Voal – Euralius dorëzoi mbrëmë në kuvend ligjin për vetingun të ripunuar bashkë me ultimatumin e SHBA-së dhe BE-së për ta miratuar nesër dhe jo në shtator.
Euralius ka përpunuar ligjin për vetingun, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Burime zyrtare të 27.al thanë se projektligji i punuar ka mbërritur mbrëmë tek deputetët e mazhorancës dhe opozitës me qëllim që ai të miratohet në seancën parlamentare të së enjtes.
Është fjala për Projektligjin “Për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ky është një nga shtatë ligjet e reformës në drejtësi, i cili do të duhet të miratohet patjetër brenda korrikut.
Megjithse Kuvendi i Shqipërisë e kishe shtyrë për në shtator miratimin e shtatë ligjeve, ky projektligj me sa duket është i domosdoshëm të miratohet tani, brenda korrikut pasi është thelbësor për të bërë funksionale ndryshimet kushtetuese.
Bashkimi Evropian dhe SHBA i kanë kërkuar politikës shqiptare të mos shtyjë miratimin e shtatë ligjeve ose të paktën njërin prej tyre duhet ta miratojë medoemos brenda korrikut.
Është me kaq rëndësi ky ligj pasi ka të bëjë me nisjen e punës për prokurorët që do të kryejnë procesin e vetingut.
Sipas projektit të ekspertëve ndërkombëtarë, dhjetë prokurorët do të duhet të nisen për trajnim në SHBA pranë FBI-së dhe i gjithë procesi i trajnimit do të duhet të përfundojë brenda tre muajve.
Sipas parashikimit të ndërkombëtarëve, pas trajnimit dhjetë prokurorët do të nisin punë në fundin e muajit tetor për të dhënë rezultatet e para të reformës në drejtësi në nëntor.
Për këtë arsye, ambasada e BE-së dhe SHBA-së ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë të miratojë shtatë ligjet brenda korrikut dhe në pamundësi për t’i miratuar të gjitha, të paktën një prej tyre duhet miratuar patjetër.
Ai është ligji ku përfshihet edhe procesi i vetingun, Projektligji “Për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komentet