Koalicioni opozitar ‘Shtëpia e Lirisë’ prezantoi këtë të shtunë kandidatin për kryetar bashkie, Bardh Spahia.
I pranishëm në takimin me demokratët shkodranë, lideri historik i PD, Sali Berisha kërkoi votat për opozitën dhe kandidatët e saj në zgjedhjet e 6 marsit.
Berisha tha se Shkodra qëndroi në anën e duhur të historisë edhe kur PD gaboi dhe Lulzim Basha e dorëzoi në 2019.
Shkodra në 6 mars, vijoi Berisha, do të votojë edhe për largimin e qeverisë më të korruptuar që ka patur vendi.
“Në këto 30 vite Shkodra nuk gaboi. Edhe kur gaboi PD, qyteti qëndroi në anën e drejtë që duhet të qëndronte. Në këto 30 vite, kur Lulzim Brava e dorëzoi në 2019 Shkodrën, e mbajti Voltana Ademi dhe qëndroi e pamposhtur. Detyrimet tona ndaj jush janë të pakufijshme, ndaj dhe ju ftoj që të vazhdojmë këtë udhëtim së bashku në një moment kritik.
E vërteta është ndofta në momentin më kritik të këtyre 30 viteve, sepse sot këto zgjedhje nuk zhvillohen njëlloj siç duhet të zhvilloheshin ku opozita përballej me qeverinë. Këto zgjedhje zhvillohen sot në një qeveri e cila bazohet tërësisht mbi krimin, drogën, vjedhjen dhe korrupsionin. Mbi një qeveri e cila duke shkelur çdo parim demokratik, merr peng pluralizimin dhe mendon se në këtë mënyrë do të zgjatë jetën e regjimit.
Por ja ku jemi këtu, në Shkodër, më e vendosur se kurrë, me opozitën e vërtetë të mbrojë me votën e saj të lirë pluralizimin politik jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë.
Në këto zgjedhje ju votoni për kryetarin e ri të bashkisë, por votoni edhe për të përcjellur, për t’i prerë biletën sa më shpejt kryetarit të Meduzës në Tiranë, Edvin Ramës. I cili ka përdorur çdo mjet dhe degradoi te zgjedhjet me tritol dhe me drogë. Ka bërë çdo gjë për të shkelmuar votën tuaj dhe të shqiptarëve në tërësi.
Armik i egër i Shkodrës dhe kjo vetëm e vetëm si hakmarrje primitive atërore. Nuk mund të pajtohet ai kurrë me qëndrimin e Shkodrës dhe shkodranëve ndaj komunizmit, regjimit të etërve të tij. E diskriminoi, i ndërpreu të gjitha investimet, bëri gjithçka por nuk e mposhti dot. Unë jam i bindur se në 6 mars Shkodra do të ngadhënjejë mbi të keqen, mbi të shkuarën, do të votojë birin e saj, qytetarin e saj, intelektualin, mjekun Bardh Spahia.
Bardh Spahia mishëron vlerat më të mira të mëkuara nga ky qyteti bekuar, mishëron trashëgiminë e shkëlqyer të familjes dhe të atit të tij që ishte një intelektual vigan dhe i pamposhtur. I bënte nder Shkodrës, Shqipërisë dhe kombit me karakterin e tij, me dijenitë e tij, me qëndrimet e tij.
Shkodra është djepi i mendimit shqiptar, i idealeve demokratike, i sakrificave të jashtëzakonshme për këto ideale. Ndaj kam bindjen se 6 marsi do të jetë festa e fitores së shtëpisë së lirisë. E fitores së Bardh Spahisë, e fitores së çdo qytetari, të çdo banori qytetar i Shkodrës dhe çdo banori të këtij rrethi”, u shpreh Berisha.
Berisha në Shkodër, mesazh kandidates së PS: Bëre gabimin më të madh… Ke kohë të mendohesh
Nga Shkodra, lideri historik i PD, Sali Berisha kishte një mesazh për kandidaten socialiste, Majlinda Angoni.
Berisha tha se Angoni bëri gabimin më të madh duke pranuar të përfaqësojë Edi Ramën në këtë qytet të mrekullueshëm.
“Nuk kam ndonjë fjalë personale për shoqen Angoni, por dua t’i them se ke bërë gabimin më të madh të përfaqësosh Edi Ramën në këtë bashki të mrekullueshme.
Nuk të takonte, as si Juban, as si Angon të përfaqësosh një njeri që s’ka asnjë vlerë, një njeri që urren Shkodrën, që po zbras Shqipërinë dhe Shkodrën nga rinia, që po thellon varfërinë, që grabit me klikën e tij çdo ditë qytetarët shqiptarë.
Ke kohë të mendohesh”, u shpreh Berisha.
‘Mos u bëj shoku Xhemal’/ Berisha ngre në këmbë shkodranët, thirrje kandidatit të Bashës: Lëre këtë fushatë!
Nga kryeqendra e veriut ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të Shkodrës, Bardh Spahia, lideri historik i PD, Sali Berisha iu drejtua kandidatit të Lulzim Bashës, Xhemal Bushatit, duke e këshilluar që ta ndërpresë fushatën.
Berisha tha se Bushati nuk mori pjesë në primaret e demokratëve, por ‘përfaqëson në këto zgjedhje atë që shkelmon çdo ditë mbi veten e tij’.
Duke ngritur në këmbë të pranishmit në pedonalen para bashkisë Shkodër, Berisha i kërkoi kandidatit të Bashës që të mos bëhet si “shoku Xhemal” (shkëputur nga komedia Kunati i shokut Xhemal) por të lërë fushatën dhe të bëjë disa ditë pushime.
“Për Xhemalin e kam një fjalë. Xhemal, ti ishe njëri midis nesh, se unë nuk mohoj asgjë.
Po të doje, merrje pjesë në primare dhe të garantoj se do të kishe respektin tonë të plotë. Nuk e zgjodhe këtë, por zgjodhe që të përfaqësosh atë që shkelmon çdo ditë mbi vete e tij, Lul Bravën.
I nderuar zoti Xhemal, mos u bëj shoku Xhemal, kaq. Kaq kam për ty unë. Ndaj dhe lere këtë fushatë, bëj ca ditë pushim dhe eja kur të mbarojmë fushatën të takohemi sërish, se gabime bëjnë të gjithë.
Ju ftoj të shndërrojmë 6 marsin në ditën e ngadhnjimit, të triumfit të idealeve tuaja”, u shpreh Berisha. syri.net
Komentet