Presidenti Bajram Begaj, duke folur në konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut , tha se Porto Romano është afruar si një mundësi tjetër nga Qeveria shqiptare për NATO-n.
Begaj tha se rritja e buxhetit për mbrojtjen në masën 2% nuk është më pika kulminante, por një bazë e qëndrueshme për modernizimin e forcave të mbrojtjes.
Në vijim të fjalës së tij, Kreu i Shtetit tha se sfidat me të cilat përballemi janë të shumta.
“Ukraina përballet me një agresion të paprecedent, të paligjshëm dhe të paprovokuar nga Rusia, e cila është kthyer në sfidues të rregullit botëror.
Në Lindjen e Mesme kemi përshkallëzim të konfliktit.
Rajoni ynë përballet me sfidat specifike, veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit.
Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet.
Ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në Rajon”, tha Begaj.
Presidenti u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është i një rëndësie të veçantë jo thjesht për sigurinë e Kosovës, por do i shërbente edhe më tej sigurisë së Rajonit.
“Karta e Adriatikut ka treguar se është një instrument i rëndësishëm që kontribuon në integrimin e Rajonit në familjen euro-atlantik”, tha Begaj.
Ndërsa vuri theksin në partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA, Kreu i Shtetit tha se ky partneritet i qëndrueshëm dhe i fortë ka bërë që sot të kemi një Rajon edhe më të sigurtë.
Fjala e plotë e Presidentit
Kjo konferencë mblidhet në një moment tepër delikat për sigurinë botërore. Zhvillimet e fundit tregojnë se sa i rëndësishëm është investimi në fushën e sigurisë dhe me sa rëndësi është krijimi i platformave të bashkëpunimit e ndërveprimit që promovojnë sigurinë rajonale duke krijuar kushtet për një mjedis më të qëndrueshëm dhe të sigurt.
Në këtë kontekst, suksesi i Iniciativës A5 është i padiskutueshëm. Që prej themelimit të saj në vitin 2003, si Iniciativë e A3-it, ajo ka dhënë një ndihmë të veçantë në procesin e integrimit të vendeve tona në NATO.
Bashkëpunimi ynë në kuadër të kësaj Iniciative ka shërbyer si një urë për ndërtimin e marrëdhënieve të forta jo vetëm midis vendeve tona, por edhe me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO përbën një dëshmi të përkatësisë tonë në komunitetin Euroatlantik dhe një etapë të natyrshme në rrugëtimin tonë si komb. Ai nuk është thjesht për më shumë siguri, por edhe angazhim dhe bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë.
Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet.
Unë besoj se përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe angazhimit tonë ndaj vlerave Euroatlantike, ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida dhe të sigurojmë që Ballkani Perëndimor të ecë drejt një të ardhmeje më të sigurt e të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, roli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në rajon është i qartë dhe konstruktiv.
Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët e rajonit janë një faktor konstruktiv dhe i moderuar duke kontribuar në paqe, në siguri dhe stabilitet. Për më tepër, ata janë dëshmuar si mbështetës të palëkundur të së ardhmes evropiane dhe Euroatlantike të rajonit tonë.
Në bashkëpunim me aleatët tanë, kemi punuar vazhdimisht për të forcuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat Euroatlantike.
Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në Iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO.
Anëtarësimi i Kosovës në këtë Kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova, ndonëse është shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit, dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut ka treguar për vite me radhë se është një instrument i fuqishëm dhe efektiv për promovimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve tona dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i bindur se edhe në të ardhmen ajo do të vazhdojë të kontribuojë në integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë në familjen Euroatlantike.
Bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një gur themeli për të gjitha përpjekjet tona. Falë këtij partneriteti strategjik, të qëndrueshëm e të fortë, ne kemi sigurinë dhe besimin se Ballkani Perëndimor do të vazhdojë të jetë një rajon i paqes dhe stabilitetit.
Jo më larg se dje, të nderuar miq, në Shqipëri u bë një aktivitet me të rinjtë nga Mesdheu. Ishin 50 të rinj, të cilët iu përkasi. besimeve të ndryshme fetare. Jo pa qëllim u zgjodh Shqipëria si vend për organizimin e këtij aktiviteti, për faktin që ka treguar se bashkëpunimi ndërfetar, respekti dhe respektimi i tjetrit është shumë i rëndësishëm.
Unë besoj se atyre të rinjve dje dhe të rinjve të rajonit tonë sot ne duhet t’iu dërgojmë mesazhin që vetëm duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, vetëm duke punuar përditë e më shumë për të forcuar sigurinë në rajonin tonë, ne do t’u lëmë atyre një të ardhme më të mirë, një vend ku ata meritojnë të jetojnë, të zhvillojnë jetën e tyre. Besoj se rinia e meriton këtë mesazh.