Lideri historik i PD, Sali Berisha tha sot se deputeti Lulzim Basha i ka kërkuar ambasadores Yuri Kim që ai të mos shpallej non grata përpara zgjedhjeve të 25 prillit, pasi do të humbiste 200-300 mijë vota.
Në emisionin ‘Dekalog’ në RTSH, Berisha tha se vërtetësinë e një gjëje të tillë ia kanë konfirmuar dy burime nga Uashingtoni.
Ish-kryeministri akuzon Lulzim Bashën se ka gisht në vendimin e marrë pa prova nga DASH dhe nën lobimin e George Soros.
“Kam qenë personi që i kam thënë (Bashës) që mund të mos kandidoj. Kjo është njëra anë. Ana tjetër, më thonë që, ai ka kërkuar, pasi ka qenë pjesë e kësaj loje, që të mos më shpallnin (non grata) para zgjedhjeve, sepse humbas 200-300 mijë vota. Mua më erdhën nga burime direkt nga Uashingtoni. Më thanë se ky, i thotë Guvernatores që unë çdo vendim e marr të diktuar nga Berisha, në një kohë kur gazetarëve u thoshte i marr vetë vendimet, pa Berishën. Më thanë dy burime nga Uashingtoni. Por unë nuk u mora me këtë punë.
Pasi u shpalla non grata, më thotë ky, më thotë ambasadorja që Berishën e kemi paralajmëruar për këtë non grata. S’ishte kurrë e vërtetë. Ma tha sërish, atëherë i them, të vetmet gjëra që më kanë thënë nga Uashingtoni janë këto, këto, gjërat që ata më thanë.
U përtyp, por për mua s’kishte rëndësi. Rëndësi ka ai që firmos pa verifikuar gjërat. Kundërshtari mund të thotë çdo gjë për ty, por ato verifikohen. Basha ka kërkuar që të mos shpallesha non grata para zgjedhjeve, ka thënë se do të humbas 200-300 mijë vota”, u shpreh Berisha.
‘Sikur ka lexuar Enverin…’/ Berisha: Yuri Kim t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve
Lideri historik i PD, Sali Berisha i bën thirrje ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, që t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve, për deklaratat e saj kur u shpreh që “demokratët të mos hanë bar”.
Në “Dekalog”, në RTSH, Berisha tha se në shprehjet e saj Kim duket sikur ka lexuar diktatorin Enver Hoxha.
“Që një diplomate, përfaqësuese e vendit që kontribuoi të përmbyste komunizmin, të citojë Enver Hoxhën, o ka qenë anëtare e grupeve leniniste dhe ka studiuar Enver Hoxhën, ose pastaj është keq këshilluar. Ndaj kësaj deklarate unë i kam kërkuar asaj që tu kërkojë ndjesë shqiptarëve për një fyerje të tillë. Përndryshe, jashtë normave të mija, i kam sugjeruar ta mbajë barin për vete.
Përgjigjen që unë i dhashë asaj për barin mund ta plotësoj. Zonja, e cila vjen nga vendi i madh i Lirisë dhe përfaqëson vendin e lirisë, përdori citatet e Enver Hoxhës për të fyer shqiptarët. Përdori barin. Atyre që u kujtohet Enver Hoxha, u thoshte shqiptarëve që bar do hamë dhe amerikanëve nuk do t’u nënshtrohemi.
Këto i kam deklaruar në atë kohë. Ky insert, i cili kishte marrë një përgjigje në dhjetor, në konferencë shtypi, i kam kërkuar tu kërkojë ndjesë publike shqiptarëve. Nuk e bëri se arroganca nuk është virtyt dhe kur bën një fyerje kolektive, njeriu edhe ndaj një fyerje individuale, duhet të kërkojë ndjesë. Por ndaj një fyerje kolektive vetëm një arrogancë e papërmbajtur të pengon të kërkosh ndjesë. Nuk e kam armike”, tha ish-kryeministri. syri.net
Komentet