Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Serbisë të enjten t’i japë fund pandëshkueshmërisë se përgjegjësve për vrasjen e gazetarëve dhe i ka kërkuar të sigurojë kushte të duhura për punën e lirë dhe të pavarur të gazetarëve.
Gjykata e Apelit e Serbisë në Beograd i liroi javën e kaluar katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, shprehu keqardhjen e saj për vendimin e gjykatës në Beograd dhe që vrasja e Quruvija nuk është zbardhur akoma dhe vrasësit nuk janë dënuar, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 vjet.
“Autoritetet përkatëse të Serbisë duhet të ndërmarrin hapa që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë në këtë rast dhe të nxjerrin para drejtësisë kryesit. Gazetarët duhet të punojnë pa presion dhe në mënyrë të lirë”, tha Pisonero.
Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviqin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Ai ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).
Pisonero ka rikujtuar edhe porositë nga Raporti i Progresit për Serbinë, ku kërkohet që të krijohen kushte për respektimin e standardeve të lirisë së mediave në Serbi.
Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, iu është përgjigjur pyetjeve rreth sulmeve verbale ndaj disa mediave evropiane që në një intervistë i ka bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i quajtur edhe si ”media kriminale”.
“Nuk komentojmë zakonisht komente e personave të tjerë, sidomos kur nuk e dimë kontekstin. Por, BE-ja dhe Komisioni Evropian kanë qëndrim të qartë dhe mbështesin fuqishëm lirinë e mediave dhe të gazetarëve si në BE, ashtu edhe jashtë saj. Kërkojmë fuqishëm që gazetarët të kenë mundësi të punojnë pa presion”, tha Stano.
Duke iu referuar kritikave të Vuçiqit dhe fyerjeve që ua kishte bërë disa mediave evropiane, Stano, pa ia përmendur emrin, e ftoi presidentin serb “të shikojë rreth vetes dhe të shohë se çfarë kanë bërë autoritetet e vendit të tij për mediat”.
“Kushdo që bën kualifikime të tilla për mediat një gjë e tillë flet më shumë për atë person. Për shembull, lejimi i mjeteve të propagandës ruse që të vendosen në Serbi. E kam fjalën për RT-në, medium i Rusisë që është i ndaluar në BE, i cili përhap propagandën më të ashpër ruse rreth luftës ilegale të Rusisë ndaj Ukrainës”, theksoi Stano.
Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë disa herë që t’i mbështesë sanksionet e bllokut ndaj Rusisë, përfshirë edhe kur është fjala për ndalimin e mediave të cilat janë të sanksionuara nga BE-ja. Por, Serbia vazhdon të refuzojë përshtatjen e qëndrimeve të veta me ato të BE-së kur është fjala për sanksionet ndaj Rusisë.rel