“Rikthimi i Ismail Qemalit” nga përtej jeta, e lexova me një frymë në romanin e bijës së shquar të Kaninës, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj), një penë e rrallë në historinë e letërsisë sonë, e cila për 16 vjet ka nxjerrë nga shtypi mbi tridhjetë libra, romane, novela tregime, ese, etj. Pa llogaritur artikujt e saj “të dëshpëruar” posaçërisht për mbrothësinë e vendit në tranzicionin e tejzgjatur të demokracisë së ashtuquajtur parlamentare, pluraliste. E lexova me një frymë aspak i nxitur nga parathëniet, në këtë libër, të dy njerëzve të shquar të mendimit intelektual, përkatësisht Dr. Fatmir Terziu dhe Prof. Dr. Eshref Ymeri, të cilët, të them të drejtën, si njerëz të lartësuar në fushën e letërsisë, janë përpjekur boll, si e si, të pajtojnë ose të përqasin figurën madhore të Ismail Qemal Bej Vlorës, me përshkrimin e penës të së talentuarës Vranari, portretizimin që ajo i bën artistikisht njërit prej personaliteteve më të mëdha e të vështirë të kombit tonë, por gjithsesi, në mënyrë lavdëruese.
Pa guxuar as njeri, as tjetri të hyjë tek nevoja që ka pasur shkrimtarja për të ngritur nga varri “Babanë e Kombit” dhe t’i rrëfehet atij (nëpërmjet gojës së dy të rinjve) për gjithçka ka ndodhur e po ndodh sot me popullin, për të cilin ai sakrifikoi e bëri aq shumë sa ishte gjallë e me këmbët mbi tokë. Në promovimin e këtij libri, i pari i këtij lloji, i cili ka meritën e padiskutueshme që na i sjellë të gjallë, artistikisht madhështorin Ismail Qemal Bej Vlorën, ndoshta jo në lartësinë e një diplomati apo shtetari të rangut që ishte ai për kohën, por të një prindi apo të një edukatori, që na ngushëllon, miklon me këshillat dhe porositë e mençura e të ngrohta të një plaku fisnik e atdhetar. Në fjalën time që m’u rezervua me respekt në atë tubimin e jashtëzakonshëm, me pedagogët dhe studentët e universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nuk i thashë të gjitha fjalët e mia të zemrës për këtë vepër të mrekullueshme artistike me vlera të rralla edukuese për brezin e ri. Vetëm se ishte koha e kufizuar, siç më thanë. Më ngelën pa thënë, p.sh. se romani në fjalë nuk ishte shkruar vetëm me qëllim për të risjellë Ismail Qemal Bej Vlorën, në memorien e lexuesve të dashur të shkrimtares, dekoruar me Urdhrin “Mjeshtri i madh i penës”, por një nevojë e domosdoshme e saj për t’u rrëfyer për brengat dhe problemet e mëdha që ka pasur e ka populli ynë qysh nga shpallja e Pavarësisë, me të cilat shkrimtarja u përballë dhe po përballet vetë dhimbshëm. Duke iu rrëfyer “Babait të Kombit”, shkrimtarja beson se tek ai mund të gjejë njeriun e vetëm që do ta kuptonte, si askush tjetër i vdekur apo i gjallë, marrë aq shumë me punët e kombit e të shtetit shqiptar. E ardhur nga një familje historike e popullit të vet, stërmbesë e Aranitit të madh, vjehrrit të Skënderbeut legjendar, ajo nuk rreket të na përsërisë në librin e shkruar gjëra që i tregon historia, ndryshe nuk do të kishte marrë guximin për të na i sjellë formuesin e kombit e të shtetit të parë shqipwtar, ashtu siç e donte ajo.
