BEOGRAD – Gjykata Speciale në Beograd të enjten e shtyu gjyqin për dy ish pjestarët e Ushtrisë së Serbisë, Rajko Kozlina dhe Pavle Gavriloviç, të cilët akuzohen për vrasjen e të paktën 27 civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje të Suharekës, në mars të vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe luftës në Kosovë.
Në vazhdimin e senacës gjyqësore, e cila u shty për shkak të sëmundjes së anëtarit të Këshillit Gjyqësor, Bojan Mishiç, pritej që të dëshmojnë viktimat dhe dëshmitarët e krimeve të luftës. Trupi Gjykues i Departamentit Special për Krime të Luftës të Gjykatës së Lartë në Beograd, duke shtyrë procesin konstatoi se “epilogu i këtij procesi varet nga dëshmia e të dëmtuarve”, duke i ftuar që të nëntët më 25 dhe 28 shtator të vijjnë serish para trupit gjykues për të dhënë deklaratat e tyre, sepse ato janë të një rëndësie të madhe për zbulimin e të vërtetës.
Bekim Gashi është një nga tre dëshmitarët e familjes Gashi i cili iu përgjigj ftesës së gjykatës në Beograd. Duke folur për mediat, të organizuara me ndihmën e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), dhe Natasha Kandiç, ai tha se ishte shumë e vështirë për të ardhur në Beograd dhe për t’u përballur me ata që kanë kryer krime.
“Kemi bërë punë të palodhshme dhe të vështirë për tu ballafaquar me ata që kanë kryer këtë krim. Kam detyrim moral ndaj familjes sime, që më në fund të fitojë drejtësia”, tha Gashi, të cilit në sulmet e forcave të armatosura të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë iu vranë katër motra të vogla dhe nëna e tij.
Ai tha se me 25 mars të vitit 1999 janë vrarë 22 anëtarë të familjes Gashi, nga gjithësej 31 persona të vrarë atë ditë në fshat.
Duke përshkruar këtë ngjarje, Bekim Gashi tha se pas bombardimeve të NATO-s, me familjen rrinim në shtëpitë tona duke pritur për të parë se çfarë do të ndodhë, ndërsa sulmi ndodhi herët në mëngjes.
“Dolëm jashtë në oborr dhe pamë se ushtria na kishte rrethuar nga të gjitha anët. Kishte edhe pjestarë të forcave të policisë, por shumica ishin ushtarë të rregullt. Një fshatar, i cili kishte marrë bari për të ushqyer bagëtinë, u godit i pari nga një qitje e vetme dhe vdiq. Ata ishin aty në një kodër kur u vësulën drejt nesh, kurse ne filluam të ikim në drejtim të shtëpive tona. Nëna dhe motrat shkuan në shtëpinë e xhaxhait të madh, dhe unë u ndava prej tyre duke shkuar në shtëpinë e xhaxhait tjetër. Kjo nuk zgjati shumë, ndodhi shumë shpejt. Oborri ishte plot me forca të armatosura. Ata i vunë zjarrin automjeteve dhe hambarit. Atje, në oborr, ku u strehova, ishin edhe dy shtëpi. Në njërën ishin gra dhe fëmijë, në tjetrën, ku isha strehuar ndodheshin 12 meshkuj. Kur ata hynë në oborr, unë i pashë ata përmes dritares që po vijnë në drejtim të shtëpisë ku ishim strehuar. Një oficer iu drejtua dikuj dhe e pyeti: Çfarë të bëjmë tani? Dikush i tha të hedhë një granatë, ai e hodhi granatën në korridorin e shtëpisë dhe ne të gjithë u shtrimë për toke”, tregon Gashi duke u përpjekur që të fshehë emocionet.
Ai më tej theksoi se ushtarët shkuan në shtëpinë ku ishin gratë dhe fëmijët dhe më pas hodhën një granatë, duke plagosur katër prej tyre.
“Në atë moment u plagosën katër persona, ishin në gjendje shumë të rëndë, në mesin e tyre ishte një fëmijë i moshës shtatë vjeçare i cili kishte një dëmtim të rëndë në stomak. Policia vazhdoi të qellonte në pjesën tjetër, prapa kësaj shtëpie”, tha Gashi, një nga të mbijetuarit e fashatit Tërnje.
Gashi për dy ditë ishte fshehur në nënkulmin e shtëpisë, ndërsa pjesëtarët e familjes dhe miqtë ishin të plagosur.
