Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet më të fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajën e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.
Duke u ndalur te rezultati i takimit të Ohrit, më 18 mars 2023, Presidenti Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht.
Kurti më tej do të zhvillojë takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Po kështu Kurti do të pritet dhe nga kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë pasdites.
Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët kanë rënë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Një tjetër dakordësi është arritur edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, ndërsa për monitorimin e të gjitha pikave të aneksit të marrëveshjes do të ngrihet një Komitet i Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja.
Edhe pse nuk është firmosur një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër, kanë arritur marrëveshje për të zbatuar propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.bw