Konsolidimi i diktaturës Staliniste :
Shtator 1948 – Dhjetor 1954
Kjo fazë përfaqëson konsolidimin politik të diktaturës komuniste, që u shënua nga një rritje e mëtejshme e terrorit dhe përndjekjes. Në të dhënat e Institutit të Integrimit janë regjistruar 836 ekzekutime të kryera gjatë kësaj faze. Më 1950 u dhanë 7168 dënime me burgim, 2000 dënime me internim, në një total prej 9168 dënimesh. “Lufta e klasave” gjatë kësaj faze njohu shtrirje dhe ashpërsim të mëtejshëm. Pati disa përmirësime në kushtet e të burgosurve, megjithëse në një shkallë fare të vogël. Në fillimet e kësaj faze, niveli i lartë i krimeve të mëparshme iu atribua veprimtarisë armiqësore të Koçi Xoxes, që ishte nën ndikimin e Jugosllavëve. Në këtë linjë një numër i madh komunistësh u konsideruan si të përndjekur padrejtësisht dhe u rehabilituan.
Popullsia e Shqipërisë në atë kohë ishte 1.218.900 banorë. Kështu që 1 në 132 persona ishte në burg. Pas vitit 1950 u ngritën burgje të mbyllura në Elbasan, Durrës, Berat dhe Gjirokastër, dhe 4 kampe pune në Tiranë dhe Lushnje. Harta e burgjeve ndryshoi tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe arsyet ishin:
1)Për shkak të politikës penale numri i dënimeve me burgim u rrit. Kapaciteti fillestar i burgjeve ishte 3000 persona, por numri i të burgosurve në to ishte 7000.
2) Shfrytëzimi i të burgosurve për punë (në gjithë vendin u ngritën 10 kampe pune).
Kushtet në burgje ishin tejet të vështira. Raporti vjetor i Drejtorisë së Burgjeve dhe Kampeve i vitit 1954 tregon se kushtet në burgje ishin përmirësuar, ose nuk kishte më raste arratisjesh, se trajtimi i të burgosurve ishte përmirësuar dhe se respektoheshin të drejtat e njeriut. Por, nga evidencat e së njëjtës drejtori, bëhet e ditur se gjatë këtij viti kishte 77 raste të vdekjes në burg dhe 53 të vdekjes në kampet e internimit. Më 1954 kishte 5 burgje dhe 4 kampe. Burgjet ishin të vendosur në Tiranë, Vlorë, Korçë, Burrel, dhe Shkodër.
Faza e liberalizimit në kampin socialist: 1955 – (Dhjetor) 1959
Nën ndikimin e ndryshimeve liberalizuese pas vdekjes së Stalinit, në të ashtuquajturin “Kamp Socialist”, ku përfshihej edhe Shqipëria, pati një rënie të ndjeshme të dhënies së dënimeve për arsye politike, të internimeve si dhe një zbutje të “Luftës së Klasave” në përgjithësi. Masa u morën edhe në kampet e punës, të cilët nuk konsideroheshin më si “kampe shfarosje”, por trajtimi i të dënuarve ishte gjithësesi jashtë standarteve dhe normave ndërkombëtare: të dënuarit flinin në çimento, rriheshin sistematikisht për masa disiplinore, ushqimi i ishte i pamjaftueshëm, etj. Me qëllim që t’i mbanin të burgosurit nën një klimë terrori, për shkak të tentativave të shpeshta për arratisje, gjatë kësaj faze u ekzekutuan katër të burgosur.
Modeli “kinez” i totalitarizmit në Shqipëri: 1960 – 1990
Kjo fazë mund të ndahet në disa nënfaza:
1) 1960 – (Qershor) 1973
Gjatë kësaj faze, lufta e klasave u rikthye në metodat staliniste. Rifilluan gjykimet dhe dhëniet e dënimeve me vdekje. Gjatë kësaj faze u kryen 139 ekzekutime. Kjo fazë përfaqëson një izolim të plotë të Shqipërisë nga blloku i Evropës Lindore dhe përqafimin e modelit kinez të totalitarizmit. Nën shembullin e këtij modeli, muzika dhe letërsia e njohur botërore, elementet e pronës private dhe sidomos besimi dhe ritet fetare u ndaluan. Nën pretekstin e krijimit të të ashtuquajturit “Njeriu i Ri”, u ndërmorën një sërë ndërhyrjesh në sistemin e edukimit në shkolla, në stilin e jetës e në marrëdhëniet shoqërore. Shkeljet e të drejtave të njeriut arritën kulmin e tyre gjatë kësaj faze. Më 1961 në Shqipëri ishin 4345 të burgosur të ndarë në gjashtë kampe pune dhe katër burgje.
Numri i amnistive për të burgosurit në këtë fazë ra ndjeshëm. Në nëntor 1962, për festën e 50-Vjetorit të Pavarësisë u dha amnisti për 1211 të burgosur ordinerë dhe 144 të burgosur politikë. Me urdhër të Këshillit të Ministrave më 1966, të burgosurit e dënuar me punë të detyruar nisën ndërtimin e 150 apartamenteve. Më 1962, riedukimi politik nisi të praktikohet ndër të burgosurit ordinerë, por gjithashtu edhe ndër të burgosurit politikë. Në amnistinë e përgjithshme të këtij viti u falën 179 të burgosur politikë. Më 1966, në Kuçovë u ngrit kampi i parë i punës së detyruar vetëm për gra, të cilat më parë mbaheshin në kampin e Tiranës. Kushtet e jetesës në këtë kamp ishin tejet të vështira, në një dhomë të vetme jetonin 60 gra të burgosur.
