TIRANE- Seanca e sotme e Kuvendit ka në rend dite diskutimin e dy projektligjeve, “Për kontrollin kufitar” dhe marrëveshjen me Qeverinë e SHBA-së “Për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit”, por u përfshi nga debatet për çështjet e nxehta të aktualitetit.
Grabitja e rëndë në aeroportin e Rinasit ngjalli debate që në nisje të seancës, ndërsa pritet që të tilla të ketë edhe për Reformën në drejtësi, propozimi i ri i opozitës në lidhje me të.
BERISHA: U GRABITËN TË PAKTËN 20 MLN EURO
Ish-kryeminsitri Sali Berisha akuzoi nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Edi Rama si përgjegjës të grabitjes në aeroportin e Rinasit. Berisha tha se Rama është kreu i meduzës së krimit dhe se kompania e avokatit të tij ka fituar tenderë duke dhënë para.
“Maxhoranca me vellon e turpit që ulet sot në këtë sallë nuk mund të dilte në skeptrin e parlamentit ndaj dhe ia lëshoi opozitës. Me këtë rast dua t’i garantoj se ulen si këtu si një maxhorancë unike në botë. E dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar. Pse ndodh, pse çdo javë kemi të paktën një ngjarje madhore të krimit sepse kreu juaj është kreu i meduzës së krimit. E ka shndërruar Shqipërinë në proktetoratin e krimit. Ndjehen zotër të territorit të këtij vendi. Ajo që ndodhi në aeroportin shqiptar, është një akt i mirëfilltë terrorizmi jo ndaj personave por një grabitje e stilit terrorist. Shqiptarët pas kësaj ngjarje mësuan se nuk keni asnjë përgjegjësi për aeroportin. A ka turp më të madh?! Nëse ka një pikë kufiri më nevralgjike, më strategjike ky është aeroporti. Ju menjëherë latë duart, ‘nuk kemi përgjegjësi ne, por ka përgjegjësi kompania e avokatit të kreut tuaj’. Fati i shqiptarëve, siguria e aeroportit varej nga avokati i Edi Ramës. Nën 20 milion euro avionët nuk pranojnë të transportojnë. Janë nisur 115 kilogramë, janë rrëmbyer mirë e bukur, qetë e qetë 85 kg. Janë rrëmbyer të paktën 20 mln euro. Nuk është vepër e një bande ordinere, është vepër e një bande zyrtarësh”, deklaroi Berisha.
Ai tha se deklarata për 1 mln euro të vjedhura është mashtrim dhe ky sipas tij është një akt edhe më i shëmtuar. Po kështu Berisha deklaroi se politikanët dhe bankat nuk humbin nga kjo grabitje, pasi ato janë para të shqiptarëve.
“Iu thatë shqiptarëve u vodhën 1 mln, iu thatë shqiptarëve se s’keni punë me aeroportin. Por shqiptarët shohin se vjedhjet më të mëdha ndodhin nën kompanitë e partisë. Gjici famoz ka fituar 20 tendera në rojë. Pas tij vjen Nazeri, kompania e avokatit të Edi Ramës.
Një nga kompanitë kryesore të fitores së të gjitha tenderëve tuaj. Ju peshon në kandar, ju peshon në euro ndaj i fiton të gjitha tenderët. Deklaroni një shumë falso. Është një akt edhe më i shëmtuar. Atyre që jua vjedhin, ja vratë barkun. Ato janë kursimet tuaja. Mos kujtoni se ata u dobësuan, ata i kanë të siguruara ndaj vjedhin bashkërisht”, tha Berisha.
Nga ana tjetër Berisha akuzoi maxhorancën se është kthyer në një makineri babëzie. Teksa u ndal tek disa projekte për ndërtimin e disa akseve rrugore, Berisha tha se ‘Lungo Mare’ është kthyer në ‘Lungo mundime’.
“Jeni shndërruar në një makineri babëzie të pashembullt ndoshta në historinë e njerëzimit. Dje mediat ndërkombëtare ju denonconte se keni blerë një kosh plehrash 1 milion e 55 mijë lekë të reja. 100 kosha plehrash që keni vendosur në park keni harxhuar miliona euro. A e kuptoni o qytetarë që pse nuk ju rriten rrogat? E vërteta është se xhepat tuaj varfërohen çdo ditë e më shumë. Koshi firmato për të mashtruar vjedhjet. Duhet të ishte Dolce Gabana, apo Versaçe. Vetëm koshat dhe llambat janë 12 milionë euro. Po kush e bën këtë standard? Ky është Eftimiu. Një ditë po dëgjoja një debat midis koalicionit për fondet për rrugë. Po ku ka fonde për rrugë? Të gjitha i vidhni. Shko o zoti Pandeli e më thuaj një fjalë. Si ka mundësi që s’ka përfunduar për 3 vite rruga Lin-Pogradec. Kur ne e kemi dorëzuar trasenë e shtrirë. Si ka mundësi që ti bëhet ajo që ju bë Vlorës, projekti Lungo Mare u bë Lungo-mundim. Për të dalë nga Vlora deri në Radhimë, sot do 45 minuta. I kanë goditur Vlorës në mënyrë fatale turizmin. Çfarë bëtë me rrugën e Arbrit? Ku e keni? Mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë bëtë me Bay-passin e Fierit o deputetë të Fierit?”, tha Berisha.
