Ajo që ndodhi në UNESCO me votimin për anëtarësimin e Kosovës është nga ato ngjarje diplomatike, e cila nuk kuptohet plotësisht duke e parë vetëm në raportin Serbi-Kosovë dhe as vetëm në raportin rajonal. Ajo bëhet e kuptueshme, duke e parë në një raport gjeopolitik europian. Është e mjerë përpjekja për të shtuar konfuzionin, duke e futur në labirinte fetare, ku synojnë ta devijojnë disa levantinë të sponsorizuar proserbë, këtej dhe andej kufirit, që mendojnë se kanë bërë zbulim të madh, duke i drejtuar gishtin vetëm Palestinës dhe disa shteteve arabe myslimane, dhe duke harruar se shumica e shteteve katolike latino-amerikane, shumica e shteteve ortodokse në Ballkan dhe Euroazi, dhe shumica e shteteve budiste, hinduiste, komuniste etj. në Azi, nuk e dhanë votën për Kosovën. Ajo që ndodhi në UNESCO, është një çështje diplomatike në përmasa europiane, e cila kërkon një reflektim të thellë nga diplomacia e BE-së, për të gjetur shkaqet, elementet dhe faktorët e kësaj lufte gjeopolitike, që ka shpërthyer në kontinentin europian që në vitin 2013 dhe po vazhdon, nga Ukraina e deri në Ballkan.
Agresiviteti dhe histeria diplomatike e Serbisë dhe e protektorit të saj, Rusisë, kundër anëtarësimit të Kosovës, në analizë të fundit ishte më tepër betejë diplomatike dhe gjeopolitike kundër BE, sesa kundër Kosovës. Sepse, sjellja e diplomacisë serbe dhe ruse është vazhdim i një zinxhiri të gjatë aktesh dhe lëvizjesh antieuropiane dhe antiperëndimore, rrënjët e të cilit duhen kërkuar jo vetëm në strategjinë lindore dhe bizantine të Moskës për të influencuar dhe kontrolluar në Europë. Duhen kërkuar edhe në dobësitë dhe në lëshimet, në mosnjohjen dhe në tolerancën, që diplomacia e BE ka manifestuar ndaj Serbisë gjatë 15 vjetëve, që nga largimi i regjimit diktatorial të kriminelit ndërkombëtar të luftës, Sllobodan Millosheviç.
Fushata antiperëndimore, që Serbia dhe Rusia ndërmorën me rastin e votimit në UNESCO, ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj BE-së dhe ndaj diplomacisë europiane. BE është organizuesja, ndërmjetësja dhe drejtuesja e procesit të normalizimit dhe hartuesja e marrëveshjeve të arritura midis Serbisë dhe Kosovës në bisedimet e tyre në Bruksel. BE dhe diplomacia e saj është garantuesja ndërkombëtare e respektimit dhe e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit midis Serbisë dhe Kosovës. Është një nismë diplomatike pozitive dhe e nevojshme. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE, është arritur që Serbia të bjerë dakord dhe të nënshkruajë në nivel kryeministri për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si shtete të pavarura, pavarësisht artificeve diplomatike, që janë shpikur për të ruajtur të ashtuquajturin status neutral të BE për statusin e Kosovës, për shkak se pesë shtete të BE nuk e njohin ende atë. Frut i diplomacisë së BE është marrëveshja e njohur e 19 prillit 2013 midis Serbisë dhe Kosovës, ku Serbia angazhohet se nuk do të bllokojë dhe nuk do të inkurajojë shtetet e tjera të pengojnë integrimin e Kosovës në BE. Serbia e kishte dhe e ka të qartë, se në BE anëtarësohen shtetet dhe jo krahinat. Garantuese e kësaj marrëveshjeje bazë dhe e gjithë procesit të normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë është BE. Tani BE sfidohet në rolin e saj ndërkombëtar si garante e marrëveshjes për mospengimin e Kosovës nga Serbia për anëtarësim në BE dhe Beogradi bllokon hapur anëtarësimin në një organizatë ndërkombëtare të kulturës, arsimit dhe shkencës. Që ironia të jetë më e madhe, në krye të fushatës kundër anëtarësimit të Kosovës ishte po Ivica Daçiç, që ka vënë firmën në marrëveshjen e Brukselit për mospengimin e Kosovës për në BE. Vështirë se mund të gjendet naiv të besojë se Serbia, e cila nën drejtimin e Rusisë ndërmori një fushatë kaq agresive dhe histerike kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, do të jetë zemërgjerë për ta pranuar në BE, nëse bëhet anëtare para Kosovës. Ndaj, nuk mund të mos lindë natyrshëm pyetja, se si diplomacia e BE e kundroi pa reaguar gjithë këtë fushatë agresive diplomatike të një shteti kandidat dhe nuk u prononcua njëherë që t’i kujtonte Beogradit, se ai ka firmosur detyrimin ndërkombëtar për të mos penguar Kosovën në BE, dhe e pengon në një organizatë kulturore.
