(Shkrim i botuar në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në muajin gusht të vitit 1975. Ribotohet (pa asnjë ndërhyrje) me rastin e 84 vjetorin e lindjes së aktorit tone të njohur, Bekim Fehmiu).
Vjen një ble flladi të shkëputur për të na e vjedhur zhegitjen që përpak do të na kaplonte. Ai fresk, sikur ta kishim porositur te kamerieri që përherë afër na rri, vjen i mirëseardhur. Bisedën e mire e me buzëqeshje dhe me do lëvizje ritmike të aktorit zëmadh e nis.
Në atë nismë të bisedës me aktorin e madh, në ndihmesë na vjen edhe ndonjë rekiuzit: “një kafe esspresso, një e zezë turke, apo ndonjë pije tjetër freskuese për këta djem sokola që odën sot më mësyjnë – kamerier, na i sjell, i drejtohet Bekimi djaloshit me bluze të bardhë.
“Djema, djema, urtë me ata lapsa të viranuar. Ju lutem keni mëshirë e, këtu, të bisedojmë, ashtu – pa hesap… “.
Bekim, pos në filma të shumtë, nuk po të shohim shpesh në mesin tonë, e besa, pak edhe jemi përmalluar. E kjo që çdo fjalë tënde gati me laps i rrinë, na del si punë fisnike, e dimë se kudo në trevën tonë ke ithtarë e dashamirë që emrin tënd me më të madhin admirim e shqiptojnë. Dëshirojmë, pa hile, që përmes një grimë bisede, si përshëndetje për shumë ata lexues tanë, më tepër.
Kolegu im gazetar (Din Litti) nga muhabet i rastit shkëputë fjalën dhe bisedës rrugë serioziteti i jep, e vë atë në korniza zyrtare. Në pyetje të shkurtër – përgjigje koncize…
E unë, unë, hajn i pamjeve imcake, bëj punën time të heshtur: rreshtoj do vija në kopertinën e një blloku të fshehur.
Bekimi shikon kah qielli.
Provoj të zë me shikim çdo lëvizje të tij. Pastaj, një nga një, i shikon thonjtë e gishtërinjve të dorës së majtë. Bekimi është tretur në bisedë, numëron regjisorët, aktorët, kompanitë me të cilat, “fyt më fyt” në betejë pune, është. Ndër gishtërinj i digjet një cigare. Kolegu im vazhdon ta sulmojë me pyetje. Përgjigjet shtrohen në tavolinë. Biseda rritet – bota del e vogël. I kapim skajet e saj e i lidhim në nyje. E, Bekimi aty në – piedestal. Nuk mundemi të mos jemi krenarë që sot me të, nga një cigare, ndërrojmë. sulmojë pyetje. Edhe ndonjë fjalë – zemra zemrës – e pak me shumë, vetes në heshtje i themi: Bekim të duam, se kalorës të ëndrrave tona rinore të kemi, na kujtohen do netë të gjata dimërore, na kujtohen do netë (plot hëne) verore, kur në sytë e Brandos, Njumenit, Mastrojanit e Bellmondos … ëndrrën e të pa mbëriturës rrugë e thurnim, e sot, sot të kemi ty, Bekim, që na flet me gjuhën e shqipeve, na flet, aq bukur e hijshëm na flet; i duam ata gurë, Bekim, me të cilët të gdhendëm në granit; të lëshuam në rrebeshin and jetës filmike, kalorës…, ta mbushëm trastën me bukë e djathë, medet, tjetër nuk patëm; udhë të mbarë e faqe të bardhë, bir i trevës sonë – të thamë …
Në tavolinë, në pakon e cigareve mezi lexoj “Rothmans”. Mall i kujt janë këto cigare, e pyes vetëm sa për të pyetur diç?
“Merr e ndeze ndonjë se. pasha bacën, nuk di se të kujat janë”.
Një fanelle ngjyre të zezë katrani, mirë i rri Bekimit për t’ia përthekuar ato shpatulla burrërore e të rreshkura në diell. Në krahëror i vezullon një medaljon në formë katrori me një “B” të qëndisur në mes, era ia shprish flokët, ai i vë mbi veshë, vetullat i ngjiten përpjetë thua se i varën në degën e pemës që na rri përmbi …
“Për herë të dytë pata rastin të luaj në film me Ava Gardnerin. Me atë yll të pakthyeshëm në Holivudit. Ava Gardner, djema, është një zonjë e gjallë dheu. Një vitalit i rrallë…” deklaron Bekimi, (në gishtërinj i digjet edhe nje Rothmans “), dhe shton:” Vetëm një Ava Gardner and ka bota. Prej saj mësohet puna … Një fërkim sysh – Bekimi ndoshta nuk do të ketë fjetur mirë – “Jam në pushim, djalli e marrtë, po pushoj pak e, kur pushohet a punohet … “?
