“Njohja dhe kujtesa e vlerave të kulturës shqiptare përforcon identitetin kombëtar të brezit të ri”
BENIAMIN GURAZIU.
* PIONIER I MUZIKËS KLASIKE SHQIPTARE
* VETERAN NISMËTAR I ORKESTËS SIMFONIKE SHQIPTARE.
* THEMELUES I SHKOLLÊS SË VIOLËS SHQIPTARE.
BENIAMIN ZEF GURAZIU, violist.
Violisti Beniamin Guraziu i përket instrumentistave të parë të pregatitun në Shqipni.
Leu në Bari të Italisë me 1 shkurt 1923 në familjen e Gurazezve të Gjuhadolit shkodran e vendosun në Bari në vjetin 1912, ku kryen klasat e para të shkollës fillore. Mjedisi familjar dhe shoqnor, në të cilin u rrit, i ushqeu që në fëminì formimin kulturor artistik ( influenca e muzikës klasike prej dy artistave të rij, Tonin Guraziu e Gjyzepina Misloca Kosturi, shtyllat e ardhshme të muzikës klasike shqiptare për piano dhe kanto; mësime private për piano si dhe njohje me operat e famëshme botnore në lozhën e familjes në Teatrin Petruzeli të Barit).
Kthehet në Shqipni, bashkë me familjen, në vjetin 1930 me banim banim në Tiranë.
Gjimnazin e Tiranës e kryen në vjetin 1940. Gjatë vjetëve së shkollës së mesme merr mësimet e para për violinë prej profesor Ludovik Naraçit ( themeluesi i shkollës së violinës shqiptare). Në vjetin 1940 fillon studimet në fakultetin e mjekësisë në Firenze që për arsye të luftës i ndërpret në vjetin 1942. Kthehet në Tiranë dhe vazhdon studimet privatisht për violinë, përsëri me prof. Ludovik Naraçin. Mbas përfundimit të luftës së dytë botnore, në vjetin 1945 kërkon me vazhdue studimet universitare për mjekësi në Firenze, por kërkesa nuk merret parasysh, rregjimi komunist e kishte izolue Shqipnin.
Falë mësimeve që mori prej profesor Ludovik Naraçit, bahet pjesë e formacioneve të para te ‘Muzikës së Dhomës’ në Radio Tirana, e themelueme në vjetin 1945, si dhe vazhdon specializimin në instrumentin e violës nëndrejtimin e profesorit Jugosllav Miranov i cili, tue konsiderue talentin e tij muzikor, i pat ba kërkesë Qeverisë Shqiptare për me i mundësue Beniaminit studime të matejshme në Zagreb, gja që nuk u konsiderue prej rregjimit komunist, mbasi konsiderohej me prejardhje borgjeze – reaksionare.
Me themelimin e orkestrës simfonike të Filarmonisë së Shtetit në vjetin 1950, Beniamini bahet pjesë e sajë. Po kështu prej vjetit 1953 deri ne vitin 1983 asht pjestar i orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit, ku shërben për 30 vjetë si violë e parë e orkestrës.
Nji arritje tjetër në aktivitetin e tij profesional, asht themelimi dhe drejtimi i klasës së violës në Liceun Artistik ‘J.Misja’, Tiranë. Beniamin Guraziu konsiderohet themeluesi i degës se instrumentit të violës shqiptare. Si rezultat i nji pune shumë vjeçare pasionante e me përkushtim, realizoi disiplinimin profesional të kësaj klase dhe nxori në dukje elementët e parë të talentuem të shkollës së violës me nxanës të dalluem e të afte si Ami Krajka, Agim Hasani, Edmond Lalazi, Qefsere Agalliu, Arjan Paco, Ilo Kanani e të tjerë, të cilët sot janë pjesë e orkestave prestigjoze të T.O.B, R.T.SH dhe Akademisë së Arteve.
Në vjetin 2008, në moshen 85 vjeçare, përktheu prej shqipes në italisht novelën “Qorrfermani”( l’ Occhio del Tiranno) e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u publikue në Itali në vjetin 2012 prej ‘Fandango Libri’. Ky konsiderohet përkthimi i parë i veprave të Kadares prej origjinalit ( shqip ) në italisht.
Beniamin Guraziu pati bashkëshorte Çeçile Kovaçin ( të bijen e aktorit të mirënjohun , Loro Kovaçi) dhe u trashigue me dy djelm; Edin e Tonin. Pleqninë e kaloi në përkujdesjen e nji mjedisi të dashun familjar. Ndrroi jetë me 31.12.2012 në Tiranë.


Komentet