(Kur Uruguai shpallej kampion, 1930)
Plot 60 vjet të shkuara, në qershor të vitin1958, student 20-vjeçar i vitit të tretë në fakultetin gjuhë-letërsi të Universitetit të Tiranës, i dhënë shumë pas sportit, dhe veçanërisht, futbollit, shkoja vazhdimisht te “Librin Sovjetik” dhe blija gazetën ”Sovjetskij Sport”.
Pas disa ditësh në Suedi do të fillonte kampionati botëror i futbollit, ku atëherë merrnin pjesë 16 dhe jo 32 si sot. Por u habita, kur në një shkrimin të kësaj gazete, që i kushtohej historisë së botërorëve të futbollit, lexova se në Uruguai, në këtë vend të vockël të Amerikës Latine, që ishte bërë arena e botërorit të parë i kësaj loje, e cila kishte pushtuar tërë rruzullin tokësor, kishin marrë pjesë vetëm…13 skuadra. (Dhe habitërisht midis tyre- dy vende ballkanike, Jugosllavia dhe Rumania).
Dhe kishte disa arsye, që po i rendis më poshtë:
Së pari, rruga ishte tepër gjatë dhe udhëtimi bëhej me anije. (Me avion as që bëhej fjalë, sepse një nga përpjekjet për të kapërcyer Atlantikun me ballonin gjerman “Hindeburg”, disa vjet më vonë, në maj të vitit 1937, ku ndodheshin 97 pasagjerë, së bashku me ekuipazhin, kishte përfunduar tragjikisht me vdekjen e 35 vetëve prej tyre, sapo ky ballon po ulej në aeroportin e Leikherstit, në SHBA .
Së dyti, ndikonte kriza e madhe ekonomike, që ato vite kishte pllakosur Amerikën dhe Evropën. Por kishte edhe arsye tekanjoze:
Po e nisim me anglezët. Ata i ranë shkurt: ”Ne kemi shpikur futbollin që luhet me kaq pasion kudo në botë, pra jemi ligjërisht kampionë të rruzullit tokësor!..”.
Italianët gjykuan ndryshe. Sapo kishin fituar Kupën Ndërkombëtare, ku merrnin pjesë skuadra të Evropës Qendrore, duke shpartalluar 5-0 Hungarinë, bash brenda në Budapest. Ishin kështu në ekstazë…
Edhe francezët ngurronin, por i shkundi Zhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s ai që kishte dhënë idenë e zhvillimit të një veprimtarie të tillë që do të bëhej kaq popullore në botë, të përligjur në kongresin e saj të zhvilluar në Barcelonë, më 1929 dhe që për nder të tij, u quajt Kupa Zhyl Rime.
Belgët, fqinjët e francezëve, morën pjesë në botërorin e parë, vetëm pasi i vuri përpara bashkatdhetari i tyre, Rudolf Seendraiers, që ishte as më shumë dhe as më pak, por… zëvendësi i Rimesë.
Nuk thonë kot që gratë shtien djallin në shishe. Kështu, bukuroshja Magda Lupesku, e dashura, që pastaj do të bëhej edhe gruaja e mbreti Karli II të Rumanisë, i cili ishte qejfi lojërash dhe gjahu, ia mbushi atij mendjen top që skuadra rumune të nisej për në aventurën e largët uruguajane.
Përkundrazi, mbreti i një vendit tjetër ballkanik, Aleksandri i Jugosllavisë, ose me fjalë të tjera, i mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, të mbiquajtur me këtë emërtim të ri gjeografik- Jugosllavi, që për herë të parë i shtohej gjeografisë së Evropës dhe ku përfshiheshin edhe Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, e shkëputur përdhunshëm nga trungu i Shqipërisë në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve, mbajtur në Londër, më 1913, pati shumë qejf që skuadra përfaqësuese e vendit të tij të ndërmerrte këtë rrugëtim në kontinentin e ri. Por puna është se kroatët nuk donin kurrsesi të luanin bashkë me sërbët në një skuadër. (Edhe sot ndeshjet midis Serbisë dhe Kroacisë, tashmë dy shtete të ndryshme, u ngjajnë kacafytjeve midis këndezave).