Nuk mendoj se ka hapësirë justifikimi nga fakti se pesë shtete anëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Ato pesë shtete kanë rënë dakord, si me bisedimet Serbi-Kosovë nën drejtimin e BE, ashtu dhe me marrëveshjet e Brukselit për pranimin e të dyja vendeve në BE, dhe nuk përligjet mosdhënia e votës nga ana e tyre, sepse ata praktikisht janë dakord që Kosova të anëtarësohet në BE, por nuk qenkan dakord që të anëtarësohet në UNESCO. E papranueshme nga çdo pikëpamje logjike dhe diplomatike është abstenimi i Polonisë, një anëtare e BE dhe e NATO-s, për të cilën Shqipëria është e detyruar të shkojë të luftojë, si dhe Polonia për Shqipërinë, në bazë të nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s. Nuk është e qartë pse nuk u prononcua asnjëherë diplomacia e BE dhe zëdhënësit e saj të panumërt për retorikën luftënxitëse të Beogradit dhe krijimin e një klime antikosovare si në Serbinë e mesit të viteve ’90. Askush në Bruksel nuk u dëgjua, kur Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ish-anëtar i kabinetit të Millosheviçit, thirri pak ditë para votimit në UNESCO gjithë trupin diplomatik në Beograd dhe u shfaqi dokumentarë serbë për ngjarjet e marsit 2004, ku përmendeshin vetëm prishja e disa kishave serbe dhe vdekja e disa serbëve, në një kohë që numri i shqiptarëve të vrarë nga serbët në marsin e 2004-ës është dyfishi i viktimave serbe. Nuk u prononcua diplomacia e BE as për fjalimet e papranueshme raciste të ministrit të Jashtëm serb, i cili e krahasoi Kosovën me ISIS-in. Fliste kështu ministri, i cili kryeson OSBE-në, duke diskredituar votën e atyre shteteve, përfshirë Shqipërinë, e cila në vitin 2012 dha pëlqimin që Serbia të merrte kryesin e radhës të OSBE-së, duke i dhënë mundësinë ministrit të Jashtëm serb ta keqpërdorte gjithë vitin 2015 postin e OSBE-së për të sulmuar Kosovën.
Nuk është kuptuar asnjëherë, pse BE nuk reagon ndaj rolit dhe instrumentalizimit, që Rusia po i bën Serbisë në rajon, në dëm të interesave europiane dhe perëndimore. Nuk ka reaguar Brukseli, kur Serbia “neutrale” u bë në 2012-ën vëzhguese në organizatën ushtarake CSTO, të drejtuar nga Rusia. Nuk ka reaguar, kur Rusia ndërtoi bazën humanitaro-ushtarake të saj në Nish të Serbisë në vitin 2009. Nuk ka reaguar, as kur Serbia “neutrale” nënshkroi marrëveshjen e partneritetit strategjik me Rusinë në vitin 2013, dhe as kur Serbia zhvilloi për herë të parë në territorin e saj manovra ushtarake me forcat desantuese ruse në vitin 2014. Nuk po reagon as tani, pas kontratës së madhe ushtarake prej pesë miliardë eurosh, që nënshkroi kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç në Moskë, muajin e kaluar, ku përfshihet edhe prurja e raketave ruse në Serbi. Nuk është e qartë se çfarë shkallëzimi tjetër pret BE nga Rusia. Heshtja mund ta bëjë BE-në të gjendet para të papriturave gjeopolitike ruse në Ballkan, si ato që shkaktoi presidenti rus Vladimir Putin në Krime dhe në Siri.
