Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një mbledhje me Grupin Parlamentar të partisë ku ka theksuar rëndësinë e angazhimit të plotë në fushatën elektorale. Ai ka shpallur një strategji të re për të lidhur më afër emigracionin dhe diasporën me Shqipërinë, duke i konsideruar si pjesë të pandashme të kombit. Sipas tij, shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, duke krijuar një ndikim të madh në rezultatin e zgjedhjeve.
Berisha ka përmendur gjithashtu se, sipas statistikave të BE-së, 1 milion e 99 mijë shqiptarë kanë lëvizur në hapësirën Shengen vetëm në 10 vitet e fundit. Kjo ka shtuar rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm për të mbështetur emigrantët dhe diasporën, për të cilët ka ndihmuar në krijimin e mundësive për t’u identifikuar dhe regjistruar për votim. Ai gjithashtu ka paralajmëruar për afatin e regjistrimit të emigrantëve, që do të përfundojë më 12 mars, duke bërë apel për të përparësuar këtë proces.
FJALA E BERISHËS:
Mirëdita!
Ndonëse kemi uruar njëri-tjetrin, por edhe njëherë një vit të mbarë, shëndet dhe fitore!
Qëllimi i kësaj mbledhje është angazhimi ynë total në fushatë elektorale, duke bërë një skemë të re në mendjen tonë, siç e kemi flamurin, njëra kokë në Shqipëri dhe koka tjetër në emigracion dhe diasporë.
Sepse na ndjekin ne gjithë jetën, bicefalitë.
Nëse kombet tjera i kanë patur mitologjike, ne i kemi reale. Ndaj dhe i kemi reale sepse sot, ka shumë, shumë mundësi që më shumë votues shqiptarë janë jashtë se brenda vendit.
E këtu nuk është fjala për diasporë të 100 viteve më parë, se edhe ata janë dhe e meritojnë, e jemi krenar me ta. Por këtu është fjala që vetëm në 10 vitet e fundit sipas statistikave të BE-së në hapësirën Shengen janë larguar nga Shqipëria për në hapësirën Shengen 1 milionë e 99 mijë shqiptarë. Statistika e fundit është 1 milionë e 99 mijë shqiptarë në hapësirën Shengen. Pa llogaritur pastaj që absolutisht nga Afrika e Jugut, gjer tek Kepi i Veriut madje edhe ne Groenlandë gjenden shqiptarë.
Ka kudo dhe në çdo vend.
Janë bërë përpjekje serioze. Këtu është ngritur një qendër digjitale, në degë ka filluar identifikimi i emigrantëve, janë bërë një seri takimesh në Greqi, Itali, SHBA, Britani e madhe. Por po të kemi parasysh planetin si konstituencë, këto janë pika uji në oqean, këto që kemi bërë ne deri tani.
Së dyti, të themi të vërtetën, zgjedhjet për gjysmën e shqiptarëve përfundojnë në datën 12 mars. Sepse ajo është data e fundit e regjistrimit të tyre, pastaj ata kanë alternativë të vetme të vijnë në Shqipëri dhe nuk mund të votojnë më, me mekanizmin ligjor të miratuar për votën e tyre.
Edhe kjo përbën një detyrim për ta përparësuar këtë proces.