Kreu i opozitës, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se qendrojnë prapa skenarëve të fshehtë për Kosovën.
“Në këtë situatë suicidi politik të Edi Ramës, ai është bërë shumë i rrezikshëm për rajonin. Shumë i rrezikshëm për Shqipërinë”, deklaroi Berisha gjatë konferencës për shtyp që dha sot në selinë e PD-së.
“Skenari, akti terrorist që kryen falangat terroriste në Banjskë të Zveçanit, kishte një begraund të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, – nënvizoi ai. – Burimet nga Kombet e Bashkuara, bëjnë me dije se në sallat e kësaj selie, në një takim jopublik, dy kryeministrat, përveç atij të Serbisë, kanë paraqitur kërkesa që komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, të vendosen nën kontrollin e KFOR-it.
Pse del Edi Rama, thoni ju?! Edi Rama del se me datën 24 shtator, në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Edi Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën, tezë kjo e diskutuar dhe sugjeruar edhe në këtë mbledhje, kërkesë kjo e paraqitur direkt nga Aleksandër Vuçiç, kërkesë kjo e paraqitur nga terroristët e Listës Serbe, para Edi Ramës,” nënvizoi lideri i PD-së. syri.net