Skifter Këlliçi
Kështu u vendos që Jugosllavinë ta përfaqësonin futbollistët e dy klubeve të Beogradit, BSK dhe SK Jugosllavia dhe tre lojtarë, po serbë, që luanin në klube franceze.
Mos mund të ndodhte e njëjta gjë me një mbret tjetër të një vendi ballkanik, pra me mbretin tonë, Zog, dhe kësisoj Shqipëria refuzoi të shkonte në Uruguai?!..Jo. Shqipëria kishte halle të tjera, midis të cilave, varfërinë e skajshme…Sidoqoftë, më 1930 organizonte kampionatin e parë të futbollit e pastaj me radhë të tjerat, madje, fjala vjen, përpara kampionatit të futbollit në Bashkimin Sovjetik, që do të më 1936. Jo vetëm kaq, por më 1932 Shqipëria bëhej dhe anëtare e FIFA-s.
Veç këtyre po rendis dhe ngjarje të tjera që të bëjnë të vesh buzët në gaz, të cilat i kam lexuar më vonë në shtypin e huaj sportiv:
Çuditërisht, me të njëjtën anije italiane “Konte Verde” që u nis nga Gjenova, për në Uruguai, por pa… italianë, udhëtuan tri ekipe, ai i Francës, i Rumanisë dhe i Belgjikës. Bashkë me ta edhe presidenti Zhyl Rime, me Kupën e Botës, të mbiquajtur Kupa e Perendeshës së fitorës, Nike, vepër e skulptorit francez, Abel Lafrër, 30 cm, e gjate , me peshe 1.800 gr., por aq e lakmuar deri sa më 1970, të cilën, duke e fituar për tri herë, e zotëruan brazilianët.
Për çdo të pa pritur, Zhyl Rimeja e kishte vendosi kupën në kasafortën e kapitenit të transatllntikut.
Bashkë me taborin e mësipërm atje udhëtuan edhe tre gjyqtarë, belgët Zhan Langenus, që do të bëhet më pas personazh i këtij i rrëfimit të këtij botërori dhe Henri Kristof, si dhe francezi Xhon Baluei. Pra, ekipe që për 15 ditët që duheshin për të kapërcyer Atllantikun, u stërvitën ashtu si mundën në kuvertën e anijes .Dhe bashkërisht, nën vështrimin e gjyqtarëve, duke u miqësur me njeri-tjetrin, për t’u “armiqësuar” në fushat e futbollit…
Fatmirësisht “Konte Verde”, vërtet nuk kishte përmasat e “Titanikut” të famshëm, që më 1912 ishte fundosur, pasi ishte përplasur me një ajsberg, duke fundosur edhe rreth 1500 pasagjerë, por, sidoqoftë ishte bajagi i madh: 18 ton i rëndë, 173 metra i gjatë dhe 23 metra gjerë.
Pra, ndonëse me vështirësi, sepse topat jo rrallë fluturonin në ujërat e Atlantikut, për t’iu bërë pre e peshkaqevë, stërvitjet ato ditë udhëtimi, në një mënyrë a një tjeër, kaluan birinxhi mirë…
Në këtë anije u ndodh edhe basi njohur rus Shaljapin. Por siç dukej ai nuk kishte ndonjë “dashuri’ për topkëmbën, sepse as u nuk u pa ndonjëherë në kuvertë, kur futbollistët franko-belgo-rumunë stërviteshin paqësisht në kor, të ndjekur nga sytë kurrshtarë të qidra pasagjerëve të pasur, a të varfër, që dilnin të kurrshtur nga kabinat e tyre. Madje, as kur “Konte Verde” kapërceu Ekuatorin dhe në kuvertë shpërthyen këngë. Për më tepër, kur e ftuan që të këndonte për ta , dha këtë përgjigje:
” Unë nuk jam mballomaxhi që paguhet, kur rregullon shojet e shkarpave”.