BOÇI: GRABITJA NË RINAS MEGASKANDAL, POLICIA DËSHTOI
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e cilësoi një megaskandal ngjarjen e ndodhur në Rinas ku u grabitën rreth 1 milion euro. Sipas Boçit me grabitjen u cënua siguria kombëtare e vendit. “Përballja me terrorizimin, i çfarëdolloj ngjyre të jetë ai mbetet një nga sfidat kryesore në përpjekën e tyre për rritjen e sigurisë së qytetarëve. Vendi ynë ka qenë i angazhuar në plotësimin e marrëveshjeve. A ka sot një angazhim real konkret që merren me parandalimin dhe luftën me terrorizimin. A është sot Shqipëri asnjë vend i sigurt. Tek kthehemi tek ngjarja në Rinas, do thoja se ky realitet merr formë tjetër. Është për të ardhur keq për këto fakte dhe ndaj realitetit për luftën ndaj terrorizimit. Atë ditë nuk u grabitën vetëm miliona euro, policia duhet të merret në mënyrë të posaçme, por ishte siguria e milionave njerëz. Ky ishte një megasdakndal i vërtetë, pasi tek e fundit kjo qeverisje ka falimentuar. I ka shqyer kufijtë e Shqipërisë. Këtu hyn e del kujt ti dojë qejfi, edhe derri edhe dosa”, tha Boçi.
Nga ana tjetër, Boçi tregoi një foto nga Kuvend, ku sipas tij ishte një punonjës i sigurimit që flinte gjumë në makinën e policisë, në kohën kur ishte në shërbim, ditën kur ndodhi grabitja në Rinas. “Në kohën e shërbimit punonjësi i Aeroportit ka qenë në gjumë. Foto është fiksuar ditën e ngjarjes. Ky është simboli i policisë, kjo është e vërteta. Duhet të kishte ndodhur një tërmet i vërtet, por asgjë s’ka ndodhur në këtë parlament”, tha Boçi.
NDREU: AGRESIONI NDAJ POLICISË I PASHEMBULLT, JAPIN MEND ATA QË BËNIN EKSPERIMENTE
Teksa po diskutohej pr.ligji për terrorizmin, deputeti i PS-së Pjerin Ndreu e ndali vëmendjen tek aktualiteti, ku e vlerësoi si të rëndë grabitjen në Rinas.
Duke iu drejtuar opozitës, Ndreu tha se nuk mund të fajësojnë policinë e shtetit për çdo gjë që ndodh.
“Rëndësia që kanë ngjarjet e terrorizmit është e madhe. Prioritet mbetet lufta ndaj tij.
Por nuk mund t;i shmangem çështjes në Rinas, them që është e rëndë por duhet të mos ndodhte, fakti që ndodhi nuk i bën mirë aspak imazhit të rendit e sigurisë. Ne si parlamentarë s’mund të flasim pa lidhje, të ngremë furtuna që s’kanë lidhje me ngjarjen dhe fajtorët e ngjarjes, përgjegjësit e saj. Si ish-oficer policie po them që politika të ndërgjegjësohet se ka kusure të rënda në organizimin e policisë së shtetit ajo është nën tutelën e politikës. Është një problematikë që e ka mbyt policinë, se është e implikuar se duhet ta kapte autorin, janë histori që se di ku merren, është njësoj sikur të dal unë e të flas për mjekësinë. I bëj thirrje kolegëve të mos e anatemojnë më policinë që ka prodhuar aq të mira për këtë vend. I pashembullt agresioni, është trupa që janë bërë eksperimentet më të pashembullta me marangozë, zejtarë, është eksperimentuar në mënyrën më të pashembullt. Gatuesit e këtyre eksperimenteve vijnë këtu dhe të japin mend. Policia është aq e aftë sa nuk ua merr mendja. Zinxhiri i përgjegjësive nuk fillon tek policia, hedhin helm në vend që të japin zgjidhje”.
FERRCAKU: UNË DHE PKD JAPIM VOTËN PRO REFORMËS NË DREJTËSI
Deputetja e PDK-së, Mirela Ferracaku mori fjalën sot në seancën parlamentare për të shprehur votën e saj pro reformës në drejtësi.
“Në këto muaj më shumë se sa politikë kam mësuar si të përdridhesh dhe si të bësh intriga. Por askush s’mund të flasë në emrin tim. Qëndrimi im dhe i Partisë Kristian Demokrate është të mbështesim pa asnjë kusht draftin e reformës në drejtësi”.
Komentet