Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur sot një besim shumë të madh te gratë dhe vajzat shqiptare për fitoren jo vetëm të zgjedhjeve të ardhshme vendore, por per kthimin e PD-së në pushtet dhe i ka ftuar ato që të angazhohen dhe të kandidojnë për kryetare bashkish.
Berisha tha në një konferencë sot në Tiranë se “një nga ndryshimet më të thella që mund të shënojmë ne, është ridimensionimi i rolit të gruas në PD, në jetën politike të saj dhe të Shqipërisë.
Kjo jo vetëm për një parim të barazisë dhe të shembjes së murit të patriarkisë – por dhe në aspektin elektoral gratë dhe vajzat janë konstituenca më e madhe e shqiptarëve. Ato nuk janë vetëm numerikisht më e madhja, por ato janë në një aspekt, në rrafsh elektoral, edhe cilësisht më e madhja. Fjala e tyre, përkushtimi i tyre është më i efektshëm.
Së fundmi, duhet t’ju rikujtoj këtu se “pollet” dëshmojnë se publiku shqiptar pëlqen qartësisht më shumë deputetët gra se sa burra. Ndaj dhe unë e çmoj shumë këtë ndihmë në këtë fushë të miqve tanë të cilët fituan me një zonjë kryetare, së cilës i uroj nga zemra sukseset më të mëdha në drejtimin e Suedisë.”
“Të frymëzuar dhe nga kjo valë ndryshimi, nga kjo erë ndryshimi që fryn në Europë, le të vazhdojmë këtë betejë dhe ju siguroj se me çdo ndryshim, ne afrohemi gjithnjë e më shumë drejt fitores. Ju uroj suksese.
Ju ftoj me kurajo, të kandidoni për qytetare të para të bashkive të vendit, të inkurajoni shoqet tuaja që i njihni, që ua njihni aftësinë, talentin, të kandidojnë. Jam shumë i sigurt se elektorati do t’ju mirëpresë ju më shumë, se të themi gjininë tjetër. “
Në kuadër të zgjedhjeve vendore, Kryetari i PD-së Sali Berisha mori pjesë në konferencën e mbështetur nga Fondacioni “Hjarl Hjalmarson” i partisë simotër suedeze “Moderaterna”.
Pjesë e ekipit suedez ishin: Gustav Gothberg, deputet I Parlamentit Suedez; Asa Coenraads, ish deputete e Parlamentit Suedez dhe Andreas Celan, pjesë e Fondacionit Jarl Hjalmarson.
Temat që u trajtuan:”Gratë kandidate dhe fituese” drejtuar nga deputetja Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike te Gruas së Shqipërisë dhe “Skuadra fituese e një fushate të suksesshme” per drejtuesit e Tiranës , nga ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani.
syri.net
Komentet