Lideri historik i demokratëve Sali Berisha deklaroi se Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj janë angazhuar në mënyrë të turpshme në manipulimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. I ftuar në Çim Peka Live, zoti Berisha tha se shumica e deputetëve njohin Kuvendin e 11 Dhjetorit dhe rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 6 marsit dhe shprehu bindjen se me deputetët do të gjendet gjuha e përbashkët. Berisha tha se baza e Partisë Demokratike po shkon drejt bashkimit. Ish-kryeministri u ktheu përgjigje edhe thirrjeve të Ramës për hetimin e tij nga SPAK-u.
– Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi gjatë emisionit ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv se ish-kryetari Lulzim basha dhe Enkelejd Alibeaj janë angazhuar në manipulimin e grupit parlamentar demokrat. Berisha tha se Basha e Alibeaj po bëjnë gjithçka për krijimin e partisë së tyre.
Duke u nisur nga leximi i emrave të 32 deputetëve nga Enkelejd Alibeaj, Berisha e akuzoi atë për manipulim të vullnetit të deputetëve dhe theksoi se shumica e grupit parlamentar demokrat njeh Kuvendin e 11 dhjetorit dhe zgjedhjet e 6 marsit.
“Janë angazhuar në një proces të turpshëm manipulimi të grupit parlamentar. Kjo është 100% e sigurt. Duke u angazhuar në këtë proces ata i lejuan vetes të vazhdojë qëndrimin e mosnjohjes së Kuvendit të 11 Dhjetorit. këtu fillon çdo gjë. Basha dhe Alibeaj bëjnë gjithçka që edhe tani nëpërmjet Ramës të hedhin poshtë Kuvendin e 11 Dhjetorit, votimin e 6 marsit. Që këtu besoj se ata bëjnë gjithçka për të krijuar partinë e tyre“, tha Berisha.
Duke folur për zgjedhjet në degët e partise që po zhvillohen me parimin një anëtar një votë, Berisha tha se asnjë prej kandidatëve nuk është miratuar nga kryetari apo kryesia por vetëm nga anëtarësia e Partisë Demokratike duke përcaktuar kështu fundin e kryetarokracisë në PD.
“Çfarë kemi premtuar ne? Ne kemi përcaktuar fundin e kryetarokracisë dhe kryesiokracisë. Kemi premtuar vendosjen në themel të partisë së themeluar votën e anëtarësisë, votën e lirë. Në një hap të paparë gjer sot në Shqipëri, zgjedhjet e 6 marsit u organizuan me kandidatë që vetëkandiduan, morën miratimin e anëtarësisë dhe dolën e garuan. Është një rithememelim kjo. Jo vetëm të organizimit, por të të gjithë vlerave të partisë, fundin e kryetarokracisë”.
Berisha tha se pavarësisht problemeve, baza e demokratëve po shkon drejt bashkimit të vërtetë. Ish-kryeministri Berisha reagoi edhe ndaj deklaratave të Taulant Ballës, në lidhje me negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Kreu i grupit të PS tha se nuk do merremi me Foltoren por me Alibeaj. Kjo nuk më lëndoi, por më nderoi. Do qëndrojmë opozitë e vërtetë”.
Ish-Kryeministri Berisha e cilësoi Edi Ramen si kreun e një organizate kriminale, referuar aferës së inceneratorëve ku siç tha ai, nga kryeministri deri te vartësit kanë fimosur për të vjedhur bashkërisht mbi 430 milionë euro.
Ai iu përgjigj edhe thirrjeve të Edi Ramës në Kongresin e Partisë Socialiste që SPAK të hetonte Sali Berishën.
“Nuk njoh asnjë parashkrim, por kërkesa e Ramës ‘skape’ Berishën, faktoi atë që kam thënë që ajo është SPAK-u i partisë. Rama e faktoi para shqiptarëve dhe botës. Ai ndahet keq dhe humbet kontrollin dhe i thote SPAK-ut ‘skape’ Berishën”.
Ish-kryeministri Berisha tha se afera e inceneratorëve nuk është e vetmja pasi, siç u shpreh ai, ka afera të tjera me potencial edhe më të madh.
Berisha: Ja çfarë e provon se PD-ja s’do të shuhet
Lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në emisionin ‘Çim Peka Live’ se Partia Demokratike do ta kalojë këtë tronditje dhe do të pasurohet me hapjen e saj.
Sipas Berishës edhe pse u përfol se PD-ja do të shuhet pas humbjes së fundit në zgjedhjet e 25 prillit, 620 mijë votues qëndronin prej idealeve të kësaj partie.
Sali Berisha theksoi se do të ketë një gjeneratë të re politikanësh që nuk mund të pengohen për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur Lulzim Basha.
“Kjo parti po kalonte nga humbja në humbje. Analizën e tyre e merrja shumë serioze. Kishte një fakt tjetër që ishin 620 mijë votues.
Pra, të gjitha këto ishin dy gjëra të cilat dhe për të cilat unë po rri dhe mendoj gjatë e jo pak, çfarë fati do kemi.
Një gjë më bën të mos besoj në shuarjen. Kjo tërësi votuesish, 620 mijë, e dija që kryetari i tyre ishte vetëm 19 për qind e tyre, ishte tërësia e idealeve që i mbante këta.
6 marsi në kundërshtim me çdo gjë, logoja e partisë time zbriti në zhdukje, në 13 për qind.
