Ish-kryeministri Sali Berisha u ndal në Foltoren e Shkodrës edhe te manipulimi i votave më 25 prill. Berisha tha se PD i humbi zgjedhjet, por nuk arriti të dokumentojë dhe ta ngrejë këtë problem te ndërkombëtarët.
Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë kundër komisionit hetimor të propozuar nga opozita për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat ajo i quan një masakër elektorale.
Sipas Berisha, opozita duhet t’i denonconte parregullsitë e zgjedhjeve në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare, ndërsa propozimin për komision parlamentar e konsideroi si lëvizje për të gënjyer njerëzit.
“Ish-kryetari i PD-së doli dhe foli për masakrën zgjedhore, personalisht ua them Edi Rama abuzoi me votën më shumë se 30 vite, por ua them prapë me bindjen më të thellë, zgjedhjet nuk i fitoi PD. Në darkën e 25 prillit, dolën sondazhe, çfarë tregonin, vetëm 19% e atyre që kishin votuar PD-në, kishin votuar Bashën. Ishim pa udhëheqje.
Të nesërmen më erdhi njeriu i tij më i afërt, më tha çfarë thua me këtë. I tregova videon në të cilën dilte se vetëm 19% e votuesve kanë votuar për kryetarin e partisë. I kisha thënë në mënyrë të përsëritur, mos e bazoni fushatën tek kryetari. Natyrisht ia thanë atij, që ai na tha se ky ishte shkaku dhe ai ishte shkaku. Pas kësaj zotëria deklaroi masakrën zgjedhore. E thirra i them shiko, është detyra më jetike që ne t’ua faktojmë komuniteti ndërkombëtar”.
“Tani del dhe thotë po krijoj komision hetimor. Po çfarë komisioni, për të gënjyer njerëzit? Për çfarë duhet? Ti duhet të shkojë në OSBE, BE, kancelari të thoje si i mori zgjedhjet. Tani që ke nisur negociatat me të po i bën furça atij. Ndaj ky fenomen është fund e krye tradhti ndaj jush dhe ndaj shqiptarëve. Në mbrojtje të peng-kryetarit është vërsulur propaganda e qeverisë. Përpiqen të paraqesin variante, por e vërteta është se pengu është i pashpresë”, deklaroi Berisha.
Gjatë foltores me demokratët e Shkodrës, ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar një episod të largët nga zgjedhjet e vitit 2001. Berisha thotë se 20 vite më parë një demokrat e kapi ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi duke i dorëzuar një qese të madhe një vëzhguesi, dhe i tha që po të hapte gojën në zgjedhje do t’i dilnin të gjitha fotot. Sipas Berishës, duke ndërmarrë veprime ndërkombëtare u arrit që të shprehej Parlamenti Evropian kundër qeverisë së Fatos Nanos.
“Në 2001 na ndodhi një gjë e tillë, nuk e kishim klimën në favor. Një demokrat kapi në një klub Fatos Klosin duke dorëzuar një qese të madhe, një vëzhguesi, po edhe unë i çoj fjalë, i them, ose ti je agjent i Klosit ose i korruptuari i Klosit, po e çele gojën për këto zgjedhje ta dish mirë që të gjitha fotot do të dalin. Në fakt po. Dhe ndërmorëm me të drejtë një veprim ndërkombëtar me dokumenta. Çfarë arritëm? Arritëm që Parlamenti Europian të shprehej se Parlamenti i Shqipërisë nuk shpreh vullnetin e popullit shqiptar. U vunë sanksione ndaj Fatos Nanos”, tha Berisha.
Nga Foltorja e Shkodrës, Sali Berisha iu përgjigj interesimit të shumë qytetarëve se përse ai e solli Lulzim Bashën në krye të PD. Berisha e mohoi këtë gjë.