2) (Korrik) 1973 – (Dhjetor) 1981
Kjo mund të përkufizohet si faza “kundër liberalizmit”. Lufta e klasave u bë më e ashpër në të ashtuquajturin “front ideologjik”. Kjo periudhë dallohet gjithashtu për sulme të rënda ndaj drejtuesve të lartë të partisë në ekonomi dhe ushtri, shumë prej të cilëve u dënuan me vdekje ose me burgime të gjata. Po ashtu në këtë periudhe u goditën edhe artistë, shkrimtarë dhe kompozitorë. Një shembull tipik i përndjekjes në sferat e artit ishte denoncimi i Festivalit të 11-të në Radio e Televizion. Më 1973 numri i të dënuarve u rrit në masën 28%.
Gjatë kësaj faze, u shënua një rritje e dhënies së dënimeve administrative, që në thelbin e vet ishte një ndikim i modelit kinez. Numri i ekzekutimeve gjatë kësaj periudhe është 74. Më 1978, 129 të burgosur dhe 48 të internuar vdiqën në vendet e vuajtjes së dënimit. Si rezultat i politikës së jashtme të Enver Hoxhës, pas afrimit të Kinës me politikën amerikane, Shqipëria mbeti e vetme në një izolim të plotë. Ajo u vetëdeklarua “i vetmi vend socialist në botë”. Për të ruajtur pushtetin, Hoxha vazhdoi të ushtronte një terror të skajshëm.
3) 1982 – (Prill) 1985
Periudha që pasoi prishjen me Kinën u shënua nga eleminimi i personave që prisnin të ishin pasuesit e Enver Hoxhës, dhe nga përcaktimi i zëvendësuesit të tij përfundimtar, Ramiz Alisë.
4) 1985 – (Dhjetor) 1991
Pas vdekjes së Hoxhës, Alia ndoqi rrugën e paraardhësit të tij, ndërkohë që vendi përballej me probleme të mëdha ekonomike. Numri i ekzekutimeve gjatë kësaj periudhe ishte 88. Por, si rezultat i rritjes së presionit nga ngjarjet që po ndodhnin në Evropën Lindore dhe situatës ekonomike katastrofike të krijuar në vend, regjimi u detyrua të lejonte zhvillimin e disa proceseve demokratike. Kjo solli pluralizmin politik dhe lejimin e besimit fetar në vitin 1990. Shqipëria ishte vendi që kishte realizuar më pak reforma në krahasim me vendet e tjera komuniste si dhe i fundit që lejoi pluralizmin.
1.2 Krimet e kryera dhe aktorët kryesorë
Në interpretim të zgjeruar të legjislacionit mbi përndjekjen politike, Qendra Shqiptare për rehabilitimin e Traumës dhe Torturës dokumenton këtë realitet ligjor:
Dënime penale
– Dënimi me vdekje
– Burgim deri në 25 vjet
– Internim (si një plotësim i dënimit)
Dënim adimistrativ
– Dëbim/Internim
– Punë e detyruar
– Heqje e të drejtës për të ushtruar profesionin (për fshirë këtu artin dhe sportin)
– Shkarkim nga postet
– Transferim
– Presion për t’u divorcuar
– Përjashtim nga shkolla e lartë
– Heqje e të drejtës së pensionit
Dënimet nuk jepeshin vetëm për “veprimtari” kundër shtetit apo partisë, por edhe për “shfaqje të ndikimeve ideo-politike të ndryshme” apo për stil jete “borgjezo-revizionist”. Kodi Penal parashikonte dhënien e dënimit me vdekje edhe në ato raste kur nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprimtari armiqësore apo kur kjo e fundit nuk kishte sjellë asnjë pasojë. Dënimi me vdekje parashikohej edhe në nenet e kushtetutës për agjitacion e propogandë, arratisje, sabotazh në art, kulturë, etj. Gjatë viteve të para të vendosjes së diktaturës, ishte mjaft i përhapur diskriminimi i qytetarëve që i përkisnin shtresës së pasur të shoqërisë shqipëtare apo familjeve me një të kaluar intelektuale e politike
Krimi i agjitacionit dhe propogandës ka
qenë në vend të parë ndër krimet e tjera politike edhe në vitet e tjera të mëvonshme. Ngritjet dhe uljet e krimeve politike, sidomos për agjitacion e propogandë, duket që varen më shumë nga mënyra e hetimit, procedura dhe gjykimet se sa të kenë ndodhurme të vërtetë. Në disa raporte të Prokurorisë së Përgjithshme mbi ligjshmërinë në zbatimin e masave të arrestimit apo ndalimit për krime politike, konstatohet të ngrihen probleme për shkelje të procedurave dhe mos mbështetjen mbi prova për vërtetimin e shkeljeve. Në një raport të posaqëm të Prokurorisë së Përgjithshme 12.9.1959, të titulluar “konstatime mbi gabimet gjatë pyetjes së të pandehurit”[1], thuhet se në shumë raste pyetjet e të pandehurve kryhen me metoda të shtrembura dhe në një ambient nervozizmi. Dënimet e personave që mbanin poste partiake ose shtetërore, gjatë regjimit komunist, kishin shtrirje zinxhir duke përfshirë shumë pauses të tjerë, për shkak të ndërtimit të strukturave partiake dhe shtetërore, të cilat në shumë raste përbëheshin nga familje, burrë grua, plus farefis dhe lidhje miqësore.
Kampet e punës ishin një “shpikje” shqiptare: një përgjigje çnjerëzore e pamundësisë dhe garantimit të strehimit dhe kushteve minimale të burgjeve shqiptare.
[1]Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi Prokuroria e Përgjithshme (492),d.26,v.1959, fl.1