Kryetari demokrat, Sali Berisha, insistoi sot sërish se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.
“Edi Rama nuk e pranon votën e diasporës dhe emigracionit. Nuk e pranoi në vitin 2013. Jam i sigurt se ai nuk e pranon, prandaj teza është se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, nuk duhet të jemi iluzivë.
Forma e vetme me të cilën mund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, është ajo formë e përdorur nga të gjitha vendet kundër monizmit dhe ajo është lëvizja paqësore, demokratike gjer në realizimin e qëllimit të saj. Kjo është bindja ime më e thellë.
Pa këtë lëvizje, pa mosbindjen civile, si element të shenjtë të kësaj lëvizje, këtu zgjedhje dhe votime nuk ka,” tha Berisha.
“Asnjë formë bashkëpunimi me Edi Ramën nuk do pranoja, përveç ndryshimit të ligjit elektoral, të cilën ai nuk e pranon,” shtoi kryetari demokrat.
“Kjo situatë ka një nga shkaqet më kryesore të mafies së George Soros, Edi Ramën dhe McGonigal dhe të tjerë. Ne do përpiqemi dhe do mbajmë lidhje dhe do forcojmë lidhje me të gjithë ata që janë për votën e lirë, që janë për një opozitë solide dhe sovrane. Koha punon për ne,” tha Berisha.
“Të mendosh se mund të ndalosh Edi Ramën pa dhunuar pa bërë të njëjtën gjë, mendon të pamundurën. Me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka!
Edhe në fillim të kësaj fushate unë jam shprehur publikisht, por ai dyfishoi dhe kaloi në blerje të hapur të zgjedhjeve. Shpërndau para buxheti në xhepat e 870 mijë shqiptarëve, që nuk mund ta bëjë kurrë në kohë zgjedhjesh, duke e shpallur Kodin Zgjedhor një kinezëri.
Prandaj, zgjedhjet e lira dhe votën do e kthejnë vetëm ata që betohen të përballen me këtë monstër të votës së lirë të shqiptarëve”. syri.net