“Nuk e kam sjellë unë. Unë dhashë dorëheqjen. Humba zgjedhjet, i thashë vetes sime, shqiptarët zgjodhën një kontratë tjetër, jo kontratën që paraqita unë. Tani hape rrugën të vijnë të tjerë. Unë e mbylla kapitullin tim.
Atë verë, pas 26 qershorit janë paraqitur vetëm dy vetë për të kandiduar, Lulzim Basha dhe i ndjeri Sokol Olldashi. Nuk i kam kërkuar në mënyrë absolute që të kandidojë askujt. Ai fitoi garën për faktin se ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kishte këtë avantazh,” tha Berisha.
“Përgjegjësia ime qëndron në mbështetjen publike që i kam dhënë atij. Nuk e mohoj këtë. Në zyrën time, Lulzim Bashës i kam thënë çdo gjë që keni pasur ju, mosaprovimet tuaja. Pa hezitim. I kam kërkuar dorëheqje në vitin 2017, më tha nuk e jap,” tha Berisha.
Sipas tij, PD duhet t’i rikthehet profilit të saj si parti konservatore.
“Ka një filozofi kjo parti. Dhe kjo parti ka dinjitetin njerëzor, dinjitetin kombëtar. Kjo parti u gjend në një moment të paimagjinueshëm. Kur u kërkua që një anëtar i saj të mos hyjë në parlament. Kryetar mori vendim pa pyetur asnjë forum. Faktikisht kryetari shkelmoi sovranitetin e partisë. Sovraniteti është që të shprehësh lirshëm mendimet tua dhe t’i çosh në votim ato. Askush nuk mund të të diktojë ty. Një parti që nuk është sovrane nuk fiton kurrë zgjedhjet. Dinjiteti njerëzor është dinjitet. Por nëse na nëpërkëmb në këtë mënyrë, faktikisht ke shpallur armiqësi, sepse njerëzit e lirë nuk e durojnë këtë kurrë”.
“Nga lufta largohet veç ai largohet”, deklaroi lideri historik demokrat Sali Berisha nga Shkodra, ku u prit me brohoritje.
“Vendosa të kthehem, të vazhdoj me fuqi të shumëfishuar mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e interesit kombëtar. Ky ishte një motiv po kaq i madh, po kaq i rëndësishëm për të bërë gjithçka bashkë me ju, për të ngritur në këmbë PD-në, për ta çuar atë drejt fitores,” tha Berisha.
“Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka së bashku. Së pari, që ju të zgjidhni njerëzit që u besoni më shumë. Do bëjmë gjithçka që vota juaj të dalë në dritën e diellit. Të mos lozë kush me votën tuaj.
Kur Lulzim Basha kandidoi për kryetar bashkie, doli problemi i votave të hedhura gabim në kutitë e tjera. Por ato në çdo kod ndërkombëtar ato janë pranuar si vota të vlefshme. Më erdhën një përfaqësi e lartë e më thanë të ndërpresim numërimin. U thashë se kur shqiptarët të mos mund të numërojnë votën e tyre, nuk ka më pavarësi. Të paktën sa të jem unë këtu, u thashë. Do numërojnë votat me pesë kamera. Dhe të dalë kush të thotë se njëra është e pavlefshme. Votat u numëruan dhe nuk më shkoi mendja që të luaja me votën e lirë.
Prandaj do kthej votën e lirë. Do hapemi me emigracionin dhe diasporën. Do strukturohemi me shtyllat tona pa asnjë diskutim. Në piedestal të përndjekurit, pronarët dhe të gjitha vlerat tjera të shoqërisë. Do ngrihemi në këmbë dhe do ecim të sigurt të fitores.
Lumenjtë e gënjeshtrave të Edi Ramës do i shkrijmë si brymën para diellit. Do të ngjallim shpresë në çdo zemër dhe vatër shqiptare. Por kjo kërkon nga të gjithë që t’i themi vetes çdo ditë: të ndryshojë, të ndryshojë, të ndryshojë.
Fillimi ynë i ri është rruga drejt fitores,” tha Berisha.
Komentet