një qëllim asgjesimin e pluralizmit dhe largimin e shqiptarëve nga vendit.
“8 janari është faqja më e zezë e një qeverie shqiptare, më 8 janar Edi Rama faktoi se ai në mënyrat e tij kriminale ishte autori i vërtetë i pushtimit të shtëpisë tonë, të selisë së Partisë Demokratike. Nuk është problem i një ndërtese, këtu është problem themelor i zbatimit të vendimit të shumicës ndaj pakicës, ju votuat, pa këtë parim nuk ka demokraci, shkuan për të zbatuar vendimin e tyre”, tha Berisha.
Akuzave se demokratët kishin shkuar në seli për akte dhune, Berisha iu përgjigj me rastin e një demokrati nga Lezha, ku vëllai dhe motrat e tij ishin në protestë, ndërsa ai ndodhej brenda në seli.
Demokratët nuk shkuan për të dhunuar vëllezërit dhe motrat, tha Berisha.
“I them Marselit, i cili është një nga demokratët më të vjetër, Marsel në krah timin ishte motra dhe vëllai jot. Çfarë mendon ti, se këta do të vinin të të lëndonin ty? Jo Marcel, ishe në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar”, deklaroi Berisha, duke shtuar se demokratët protestuan për hapjen e dyerve të shtëpive të tyre.
Komentet