Politika preferenciale ballkanike e BE, e ndërtuar mbi rolin ekskluziv dhe trajtimin selektiv të Serbisë në rajon, ka sjellë rezultate të padëshiruara, krejt të ndryshme nga ato që kanë menduar planifikuesit politikë dhe strategjikë të BE. Indulgjencat dhe ofertat preferenciale të BE ndaj Serbisë nuk e kanë dobësuar, përkundrazi, e kanë forcuar faktorin radikal, nacionalist dhe prorus, në politikën e Serbisë. Është vendi të kujtohet këtu, se qeveria e kryeministrit V. Koshtunica u tall me marrëveshjen e MSA, që ia ofroi Brukseli Serbisë, ende pa i përmbushur kriteret, dhe Beogradi në janar 2007 refuzoi ta nënshkruante atë marrëveshje të rëndësishme, një rast pa precedent në historinë e marrëdhënieve të BE me të gjitha vendet ballkanike, të cilave u ka nxjerrë qumështin e nënës, para se t’u akordonte MSA-në. Në vitin 2012, BE i akordoi Beogradit statusin e shtetit kandidat, pa përmbushur ende kriteret, dhe rezultati qe fitorja e forcave nacionaliste radikale, me në krye presidentin aktual, i cili deklaronte se Serbia më mirë të bëhet gubernë e Rusisë, sesa anëtare e BE-së.
Kronika e gabimeve të diplomacisë europiane në tolerancën e saj ndaj Serbisë është tepër e pasur, por ajo që bën përshtypje, është fakti se shkallëzimi i qëndrimit antiperëndimor të Beogradit, që nga kundërshtimi i sanksioneve të BE ndaj Rusisë e deri tek aleanca e rrezikshme ushtarake me Rusinë, nuk duket se ka shkaktuar nivelin e pritshëm të alarmit, siç dëshmon vazhdimi i gabimeve europiane të politikës preferenciale. E kërkon një shpjegim shkaku i kësaj mbylljeje sysh përpara së vërtetës së hidhur gjeopolitike, së cilës Serbia po i shtron rrugën dhe po e sjell Rusinë dhe influencën ruse në Ballkan. Një përgjigje e supozuar, që mund të jepet, është ajo që lobi rus në BE duket të jetë i fortë, derisa konstatohet një politikë ballkanike e fokusuar pikërisht tek aleati i vetëm strategjik i Rusisë në Ballkan. Ky lob rus mund të detektohet në dy drejtime. Së pari, në drejtim të diplomacisë së disa shteteve të BE, të cilat, me sa duket, janë më të interesuara individualisht për përfitimet energjetike dhe ekonomike në marrëdhëniet me Rusinë, sesa për kohezionin e organizatës së BE. Së dyti, në lobingun e emrave konkretë të njërit apo tjetrit kryetar shteti apo qeverie të ndonjë vendi europian, të cilët janë prorusë për arsye personale dhe të cilët e kanë afishuar hapur prorusizmin apo proputinizmin e tyre, që nga Presidenti i Çekisë, Kryeministri i Sllovakisë, Kryeministri i Hungarisë, e deri te gjithë presidentët e Qipros.
Dobësia në diplomaci gjeneron thellimin e dobësisë dhe jo shërimin e saj. Kjo ka bërë që edhe politika kontinentale e ndikimi global i BE në planin diplomatik të hyjë në një grafik në ulje, siç dëshmoi edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Është një zhvillim, që duhet ta bëjë diplomacinë europiane të ndërmarrë një rivlerësim të politikës së saj ballkanike dhe sidomos të qëndrimit të saj preferencial ndaj Serbisë. Kjo është një kërkesë tepër aktuale gjeopolitike. Përvoja e marrëdhënieve të Perëndimit me Serbinë e ka modelin e madh të sjelljes diplomatike efikase ndaj Serbisë. Është modeli, që diplomacia amerikane ka përdorur dy herë në dy momente kyçe të krizave ballkanike, si lufta e Serbisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe lufta e Serbisë në Kosovë. Ka qenë metoda e shtrëngimit dhe e presionit të fortë, të ushtruara mbi Serbinë, që e detyruan Beogradin të tërhiqej në të dyja luftërat agresive. BE ka qenë dëshmitare dhe pjesëmarrëse e efektivitetit të presionit perëndimor dhe atlantik mbi Serbinë, dhe kjo është rruga ku mund të ketë sukses diplomacia europiane, nëse nuk dëshiron që të mos e humbë betejën e re gjeopolitike me Rusinë, betejë e cila sapo ka nisur dhe po vazhdon në Ballkan.
Komentet