“Berisha nuk mund t’i dali asaj përgjegjësie, sepse ka ‘bashkëqeverisur’ me Bashën për këto 4 vite”.
Aleati i Lulzim Bashës, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi teksa komentoi sot situatën politike brenda PD-së tha se një pjesë e përgjegjësisë për hartimin e listave e kishte edhe ish-lideri Sali Berisha.
I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ të gazetares Nisida Tufa në “News24” Shehi tha:
“Zoti Berisha i ka të drejta komentet për listat. Por është në moment të vonuar. Berisha nuk mund të dali asaj përgjegjësie, sepse ka ‘bashkëqeverisur’ me Bashën për këto 4 vite. Ai duhet t’i hapte këto debate dhe të bëhej pjesë e këtij debati. E quaj konsenguencë të një morali të gabuar që kryetari merr dhe vendos çdo gjë. Këtë gjë e bëri edhe Berisha, por ai kishte qëndruar në pushtet më gjatë. Basha ka përdorur të njëjtin model, por pa pasur armët e Berishës dhe ka krijuar kontradiksion. Kur erdhën europianët që të hynim në zgjedhje, miqtë tanë të vjetër na ofruan një marrëveshje më të mirë sesa ajo e Bashës me Ramën. Dhe PD, Basha dhe Berisha bënë një gabim të madh, i humbën nja 10 % të PD. Mendoj se Berisha duhet të reagonte. Ne reaguam disa herë njëherazi, por ne s’kemi peshën e tyre. I ramë me shkelm marrëveshjes me ndërkombëtarët dhe humbëm zgjedhjet me marrëveshjen me Ramën. Mirë se të vijë dhe zoti Berisha me kritikat e veta, është në shtëpinë e vet. Ai ka të drejtë t’i thotë të gjitha. Por nuk shmanget njeri nga përgjegjësia”, – tha Shehi.
Teksa u ndal tek debati në kryesinë e PD-së mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit, Shehi tha se ka ardhur dita që partia të hapet, të bëhet e debatueshme dhe të ringrejë institucionet.
“I përkasin një partie tjetër dhe s’do ishte korrekte që t’i komentoja. Meqë kemi hipur në një barkë opozitare dhe ndajmë të njëjtat përgjegjësi, gjykoj se na lind e drejta që të flasim. PD është e madhe dhe ka flamurin dhe timonin e kësaj barke. Unë gjykoj se në ndryshim nga të tjerët që e kanë traumatizuar, se po ndodh kulmi botës, për herë të parë po ndodh një debat brenda PD. Ndaj them se duhet të shpërthejë. Ne të gjithë kemi rrjedhur nga kjo lloj politike. Ka ardhur dita që partia të hapet, të bëhet e debatueshme dhe të ringrejë institucionet. PD ka bërë një kryesi që janë 50 vet, që s’ka kryesi. Nuk mund të marrin 50 vet vendime, duhen një grup më i vogël njerëzish. Merr kot garrum dhe futi në kryesi dhe s’prodhojnë produktivitet”, tha Dashamir Shehi.
Komentet