KUMANOVE – Gjatë seancave të fundit gjyqësore në lidhje me konfliktin e armatosur në Kumanovë, ku po gjykohen 29 shqiptarë të ngarkuar me veprën penale për organizim terrorist, është ngritur dyshimi se 5 shqiptarë nga ky grup janë ekzekutuar pasi u dorëzuan para autoriteteve në Maqedoni.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), në Prishtinë, Behxhet Shala për KosovaPress deklaroi se menjëherë pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kumanovë KMLDNJ ka ngritur dyshimin se së paku dy shqiptarë që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur janë ekzekutuar pasi janë dorëzuar pranë autoriteteve maqedonase.
Mirëpo, në lidhje me dyshimet e fundit se 5 shqiptarë nga grupi i armatosur në rastin Kumanova, janë ekzekutuar pasi janë dorëzuar në policinë maqedonase, Shala konsideron se për të pasur një pasqyrë të saktë të asaj se çfarë ka ndodhur duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar i pavarur nga organizatat për të drejtat e njeriut, siç është Amnesty International apo edhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Shala ka komentuar edhe obduksionet e trupave të të vrarëve të bëra në Maqedoni dhe Kosovë, duke thënë se mos publikimi i rezultateve të këtyre obduksioneve, apo dorëzimi te familjarët e të vrarëve, përbënë shkelje të të drejtave të njeriut, duke e bërë procesin edhe më misterioz.
“Pala kosovare e cila ka bërë një obduksion nuk ka dal me një raport të obduksionit, së paku nuk ka dal me një raport publik. Ata mund t’ia kenë dorëzuar një raport prokurorisë apo organeve të sigurisë, mirëpo nuk e kanë bërë publik dhe nuk ia kanë dorëzuar familjeve të të vrarëve. KMLDNJ ka pasur takim me familjarët e të vrarëve dhe ata deri atëherë nuk e kanë pasur as raportin e palës maqedonase por as raportin e palës kosovare, që paraqet një shkelje të drejtave të njeriut dhe ringjall një dyshim që aty vërtetë mund të jenë bërë krime që janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare. Për këtë arsye ata që janë përgjegjës për këto krime duhet t’i nënshtrohen drejtësisë. Në qoftë se do të bëhej një raporti i obduksionit korrekt, atëherë do të largoheshin dilemat nëse dikush është vrarë gjatë luftimeve apo pasi është dorëzuar. Duket se ka këtu shkelje dhe për këtë arsye ka pasur hezitime edhe për raportin, sikur që krejt ky proces është i mbështjellur me një vello misterioze dhe ku gjërat nuk po qartësohen. Thjeshtë është krijuar një perde tymi e cila ende po mban situatën të paqartë. Mendojë që familjarët me të drejtë po reagojnë dhe po kërkojnë sqarime dhe drejtësi për anëtarët e familjeve të tyre, sikurse po kërkojnë mbështetje më të madhe nga shteti i Kosovës”, tha Shala.
Ai deklaroi se KLMDNJ ka bërë përpjekje që t’i vizitojë të burgosurit e rastit Kumanova duke i plotësuar të gjithë kërkesat që i ka kërkuar pala maqedonase, por sipas tij nuk u ë shtë lejuar një gjë e tillë.
Në lidhje me mbajtjen në burg të shqiptarëve të arrestuar dhe trajtimin e tyre, Shala tha se ndaj tyre është ushtruar dhunë të cilën ai e quan të tmerrshme.
“Sipas burimeve që ne i kemi nga familjarët, por edhe nga të arrestuarit dhe nga avokatët e tyre, duket se ndaj tyre është ushtruar një dhunë e tmerrshme, e cila ka mbet e pandëshkuar. Kjo ndoshta ndikon edhe në gjykimin e tyre, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të llogaritet se është një gjykim i drejtë, i pa anshëm , ku të dyshuarit kanë të drejtë të paraqesin mbrojtje apo të dëshmojnë pafajësinë e tyre”, tha Shala.
Derisa tërë procesin e gjykimit të shqiptarëve në këtë rast e konsideroi proces nën ndikim e politikës, Behxhet Shala kërkoi që të bëhet më shumë nga ana kosovare për të arrestuarit të cilët janë shtetas nga Kosova, duke thënë se procesi është mbështjellë me mister si nga ana maqedonase ashtu edhe nga ana kosovare.
“Ne marrim informata prej organizatave të Maqedonisë. Kemi shumë burime të informatave, me të cilat vërtetohet se gjykimi ndaj tyre nuk është i paanshëm, nuk është fer sepse ata edhe kur të sillen në Gjykatë i nënshtrohen dhunës fizike. Thjesht, shteti i Kosovës duhet të jenë më i pranishëm në këtë gjykim. Duhet të kërkojë në bazë të konventave ndërkombëtare që të bëhet një gjykim i drejtë për të akuzuarit që janë shtetas të Kosovës, gjithnjë duke mos paragjykuar rastin, sepse askush nuk ka të drejtë të paragjykojë nëse janë të fajshëm apo të pafajshëm. Mirëpo, duhet të kërkohet një gjykim fer dhe të kërkohet që adresimi i provave të bëhet në përputhje me ligjin dhe pas përfundimit mund të vihet në një vlerësim. Mirëpo, definitivisht ky rast është nën ndikimin e politikës, është i mbështjellë me shumë mistere si nga ana maqedonase ashtu edhe nga ana kosovare. Mendojë se ata të cilët tash po gjykohen para Gjykatës në Shkup janë të diskriminuar dhe nuk kanë mundësi të paraqesin mbrojtje dhe ta kenë të garantuar një proces të drejtë gjyqësor”, theksoi Shala
Shala gjithashtu shtoi se ka një hezitim dhe mungesë të gatishmërisë nga ana kosovare në tërë këtë rast ku nuk është e qartë se pse ende nuk është bërë publikë raporti i obduksionit që është realizuar në Kosovë, për të bërë një krahasim me atë të obduksionit të bërë në Maqedoni. /Telegrafi/
Komentet