“Nata-natë, nëse gjatë ditës punoj punë të vështirë fizike, nata ime është e gjatë. Bie për të fjetur më herët. Kur puna e ditës është më e lehtë – nata më shkurtohet …” – qeshje.
Din Litti ndërhyn: “Bekim, Kurt Jurgens, në një intervistë speciale për “Ciné-revu”, ishte shprehur shumë mirë për rolin tend në …” – heshtje. “I faleminderit Jurgensit”.
Dëshmitari duhet të hesht – unë jam dëshmitar i kësaj bisede në “Riviera”. Lapsi ndër duar më ndalet. -”Jo nuk të them ty të heshtësh, por kështu quhet filmi në të cilin duhet të luaj rolin kryesor” më thotë Bekimi.
Çdo gjë në rregull – biseda mund të vazhdojë.
“Dick Bogart, vërtetë është aktor dhe mik i mirë. E shpreh këtë më së miri ngjarja e shënuar atje diku mbi një liqen të Veriut austriak. Bën të ftohët i madh atje – djalli e marrtë e palltoja e Dickut shpejt m’i ngroh shpatullat. Kamera “ndizet”, unë dola para saj, puna eci mbarë, skena doli and suksesshme … “- thotë Bekimi dhe shton:” Edhe me Purisha Gjorgjeviq kam një shoqëri te madhe profesionale. Përherë ky regjisor i talentuar gjen në vete “rezerva” guximi për të realizuar temat më aktuale që na vlojnë në gji, temat e jetës në kalim … “
Kafeja e zeze (turke) e pat. Bekimi instinktivisht – për hurp të ri, filxhanin te buzët e afron. Edhe një “Rothmans, në intermetzzo …
“Kam në plan dy role të mëdha në dy projekte të mëdha. Nuk dua tani të flas për këto dy role. Jo fjalët para e puna – pas, por puna para e fjalët – pas! Po, do të punoj edhe këtu, në vendin tonë. Kemi, djema, regjisorë të talentuar dhe të përgatitur mirë, por, mjerisht ata sot janë në pozitë shumë të keqe. Krijuesi ynë harxhon energji edhe në gjëra (banale) teknike. Dje në bisedë me do kolegë tuaj nga Sidneji i largët, duke folur edhe për disa gjëra konkrete, reale të punës sonë krijuese filmike, ata befasohen se në çfarë kushtesh punojmë ne. Një gabim, kujtoj, se duhet eliminuar: kemi shumë shtëpi (prodhuese) të filmit. Duhet te integrohemimi. Të lidhemi dorë për dore. Të bëhemi të fortë. Koproduksioni – edhe në përmasa botërore – ështe imperativi i artit (industrisë) së filmit …” – monolog i shënuar, me liri, i Bekimit.
Temperatura ngrihet në Pulë e jo në bisedë. Cigarja ndrydhet në taketuke. Emrat e aktorëve, të filmave, të projekteve, i shqiptoni mirë, thekshëm, me një fjalë, bukur, thjesht anglisht?
“Flas mirë anglisht e di: edhe italisht, edhe frëngjisht, edhe gjermanish …”.
Prej Hoivudit e drejt në… Kosovë!
Patem filluar të sillemi si krijues: skenari, regjia, me një fjalë filmi, tema e filmit, krijimi i tij, trokiti e furishëm hyri në bisedë. U gezuam: filluam këtu, ne Pulë, të dërgojmë edhe filma. Organizatorët e këtij festivali u gëzuan për pjesëmarrjen tonë. Juria, atëbotë, na lëshoi në dore edhe shpërblim. Tash, asgjë pos heshtjes …?
“Me biseda individual, private, separate, nuk mund të ndreqet asgjë. Eshte detyrë e kompetentëve t’i mbledhim forcat e të nisemi rrugëve të reja të krijimit në – në Kosovë. E kemi forca. Të hapim temën. E kjo mund të bëhet , kjo mund të bëhet vetëm atëherë kur udhëheqësit e cultures të jenë koshientë për rëndësinë e filmit në masa edhe për efektin e tij kulturor dhe edukativ në masa, edhe të dihen mundësitë e përfitimit moral dhe ekonomik nga filmi…”
“Ngutuni djema, t’i vejmë pikën këtij kuvendimi vërtet të këndshëm. Po edhe dita na u freskua. A thua buzëqeshjet freskojnë. Ngutuni djema se Branka (e shoqja) dhe Uliksi (i biri) më presin në Novi Vinodollski. Uliksi ndoshta tashmë është bërë me vëlla, apo motër. Apo me vëlla e motër – përnjëherë … “ – na thotë Bekim Fehmiu duke lëshuar (më në fund) tavolinën tonë të kuvendimit.
-Niset dika (për Novi Vinodllski) e ne na lë një pjesë të ngrohtësisë. Kujtimi për atë ndejë e kuvendim me Bekimin tonë e ruajmë si një ënderr të natës verore. Në Pulë. Afer “kullës” së lashtë të Vespazianit…
Komentet