Me fantazinë e shfrenuar të një artisteje e ngre nga gjumi shekullor burrin e madh të shtetit shqiptar dhe e shëtit nëpër rrugët e Vlorës, jo pa qëllim. Që ai të shohë ndryshimin e madh të vendlindjes, por ndërkohë edhe të mësojë ç’ka ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, gjatë kohës që ka munguar. Ndoshta për të parë ato gjëra që nuk mundi t’i bënte në kohën e tij, por edhe për ato që duheshin bërë ndryshe ose edhe për ato që janë bërë gabim. Mjeshtëria e shkrimtares nuk qëndron tek aftësia e saj për të na treguar pamjen apo karakterin e vërtetë të njeriut që bëri epokë në historinë e kombit tonë, por tek interesi që ka lexuesi çfarë ai na thotë për të “Djeshmen” dhe si reflekton ndaj të tashmes. Ky është, mendoj unë, sekreti që shkrimtarja na e mban fshehur mjeshtërisht midis dialogëve të Ismail Qemal Bej Vlorës, me dy të rinjtë, njeri prej të cilëve është student i universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. I trishtuar nga rrëfimet e studentit për çka i tregon lidhur me regjimet, nëpër të cilët shqiptarët kaluan këto njëqind vjet dhe nga koha e largimit të tij nga kjo jetë, diktatura komuniste e trishtoi më shumë babanë e kombit. Por si burrë i mençëm e me përvojë të madhe që ishte, përgjigjet:
– Të mençurit nuk thonë kot, “Ruaju nga lufta brenda llojit, sepse është e tmerrshme, pasi të çon në urrejtje dhe hakmarrje pa fund”. Kam parasysh tmerret që po më thua dhe ndjehem tejet i tronditur. Tani e kam të qartë mosbesimin tuaj tek e tashmja dhe e nesërmja. Kur të kanë bërë një mijë e një të zeza, edhe kur të troket lumturia, që ndoshta vetëm njëherë të vjen në jetë, ti ke frikë t’ia hapësh derën menjëherë. E marrë me mend se sa e vështirë është t’ia nisësh sërish nga e para në këto kushte pasigurie. Janë pikërisht këto padrejtësi që hasen në rrugën e jetës sonë – vazhdon studenti – shkaku që shqiptarët ndjehen të lodhur, të drobitur e të zhgënjyer. Ndaj vjen një çast dhe kërkojnë drejtësinë dhe dashurinë e munguar në kohë. Po ku, ku ta gjejnë vallë? Nuk dinë më se kujt t’i besojnë, sepse jo vetëm i kanë mashtruar, por edhe janë vetëmashtruar nga njohja e pamjaftueshme e realitetit.
– Duket haptazi, se ju keni nevojë për dashuri, i përgjigjet burri i mençëm. Që të shembet ky mur betoni, krijuar mes këtij realiteti dhe ndërgjegjes së ndotur, çdo njeri duhet të shohë brenda vetes, për të zbuluar gabimet e veta. Atëherë është në gjendje t’i bëjë mirë vetes dhe t’u bëjë mirë edhe të tjerëve.
-Po për vuajtjet çnjerëzore kush do të përgjigjet vallë? (Në diktaturë, B. Çoku). Njerëzve u iku jeta, rinia, u ngriu buzëqeshja, u venitën ëndrrat, iu shuan shpresat, nuk e njohën kurrë lumturinë, madje nuk dinin më edhe pse merrnin frymë.
– Bir, në të gjithë historinë botërore tragjeditë e kombeve të vegjël dalin nga portat e shteteve të mëdha. Mjerë kush është i vogël dhe lum kush është i duruar…
Jo më kot, autorja provokon bisedat të tilla me këtë temë, me babanë e kombit, pikërisht stërmbesa e shqiptarëve të shquar, të cilën e ka lajtmotivin e të gjithë përmbajtjes së romanit, sepse “gjuha shkon te dhëmbi që dhëmbë”. Pse, kujt tjetër mund t’i ankohej kjo grua me zemër të madhe e kombit të vet, padyshim nga më të shquarat ndër gratë e talentuara dhe humane që ka nxjerr toka jonë, teksa ende nuk e ka gjetur qetësinë shpirtërore për të provuar, mes atyre shqiptarëve që, posi ajo vuajtën kalvarin e regjimit komunist, se një ditë e vërteta dhe drejtësia do të triumfojë? Unë kam shpresë dhe besim se në të ardhmen shkrimtarja do të vazhdojë të na mallëngjej e të na edukojë me praninë e Ismail Qemal Bej Vlorës, duke “shëtitur” me të edhe jashtë nahisë së Vlorës e Kaninës së bukur, ndër vise të tjerë po kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse erdhi koha, më së fundi, që t’i kemi kaq pranë paraardhësit tanë të shquar, me fjalët dhe këshillat e tyre shumë të vyera për një të ardhme më të ndritur.