Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ai i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të zhvillojnë një takim virutal me liderin kinez, Xi Jinping më 1 prill, ata planifikojnë ta paralajmërojnë Pekinin se do të ketë pasoja nëse i ofron ndihmë Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
Ky samit mbahet në kohën kur raportet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian janë më delikate se kurrë më parë, teksa rreshtimi i Pekinit me Rusinë në luftën e saj në Ukrainë ka dëmtuar raportet veçse të tensionuara me Brukselin, që ishin përkeqësuar pas një sërë tensionesh tregtare dhe gjeopolitike.
“Në samitin e Kinës, ka një pajtim të madh midis përfaqësuesve të BE-së se nuk do të jetë një samit i zakonshëm dhe se Brukseli nuk duhet të jetë naiv”, tha për Radion Evropa e Lirë një diplomat evropian.
Lufta në Ukrainë – dhe raportet e ngrohta të Kinës me Kremlinin – do të lë në hije takimin, në të cilin BE-ja po shpreson të tregojë qëndrimin e saj të ashpër karshi Kinës dhe ta paralajmërojë atë kundër çdo mbështetjeje aktive për Rusinë.
Partneriteti i Pekinit me Moskën ka qenë në qendër të vëmendjes që prej se presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje strategjike në fillim të shkurtit. Por, përqendrimi në këtë partneritet është rritur pas pushtimit rus të Ukrainës.
Një raport i inteligjencës perëndimore pretendoi se Kina ishte në dijeni të planeve të Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën dhe madje i kishte kërkuar Moskës që ta shtynte nisjen e pushtimit deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia i ka kërkuar Kinës pajisje ushtarake dhe mbështetje ekonomike pasi Perëndimi i vendosi sanksione Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.
Kina i ka hedhur poshtë këto dy pretendime dhe deri më tani qetësisht i ka respektuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, por Pekini po ashtu nuk ka dhënë shenja se do të heqë dorë nga raporti strategjik që ka ndërtuar me Kremlinin.
Në samit, Brukseli po ashtu po kërkon që t’ia bëjë me dije Pekinit se rreshtimi i tij me Rusinë mund të dëmtojë raportet e tij me BE-në, që është një prej raporteve më të mëdha ekonomike në botë dhe më 2021, tregtia dypalëshe arriti vlerën e 828 miliardë dollarëve.
“Është e qartë se Rusia është e kënaqur që e ka Kinën në anën e saj dhe është e qartë se kjo e ka trimëruar Moskën”, tha për Radion Evropa e Lirë një tjetër diplomat evropian. “Kina duhet të përpiqet të ndikojë mbi Rusinë që të arrihet armëpushim, të krijohen korridore humanitare që funksionojnë dhe përfundimisht të fillojë bisedimet e paqes. Por, me gjasë nuk mund të luajë rolin e ndërmjetëses, në kuptimin klasik të fjalës”.
Rusia dhe Kina
Pekini ka tentuar që ta paraqesë veten si neutral përgjatë krizës në Ukrainë dhe ka për qëllim që ta distancojë veten nga pushtimi i Moskës, por Kina po ashtu nuk e ka kritikuar Rusinë dhe shpesh u ka bërë jehonë deklaratave lidhur me shkaqet e nisjes së luftës.
Por, ky vallëzim diplomatik i Kinës po dëshmohet se është vështirë të mbahet teksa lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë.
Kina veçse ishte në fokus të takimeve midis NATO-s, liderëve evropianë me presidentin amerikan, Joe Biden, që u mbajtën në Bruksel më 24 dhe 25 mars. Gjatë këtyre takimeve, aleanca perëndimore ngriti shqetësimet lidhur me mbështetjen ushtarake kineze dhe dezinformatat, teksa Pekini mbështet narrativin e Rusisë sa i përket luftës.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se po krijohej “një momentum të ri” lidhur me atë se si BE-ja e sheh Kinën dhe se qëndrimi aktual i Pekinit ndaj pushtimit rus ishte i paqëndrueshëm.
“Nuk mundesh që në këtë situatë të shmangesh pa e bërë plotësisht të qartë: ose e mbështet Rusinë – duke e mbështetur luftën e saj në Ukrainë – ose nuk e mbështet”, tha Landsbergis.
Në samitin me Kinën, strategjia evropiane është që të bëjë të qartë pasojat për një mbështetje më të hapur për Rusinë dhe do të theksojë se pasojat mund të jenë në kurriz të raportit më të gjerë me BE-në. Këto lidhje janë përdorur nga Kina në konkurrencën e saj me Shtetet e Bashkuara dhe janë bërë më të rëndësishme për Pekinin pasi tensionet me Uashingtonin janë rritur.
Dy raportet më të mëdha të Kinës janë me SHBA-në dhe BE-në dhe Pekini ndoshta nuk është i gatshëm t’i rrezikojë raportet me Evropën teksa mund të përballet me pasoja të mundshme nga lufta në Ukrainë, nga shpërthimet në rritje të COVID-19 brenda Kinës, krizës financiare në sektorin e pronave të shtetit dhe kongresin e rëndësishëm të Partisë Komuniste që pritet të mbahet në vjeshtë, e në të cilin, Xi pret që ta zgjasë sundimin e tij.
Noah Barkin, bashkëpunëtor i lartë në fondin gjerman Marshall, tha se të gjitha këto i japin Brukselit leva shtesë të ndikimit.
