Në gusht 2021, Ministrja Belinda Balluku do të afronte si këshilltar ligjor në stafin e Ministrisë së Infrastrukturës avokatin e ri Ermal Nufi. Aktualisht, me vendim të Këshillit të Ministrave, Nufi është emëruar kryetar i Bordit Menaxhues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ex-officio kryeson Bordin e Agjencisë Shtetërore të Informacionit Gjeohapësinor.
Prej gushtit të vitit 2022, Nufi mban pozicionin e drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku.
Por pse e ka mbështetur Balluku avokatin e ri për të ngjitur me shpejtësi hapat drejt kupolës së pushtetit?
Në fakt, Ermal Nufi dhe Ami Kozeli janë bazat që mbajnë në këmbë pushtetin e Ballukut dhe në të njëjtën kohë janë nën dyshimin e fortë për konflikte interesi me detyrën.
Konkretisht zv.ministri Ami Kozeli dhe vëllai i Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Edmir Nufi së bashku rezultojnë anëtarë të Bordit Këshillimor te Koorporata e Investimeve Shqiptare, e cila përforcon dyshimet për nepotizëm dhe konflikte interesi brenda zyrës së Ballukut.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, ashtu si zv.ministri Kozeli, edhe vëllai i Ermal Nufit, Edmir Nufi rezulton ortak me biznesmenë që marrin fonde publike, konkretisht me Hamz Islamaj te kompania e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”, e cila ngre dyshime të pastra për konflikte interesi për shkak të tenderave të përfituara nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut dhe Ermal Nufit.
Në 20 janar 2021, te Terminali i Kontenierëve në Durrës, Edmir Nufi, Hamz Islamaj dhe Olsi Korça do të themelonin kompaninë “MARITIME LOGISTICS”, e cila kishte si objekt veprimtarie ngarkim-shkarkimin e mallrave dhe veprimtari të tjera, por që shumë shpejt do të fillonte likujdimin.
Jetëgjatësia e kësaj kompanie ishte shumë e shkurtër pasi në 31 gusht 2022, të tre ortakët miratuan raportin e likujdimit të kompanisë, duke sjellë dhe çregjistrimin nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Hapja dhe mbyllja e kompanisë brenda një kohe të shkurtër ngre dyshime për qëllimet e aktivitetit të kësaj kompanie dhe ortakëve të saj.
Nga kërkimet e ”Vetting” rezulton se Hamz Islamaj është pronari i kompanisë ”BE-IS” shpk, e cila ka marrë tendera nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe koncesione nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Nga të dhënat e siguruara nga Open Data Albania, kjo kompani në 5 vitet e fundit ka përfituar 44 milionë euro pagesa nga thesari i shtetit, duke përjashtuar tenderat që ka marrë në bashkëpunim me kompanitë e tjera.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Pano Soko personi me lidhje me pushtetin krijon një kompani në momentin e tenderit, shkon, aplikon fiton tenderin dhe kompanitë që likujdohen janë kompani njëpërdorimshe.
“Nuk është kompania që po e fiton tenderin, po e fiton ti që ke miqësi me ministrin, më kupton? Pra, ti që je i afërm me ministrin do fitosh tenderin. Kompania merr tenderin, ekzekuton tenderin, merr gjithë paratë, transfertat nga thesari i shtetit, pra kryen të gjitha likujdimet dhe në moment që mbaroi tenderi, mbaroi edhe funksioni i kompanisë”, tha eksperti Soko.
Por a kemi konflikt interesi në këtë rast?
Në 29 qershor 2022, Këshilli i Ministrave do të emëronte si kryetar të Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ermal Nufin dhe 3 ditë më pas, në 1 korrik 2022, Hamz Islamaj do të fitonte tenderin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 879 milionë lekë ose 879 mijë euro, duke qenë ortak njëkohësisht në një kompani tjetër me Edmir Nufin, vëllain e kreut të ri të Bordit të ARRSH-së.
Konkretisht bashkimi i kompanive “BE-IS” dhe “ERGI” shpk do të shpalleshin fitues nga ish Drejtori Evis Berberi për Lotin 8 “Mirembajtje me performance e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjake + K/Rr. Nacionale – Grabian + Strume – Qafe Marinez”, edhe pse kishte kompani të tjera me oferta më ekonomike.
Sipas avokatit Arben Llangozi, kompania e cila është në ortakëri me vëllain e kryetarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mund të kenë transaksione te të dyja kompanitë.
“Duhet një hetim i mirëfilltë sepse përvec veprës penale të korrupsionit që është e dukshme, kemi edhe vepër penale të pastrimit të produkteve të veprës penale sepse në qoftë se të ardhurat monetare të përfituara nga kjo kompani, kanë lëvizur dhe përfitues kryesor është vëllai i drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, atëherë kemi të bëjmë edhe me veprën e pastrimit të veprës së produktit penale”, u shpreh për “Vetting” avokati Llangozi.
Sipas nenit 11 të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar, Bordi i ARRSH-së përcakton politikat e biznesit të Autoritetit, vendimet që rregullojnë veprimtarinë, si dhe miraton programet e brendshme vjetore dhe të buxhetit korrespondues të Autoritetit.
Ndërkohë sipas nenit 12 vijues të po këtij ligji, Drejtori i Përgjithshëm është menaxheri i përgjithshëm i Autoritetit dhe vepron sipas autoritetit të deleguar nga Bordi, duke i raportuar drejtpërdrejt atij. Madje një nga kushtet për tu bërë anëtar i Bordit të Autoritetit Rrugor Shqiptar sipas nenit 9, pika “d” të ligjit për Autoritetin Rrugor Shqiptar është që anëtari të mos jetë në konflikt interesi me detyrën.
“Këto janë vepra të rënda, duhet të ndiqen nga Prokuroria e Posaçme sepse kemi të bëjmë me vjedhje të buxhetit të shtetit”, tha avokati Llangozi.
Por ky nuk është i vetmi tender, që lidhet me kohën e Ermal Nufit si person me rëndësi që mund të ketë ndikuar për tenderat pasi në 13 shtator 2022, përsëri “BE-IS” sh.p.k së bashku me “ERGI” sh.p.k do të fitonin tenderin me vlerë 372 milionë lekë ose 3.7 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kontratën “Nderhyrje ne zona sportive dhe lodra per femije “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2)”.
Sipas ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, zv.kryeministri është kryetari i Këshillit Drejtues, në këtë rast Belinda Balluku dhe sipas nenit 11, pika 1/c Këshilli miraton marrëveshjet e zbatimit dhe/ose të financimit të projekteve.
Në këtë rast Ermal Nufi është Drejtor i kabinetit të zv.kryeministres prej gushtit 2022 dhe ka dyshime të forta, që mund të ketë ndikuar për këtë tender që është fituar nga ish ortaku i vëllait të vet.
Megjithatë “BE-IS” shpk nuk ka lidhje vetëm me vëllain e Drejtorit të kabinetit të zv.kryeministres Balluku, por rezulton e lidhur edhe me Drejtorin në Ministrinë e Infrastrukturës për Programet e Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë, Mehmet Hasalami nëpërmjet djalit të vet Devis Hasalami.bw