“Shqipëria, Maldivet e Europës”, “Thesari i fshehur i Mesdheut”, “Perla e Adriatikut”, “Plazhet përrallore”, “Bregdeti më i bukur i Jonit”… Të tillë tituj i keni hasur me siguri në mediat apo portalet pranë qeverisë prej të paktën një viti. Të shpërndara me kujdes propaganda qeveritare ato kanë pasur si synim krijimin e një realiteti tjetër tek i cili shqiptarët duhet të besojnë.
Por reportazhet e paguara me foto të retushuara, shkrimet e porositura, editorialet e kërkuara janë rrëzuar nga një raport i Bashkimit Europian i publikuar këtë të mërkurë mbi cilësinë e ujërave të larjes në plazhe, liqene e lumenj në 27 vendet e Unionit duke përfshirë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Ky raport i hartuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit e rendit Shqipërinë të fundit të listës sa i takon pastërtisë së ujërave të larjes qofshin këto në det, liqen apo lumenj.
Për të qenë të qartë që në fillim. Është e vërtetë se Shqipëria ka njohur një rritje të numrit të turistëve dhe vëmendjes së vizitorëve të huaj në dy vitet e fundit. Kjo lidhët se pari me investimet private në sektorin e hoteleri-turizmit dhe më pas me reklamimin e mirë nëpërmjet rrjeteve sociale sidomos Instagram dhe TikTok.
Ajo që duhet të kishte bërë qeveria ishte të krijonte një mjedis të sigurt dhe të pastër. Dhe raporti i fundit e ngel atë në klasë.
Raporti
Raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit ka analizuar gjatë vitit 2023 ujërat e larjes në dy parametra specifikë të rëndësishëm shëndetësorë: Përmbajtja e bakterit Escherichia Coli dhe Enterokoket e zorrëve.
Për këtë u analizuan mostrat e marra nga ujërat në 22 mijë lokacione ku 85% e tyre u vlerësuan të shkëlqyera. 96% e ujërave plotësonin standardet minimale të cilësisë. Cilësia e ujërave të larjes bregdetare është përgjithësisht më e mirë se ajo e lumenjve dhe liqeneve. Në vitin 2023, rreth 89% e ujërave të larjes bregdetare të BE-së u klasifikuan si të shkëlqyera.
Shqipëria
Agjencia Europiane e Mjedisit analizoi ujërat në 119 lokalcione në Shqipëri. Vetëm 41.9% e ujërave ku lahen njerëzit në Shqipëri janë të një cilësie ekselente. Pjesa tjetër është klasifikuar e një cilësie “të mirë”, “të mjaftueshme” ose “të varfër”. Ujërat më të pastra në Europë u përkasin 4 vendeve: Qipros, Austrisë, Kroacisë dhe Greqisë. Nuk janë të pakta rastet kur me këto dy të fundit, guxojnë ta krahasojnë Shqipërinë në shkrimet e porositura.
“Në Austri, Belgjikë, Bullgari, Maltë, Luksemburg dhe Rumani të gjitha ujërat e larjes përmbushnin të paktën standardin minimal të cilësisë në vitin 2023. Megjithatë në 5 vende: Shqipëri, Belgjikë, Estoni, Hungari dhe Poloni, më pak se 70% e ujërave të larjes ishin me cilësi të shkëlqyer. Një nga kërkesat kryesore ka qenë garantimi që të gjitha ujërat e banjës të jenë të cilësisë të paktën “të mjaftueshme” deri në vitin 2015. Në vitin 2023, kjo kërkesë është plotësuar nga 96% e të gjithë ujërave të vendeve të BE-së” – thuhet në raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit … që me siguri nuk do ta gjeni në shumë media shqiptare./ lapsi.al/