“Për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovës, nuk është bërë presion i duhur mbi autoritetet serbe”, thotë drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai flet edhe për disa hulumtime që kanë të bëjnë më numrin e personave të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Blakaj, që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka pasur deklarata dhe të dhëna të ndryshme lidhur me numrin e personave që kanë humbur jetën. Si organizatë, keni bërë disa hulumtime. Cilat janë të dhënat që ju keni?
Bekim Blakaj: Ne jemi fokusuar në hulumtimin e vrasjeve dhe zhdukjeve prej periudhës kohore 1 janar të vitit 1998, deri në fund të vitit 2000. E kemi përfshirë edhe periudhën pas përfundimit të luftës, ku kemi evidentuar një numër të caktuar të personave që janë vrarë apo janë zhdukur në lidhje me luftën.
Në bazë të mbi 15 mijë deklaratave të dëshmitarëve dhe familjarëve të viktimave, dhe rreth 30 mijë dokumentacioneve të ndryshme që i kemi mbledhur dhe analizuar, ne kemi krijuar një bazë të të dhënave për viktimat. Na rezulton që 13 mijë e 495 persona në këtë periudhë kohore janë vrarë apo janë zhdukur dhe ende figurojnë të zhdukur.
Prej tyre, sigurisht që shumica janë civilë, diku pothuajse 80 për qind të viktimave janë civilë, ndërsa 20 për qind janë pjesëtarë të UÇK-së, pastaj ushtarë të ish-Jugosllavisë, dhe policë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Sa i përket etnisë së viktimave, pothuajse 80 për qind e tyre janë shqiptarë, pastaj janë diku 2100 serbë, e kështu me radhë. Por, shumica janë shqiptarë.
Radio Evropa e Lirë: Familjarët e të pagjeturve në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se përgjigja për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës gjendet tek autoritetet në Serbi. A është bërë mjaftueshëm presion ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar për këtë çështje?
Bekim Blakaj: Duke e pasur parasysh që vitin e kaluar është hapur një varrezë masive ku janë gjetur 52 trupa të shqiptarëve, shumica prej tyre kanë qenë civilë, tregon që nuk është bërë presion i mjaftueshëm ndaj autoriteteve serbe.
Përderisa për 15 vjet është mbajtur e fshehur një varrezë masive me një numër kaq të madh të trupave, atëherë kjo na lë të mendojmë se nuk është bërë ndonjë presion i madh, i mjaftueshëm, që të zbardhet fati i të zhdukurve.
Megjithatë, në numrin e përgjithshëm të të zhdukurve janë rreth 400 persona që nuk janë shqiptarë dhe besoj se adresa për zbardhjen e fatit të këtyre personave nuk është në Kosovë. Duhet të ndërmerren hapa dhe veprime më aktive për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Radio Evropa e Lirë: Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve është cilësuar si çështje humane. A mendoni se kjo është shndërruar në çështje politike?
Bekim Blakaj: Për fat të keq, po. Ne kemi kërkuar për vite me radhë që problemi i personave të zhdukur të jetë në top temat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk ka ndodhur. Ekzistojnë komisione qeveritare për persona të zhdukur si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Ato takohen rregullisht, me ndërmjetësimin e komunitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, megjithatë nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Mbi 1700 persona ende figurojnë si të zhdukur. Mendoj që nuk ka një vullnet politik për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, dhe kjo tregon se në fakt kjo çështje është bërë problem politik, dhe se nuk ka mbetur vetëm problem humanitar.
Radio Evropa e Lirë: Si mendoni, pse çështja e të pagjeturve nuk është futur si temë në dialogun Kosovë- Serbi në Bruksel?
Bekim Blakaj: Nuk i dimë arsyet pse kjo temë kaq me rëndësi nuk është shtruar si temë e dialogut. Nuk janë transparentë. Ne si organizatë për të drejtat e njeriut nuk e dimë pse nuk është futur kjo temë në dialog.
Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, cilës kategori të shoqërisë në Kosovë mendoni se iu shkelen të drejtat në masën me të madhe ?
Bekim Blakaj: Për fat të keq ka shumë kategori të tilla që iu shkelen të drejtat. Meqë edhe e diskutuam tash këtë çështje, mendoj se familjet e personave të zhdukur janë ata të cilëve më së shumti iu shkelen të drejtat e njeriut. Tashmë 16 vjet pas përfundimit të luftës, ata jetojnë ende në ankth, pa e ditur fatin e të dashurve të tyre.
Ne që nuk jemi në lëkurën e tyre ndoshta nuk mund t’i kuptojmë dhimbjet e tyre, mirëpo, ne, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, jemi shpesh në terren dhe në kontakt direkt me familjarët e viktimave, dhe pak a shumë e dimë se me çfarë probleme ballafaqohen ata.
Komentet