Ndërkohë, jugosllavët, si të mos begenisnin “Konte Verden”, udhëtuan për në Uruguaj nga Marseja, me anijen “Florida”. Edhe brazilianët, po me anije zbarkuan nga Rio de Zhaneiro., zbarkuan në Montevideo.
Befasitë e ndeshjeve…
Vërtet Uruguai nuk ishte veçse një pikë e vogël në globin tokësor. Por, ama, ishte dy herë fitues i medaljeve të arta të futbollit në olimpiadat e Anversë dhe Parisit më 1924 dhe 1928. Dhe më 1930 kremtonte 100- vjetorin e pavarësisë. Ishin edhe këto arsyet e forta që e bindën FIFA-n që botërori i parë zhvillohej në këtë vend, që po bëhej i famshëm në botë vetëm nga… futbolli.
Montevideo kishte aso kohev stadiumin “Park Central” dhe”Procitos”, por jo aq të përshtatshëm për një ngjarje kaq të madhe sportive. Ndaj nisi rrufeshëm ndërtimi i stadiumit të quajtur enkas “Sentemario” (Njëqindëshi), me nxënësi prej 90 mijë shikuesish, që bashkë me stadiumin tjetër të Montevideos,”Park Central”, edhe ai i modifikuar, u bënë fushëbetejat e 18 ndeshjeve të Botërorit të Parë.
“Sentenario” përfundoi së ndërtuari brenda pesë muajsh pune skëterrore, që vazhdoi pa ndërprerje ditë e natë. Dhe u bë më përfundimisht gati më 18 korrik të vitit 1930, kur u përurua dhe botërori i parë i futbollit.
Mbi të gjitha, Uruguai dëshmoi se përsëri meritonte të mbante në dorë skeptrin e sovranit të futbollin të tërë planetin tonë, sido që vetëm midis 13 skuadrave, prej të cilave nga kontinenti plak ishin Belgjika, Franca, dhe dy skuadrat ballkanike, Rumania dhe Jugosllavia, që përmenda më sipër.
Boshllëkun e plotësonin një elitë skuadrash jugamerikane- Argjentina, Brazili, Kili, Meksika, Bolivia, Peruja…
Pra, gjithsej 13 skuadra. Numër ters? Por jo për disa: Këto ishin Argjentina me SHBA-në dhe Uruguai me Jugosllavinë, që arritën në gjysmëfinale. Latino-amerikanët sikur të luanin tenis, shpejt e shpejt “lanë hesapet” me kundërshtarët e tyre, me të njëjtin rezultat tenistik , 6-1 dhe kryqëzuan shpata në finale.
Duke shkruar këto radhë, m’u kujtuan episode të tjera që kam lexuar në libra revista të tjera, kushtuar këtij botërori që nisi më dëborë, meqë në hemisferin jugor ku shtrihet Uruguai bën dimër, për të përfunduar në një ditë pranverore, në takimin final.
Urugajanët dëshmuan traditën: u shtuan dy medaljeve olimpike dhe medaljet e kampionëve të botës. Argjentina, sidoqë udhëhoqi 2-1, kapitulloi pas tre golave të Seas, Iriartes dhe Kastros.
Argjentinasve u hipën xhindet në kokë. Pas humbjes në finalen e Olimpiadës së Amsterdamit më 1928, (2-1), dolën përsëri kokulur nga stadiumi…“Sentenario”.
Zemërimi arriti deri në Buenos Aires, ku turma tifozësh kërkuan t’i vënë flakën ambasadës uruguaiane. Dhe kjo, sepse argjentinasit ngulnin këmbë se në shkallët e “Sentenarios” ishte krijuar një gjendje e nderë që i kishte hutuar paraardhësit e Maradonës, deri në atë farë feje, saqë kishin humbur toruan, dhe, si pasojë, edhe ndeshjen, se, sikur ajo të ishte luajtur në kushte normale… ta shihnin ata uruguaianët mendjemëdhenj se ç’do t’u punonim, se ç’t’i bësh atij gjyqtarit… dhe kështu “fitorja na shkau nga duart”, e bla, bla, bla të tjera.