“Brukseli po vë bast që Xi nuk do të dëshirojë ta tjetërsojë BE-në, veçanërisht në një kohë të ndjeshme”, tha Barkin për Radion Evropa e Lirë.
Zyrtarët e BE-së nuk presin që Pekini të prishë partneritetin e tij me Moskën dhe nuk besojnë se blloku evropian duhet të bëjë kërcënime në këtë drejtim. Por, ata veçse kanë shqyrtuar përgjigjet ndaj Kinës, siç është kufizimi i qasjes kineze në tregun e përbashkët të BE-së, nëse Kina hapur mbështet Kremlinin apo armatos ushtarët rusë, thanë katër diplomatë të lartë evropianë.
Një epokë e re
Paralajmërimi nga blloku 27-anëtarësh vjen mes një trajektoreje në rënie në raportet BE-Kinë dhe një bashkim në rritje të politikës së Brukselit dhe Uashingtonit sa i përket Kinës.
Në dhjetor të vitit 2020, pas samitit të fundit BE-Kinë, të dyja palët u pajtuan për një traktat ambicioz të investimit, pasi për katër vjet kishte pasur marrëdhënie të përkeqësuara midis Evropës dhe SHBA-së gjatë administratës së presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Pasi marrjes së detyrës, presidenti amerikan, Joe Biden, ndërmori veprime për të përmirësuar raportet me homologët evropianë dhe raportet e BE-së me Kinën që atëherë janë përballur me disa pengesa. Për shembull, pakti i madh i investimeve është ngrirë që prej muajit maj, për shkak se Pekini ka futur në listë të zezë një grup të ligjvënësve evropianë, ekspertë dhe diplomatë evropianë lidhur me sanksionimin e BE-së të katër zyrtarëve kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve dhe minoriteteve të tjera myslimane në provincën perëndimore kineze, Ksinjiang.
Blloku evropian po ashtu ka prezantuar forma të reja të legjislacionit për t’u mbrojtur nga presioni ekonomik kinez dhe gjithashtu ka dërguar një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me hakmarrjen e Pekinit ndaj Lituanisë, pasi kjo e fundit lejoi që Tajvani të hapë një zyrë të përfaqësimit në Vilnius më 2021. Kina u kundërpërgjigj duke bllokuar importet lituaneze, përfshirë edhe komponentë të këtij shteti baltik në produktet e vendeve të tjera.
Përveç lidhjeve Kinë-Rusi dhe luftës në Ukrainë, samiti po ashtu pritet të trajtojë edhe mosmarrëveshjet tregtare me Lituaninë, shkeljet e Kinës në Ksinjiang dhe Tajvan.
“Ndryshimi i qasjes së BE-së ndaj Kinës për të marrë parasysh rivalitetin që ekziston tani nënkupton që duhet të bëhet shumë punë në prapaskenë për të ulur varësinë nga Kina”, tha për REL-in, Thorsten Benner, drejtor i Institutit Global të Politikave Publike, me seli në Berlin.
“Evropa nuk do të ndryshojë në mënyrë drastike brenda natës lidhjet e saj ekonomike me Kinën, por do të përshpejtojë procesin e përshtatjes”, shtoi ai.
Rruga e kujdesshme e Evropës
Përderisa samiti paraqet një mundësi që BE-ja të shfaqë unitetin e saj për t’i bërë presion Kinës që të mos e ndihmojë në mënyrë aktive Rusinë, zyrtarët e BE-së po ashtu kanë sinjalizuar një preferencë të shteteve anëtare që kërkojnë që të mbahen të hapura linjat e Pekinin dhe të ndiqet një rrugë e mesme që nuk e largon Kinën ose nuk e fut Brukselin në mes të tensioneve SHBA-Kinë.
Në të kaluarën, Kina me sukses ka arritur që të krijojë ndasi midis BE-së dhe SHBA-së me premtime dhe mundësi lidhur me zgjerimin e qasjes në treg dhe bashkëpunim në ndryshimet klimatike, dhe shumë analistë parashikojnë se Xi do të përdorë sërish karta të ngjashme gjatë takimit virtual të 1 prillit.
“Ekziston ende një besim në Pekin se kur të vijë koha, Evropë do t’i japë përparësi raporteve të biznesit mbi gjithçka tjetër”, tha Barkin nga fondi Marshall. “Por, gjatë vitit të kaluar, Pekini vazhdimisht e ka keqkuptuar Evropën”.
Lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për Evropën, me Brukselin dhe shtetet anëtare që u kanë dhënë dritën e gjelbër sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Rusisë dhe i kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe të sigurisë për Kievin. Më herët, shumë shtete kishin kundërshtuar këto masa dhe Kremlini nuk e priti që BE-ja do të ndërmerrte këto veprime.
Përderisa BE-ja ende po shikon se çfarë kursi do të ndërmarrë për t’u përballur me Kinën, Barkin tha se Pekini rrezikon që të llogarisë në supozime të mëhershme lidhur me politikën evropiane.
“Keqkuptimi i Evropës për Ukrainën mund të ketë pasoja edhe më serioze”, tha Barkin. “Mund të shënojë një pikë kthese në raportet BE-Kinë, duke e anuar ekuilibrin drejt një rivaliteti sistematik që mund të jetë larg partneritetit”.
Përgatiti: Mimoza Sadiku
Komentet