Nëse unë më 11 dhjetor thoja do krijoj partinë konservatore të Shqipërisë, a nuk do ishte zhdukje e PD-së?
Besoj se PD do ta kalojë këtë tronditje, së dyti do pasurohet me hapjen e saj, flukse të reja.
Do ketë një gjeneratë të re politikanësh e cila nuk mund të penalizohet për shkak të qëndrimeve të Lulzim Bashës.”-deklaroi Berisha në Syri Tv.
‘Rama solli bandat’/ Berisha: Në 21 janar isha në zyrën time, jo në drejtimin e Ministrisë së Brendshme
Në Çim Peka Live në SYRI TV, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, duke theksuar se ishte në mbrojtje të flamurit dhe zyrës dhe jo në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Berisha ktheu në vëmendje se Edi Rama solli bandat dhe rrethoi kryeministrinë për që nuk ia doli dot ta pushtojë.
Pjesë nga intervista:
Çim Peka: Për dy gjëra është akuzuar Sali Berisha fort nga opozita gjatë qeverisjes së tij. Është Rruga e Kombit për ‘korrupsion të supozuar’ me 240 milionë dollarë, ministër Transporti Lulzim Basha dhe për 21 janarin ‘shpërdorim detyre’, ministër i Brendshëm Lulzim Basha. Çfarë menduat kur e dëgjuat këtë deklaratë të ministrit përgjegjës për dy ngjarjet që je akuzuar më shumë?
Sali Berisha: Mendova se është në një siklet të atillë sa i humbet dhe mendja, sepse unë në 21 janar kam qenë në zyrë dhe jo në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Kam qenë në zyrë, kam nderuar flamurin dhe zyrën e Kryeministrit, nuk jam larguar dhe kam qenë i vendosur për të mos u larguar. I pruri Edi Rama bandat që të pushtonte Kryeministrinë dhe nuk ia doli dot. Kaq, është i regjistruar se janë të gjitha deklaratat se populli do të tejkalonte Kushtetutën.
Berisha: Faktoi atë që kam thënë gjithmonë, ja pse Rama i bëri thirrje SPAK të më hetojnë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratën e Ramës në Kongresin e PS i cili i bëri thirrje SPAK që të hetojë Berishën pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA.
Berisha deklaroi se Rama faktoi para shqiptarëve dhe botës atë që vetë ish-kryeministri ka thënë më parë, që Rama kontrollon SPAK.
“Kërkesa e Ramës, që kape Berishën, më krijoi një kënaqësi, se faktoi atë që kamë thënë unë. Ai është s’kapi i partisë. Edi Rama e faktoi para shqiptarëve dhe botës atë, ai e përdori atë meqë e sheh se kohërat po i vështirësohen, me qënë se e sheh se loja me opozitën false po merr fund, ndihet shumë keq sa humbet kontrollin dhe i thërret SPAK-ut kape Berishën.”-tha Berisha.
Berisha: S’kam pasur kurrë përballë kandidatë fiktivë, Basha të garojë përballë meje
Lideri historik i PD Sali Berisha tha në emisionin ‘Çim Peka Live’ se në të gjithë karrierën e tij politike nuk ka pasur kurrë përballë kandidatë fiktivë.
I pyetur nëse do ishte komod sikur përballë tij të kandidojë Lulzim Basha për kryetar PD, Berisha tha se nuk ka asnjë pengesë që ai të garojë.
“Kandidatët e mi kanë qenë Pjetër Arbnori, Azem Hajdari, Neritan Ceka, Uran Butka, s’kam pasur kandidatë fiktivë, por kandidatë që janë nderuar.
E kam thënë, atë që them, i bindur të jesh që mbahem pas tyre pavarësisht çmimit.
Lulzim Basha ka të drejtë të kandidojë për të gjtiha forumet përfshirë kryetarin e PD-së. Nuk do ndihesha aspak jo komod.”-tha Berisha.
Berisha: Në Kuvendin e 30 prillit shpallim datën për zgjedhjen e kryetarit të PD
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv se Kuvendi i 30 prillit do të zgjedhë Këshillin Kombëtar dhe më pas Këshilli Kombëtar do të zgjedhë kryesinë.
Lideri historik i Partisë Demokratike tregoi se më 30 prill do të shpallet data e zgjedhjes së kryetarit të partisë.
“Kjo është agjenda e 30 prillit. Do shpallet data e zgjedhjes së kryetarit të partisë. Këtë s’ka nevojë ta bëjë Kuvendi, këtë e bën ose Komisioni i Rithemelimit para Kuvendit ose kryesia pas Kuvendit të 30 prillit.”-deklaroi Berisha.
‘Nuk bashkëpunojmë me ‘non gratat’/ Berisha-Ballës: Ju jeni kriminelë, ne jemi opozita e vërtetë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratën e Taulant Ballës i cili tha se do të bashkëpunojë me Enkelejd Alibeajn për zgjedhjen e presidentit të ri.
Berisha tha se Balla nuk e ka lënduar kur ka thënë se ‘s’do bashkëpunojnë me non gratat’ por me opozitën e vërtetë.
Sipas liderit historik të PD Sali Berisha është nder të mos bashkëpunosh me anëtarë të një organizate kriminale.
“Balla tha se do merret me Alibeajn. Mendoi se mua më lëndoi, por më nderoi. Për ne është fatkeqësi të kesh të bësh me anëtarë të një organizate kriminale. Do qëndrojmë opozitë e vërtetë.”-tha Berisha.
Komentet