Kësaj zallalamahie i shpëtoi për mrekulli pikërisht gjyqtari belg, Langenus, që përmenda më sipër. Gjatë takimit me vërshëllimat e tij, ai jo rrallë ndëshkoi futbollistët e famshëm argjentinas, Andrade dhe Monti, pa e ditur se ç’telashe do t’i sillte vetes.
Në fakt, ishte gjyqtar me përvojë, që kishte nisur të gjykonte që më 1912, duke pasur rival të rreptë vetëm anglezin Stenli Rouz, i cili më pas do të bëhej presidenti i FIFA-s, dhe Marrasin, që edhe ai do të bëhej më pas presidenti i Federcalcios italiane.
Në Evropë kishte gjykuar në shumë fusha “të nxehta”, por jo si në Montevideo. Për të mos prishur qejf, vendosi me urtësi që në pjesën e parë loja të luhej me topin uruguajan dhe në pjesën e dytë me topin argjentinas, thua se topat të kishin fuqi çudibërëse.
Por jo gjithcka shkoi vaj…
Kështu, me të mbaruar ndeshja, ashtu siç ishte, i veshur, me xhaketë kadifeje, në xhepin e sipërm të së cilës kishte varur bilbilin, me killota, këmishë të bardhë dhe kravatë, (çuditërisht rregullorja e atëhershme e futbollit e lejonte këtë… luks,), doli nga një derë e fshehtë e stadiumit, iu turr një makine, e cila e përcolli drejt e në port, ku e priste anija shpëtimtare, nga çdo sulm i tifozëve argjentinas që donin ta shqyenin. (A nuk ndodhi kështu në gjysmëfinalen e Champions Ligës së vitit 2009 në Londër midis “#elsit” vendas dhe Barcelonës, ku gjyqtari norvegjez Obredo, ia mbathi nga një derë pas hotelit ku bujte, si në filmat holivudianë, për t’u shpëtuar tifozëve anglezë për dy njëmbëdhjetëmetërsha që padrejtësisht nuk ua dha ?)..
Sidoqoftë, kujtimi i finales së Botërorit të Parë, në Montevideo, do ta bënte Langenusin të ndjehej krenar, derisa të mbyllte sytë më 1952, pasi kishte gjykuar 84 takime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndeshje të botërorëve, më 1934 në Itali, dhe më 1938 në Francë.
Po të kthehemi edhe një herë te ndeshja Uruguai-Argjentinë…
“Debatet që qarkullonin vetëm në rrethe të mbyllura sportive,- u frynë e morën përpjesëtime të madha. Nuk mbeti prapa edhe shtypi. Ato pastaj u kthyen në sharje dhe fyeje. Si pasojë, marrëdhëniet “diplomatike” midis dy federatave përkatëse të futbollit u ndërprenë me afat të pacaktuar.
Megjithtatë, fakti mbetet fakt: Uruguai, i njohur për kopetë e bagëtive, që zinte një rrip tokë në juglindje të Amerikës së Jugut, me një popullsi që mezi kapërcente dy milionët ishte tashmë “Meka e futbollit botëror”.
Emrat e kampionëve të parë të botës:
Balestro, Andrade, Fernandes,Pestido,Nazaci,Maskeeroni, Dorado, Skarone.Kastro, Sea,Iriatre, u shënua në librin e artë të botërorëve te futbollit.
Nënkampionët:
Botaso, DelaTore, Paternoster ,Evaristo,Monti, Juares,Peusele, Varalo, Stabile, Ferreira, .Evaristo
Golshënuesi më i mirë:
Stabile (Argjentinë),8 gola.
Nga galeria e yjeve:
Stabile,(Argjentinë),Nazazi, (Uruguai), Maskeroni ,(Uruguai), Monti,(Argjentinë), Skarone, (Uruguai);
Ndeshje-18
Gola-70,(3.89 për ndeshje)
Shikues-590.549,( 32.808 për ndeshje).
Komentet