“Nëna ime dy ose tre orë ka pasur dhimbje, ishte e plagosur rëndë. Nuk munda ta ndihmoja. Edhe sot e kësaj dite dëgjoj zërin e saj duke kërkuar ndihmë, ndërsa unë nuk munda ti vija në ndihmë”, thotë Bekim Gashi.
“Pa marrë parasysh se me të vërtetë është shumë vështirë kur vijmë në gjykatë, por ne jemi të vendosur që e gjitha të zbulohet deri në fund. Të gjithë ata që u vranë, gratë, fëmijët, gratë shtatzëna, ishin njerëz të pafajshëm, faji i tyre i vetëm ishte se flisnin shqip”, thotë ai.
Ky dëshmitar okular thotë se dëshiron që ky gjykim që filloi të jetë objektiv dhe të mos jetë një gjykim sa për sy e faqe në sytë e publikut dhe Evropës “për të fituar pikë nga BE”.
“Çështja është që të zbulohet e vërteta për të gjitha krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Për të cilat ka shumë raporte dhe të dhëna. Këto krime nuk kanë ndodhur rastësisht. Ata ishin të planifikuara. Le të fillojë hapja e të gjitha dosjeve dhe se njëherë të fillojnë të gjykohen të gjitha rastet”, theksoi Gashi duke kërkuar që familjet e viktimave të mësojnë se ku janë të varrosur të dashurit e tyre, sepse 14 anëtarë të familjes së tij ende nuk dihet se ku janë varrosur.
“Ne besojmë se gjykata do të gjykojë me drejtësi. Në atë moment (të ballafaqimit) është vështirë që njeriu të thotë diçka, por unë do të them një gjë: ajo çfarë keni bërë ju, është vështirë që një njeri të bëjë. Në luftë, ushtari shkon drejt ushtarit, dhe jo ushtari drejt grave dhe fëmijëve”, përfundoi Bekim Gashi.
Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi në vitin 2013, lëshoi një padi kundër oficerit dhe nënoficerit aktiv të Armatës së Serbisë, Pavle Gavriloviç dhe Rajko Kozlina, për krime të luftës kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, ata ngarkohen, se si ish pjesëtarë të Brigadës së 549-të motorizuar të Ushtrisë së ish Jugosllavisë (UJ Brigada 549 e motorizuar), së bashku me pjesëtarë të tjerë të Batalionit të Logjistikës, më 25 mars të vitit 1999 kanë vrarë të paktën 27 civilë, banorët e fshatit Tërrnje afër Therandës në Kosovë.
Ata dyshohen se kanë vrarë burra të moshuar, gra dhe fëmijë, duke përfshirë edhe një djalë të moshës katër vjeçare.
Sipas aktakuzës, Pavle Gavriloviç dha urdhër që në fshat “të mos mbesë asnjë i mbijetuar”, ndërsa Rajko Kozlina, ka shtënë ndaj një të moshuari në kokë për të treguar ushtarëve të tjerë se si të vrasin civilët shqiptarë.
Siç kujton Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), për rolin dhe përgjegjësitë e Gavriloviç dhe Kozlina për krimet e kryera, 13 vjet më parë, nën masa të mbrojtjes kanë dëshmuar dy ish-pjesëtarë të Brigadës së 549-të motorizuar të UJ-së, në rastin kundër Sllobodan Millosheviçit (K-41 dhe K-32) dhe në 2007, në rastin kundër Milan Milutinoviç dhe të tjerët (K-82 dhe K-54).
Në momentet e ngritjes së aktakuzës, Gavriloviç dhe Kozlina ishin në detyrë aktive në Ushtrinë e Serbisë dhe sipas informatave të FDH, ata ende nuk janë larguar nga detyra, pavarësisht aktakuzës dhe apelit të FDH për largimin e tyre nga detyra.
FDH, në maj të vitit 2008 ka ngritur vepër penale kundër 11 pjesëtarëve të Brigadës së 549-të motorizuar të UJ, nën dyshimet për kryerjen e krimit në fashtin Tërrnje.
Në mars të vitit 2013, FDH publikoi një dosje mbi aktivitetet e Brigadës së 549-të motorizuar të UJ-së, në të cilën përshkruhet pjesëmarrja e këtyre njësive në krime në fshatin Tërrnje, duke përfshirë Gavriloviç dhe Kozlina.
Komentet