Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar për një plan që parasheh bllokimin e më shumë se dy të tretave të importeve të naftës ruse.
Ndalesa përbën një kompromis, sepse nuk prek importet përmes tubacioneve, tani për tani, për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë.
Shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se marrëveshja ndërpret “një burim të madh të financimit” për makinën ruse të luftës.
Ajo është pjesë e paketës së gjashtë me sanksione, e cila është miratuar në një samit të mbajtur në Bruksel mes 27 vendeve anëtare më 30 maj.
Michel ka thënë se BE-ja është pajtuar edhe për masa që shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, si dhe tre transmetues shtetërorë.
Liderët e vendeve anëtare kanë kaluar disa orë duke tentuar që të zvogëlojnë dallimet në qëndrime për ndalesën në importet ruse të naftës.
Kompromisi është arritur pas disa javëve me diskutime, derisa është arritur pajtueshmëri që të ketë “përjashtim të përkohshëm për naftën që shkon në BE përmes tubacioneve”, u ka thënë Michel gazetarëve.
Për shkak të vendimit të marrë, sanksionet do të prekin vetëm naftën ruse që arrin në BE përmes detit – apo dy të tretat e totalit të importuar nga Rusia.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se shkalla e ndalesës do të mund të jetë edhe më e madhe, pasi Gjermania dhe Polonia kanë shprehur gatishmëri për të ndalur importet e tyre përmes tubacioneve deri në fund të vitit.
“Ajo çfarë mbetet është rreth 10-11 për qind, që mbulohet nga Druzhba në jug”, ka thënë von der Leyen, duke iu referuar tubacionit rus që dërgon naftë në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.
Këshilli Evropian do të diskutojë edhe për këtë përjashtim “sa më shpejt që është e mundur”, ka shtuar ajo.
Ndalesa në importet e naftës ruse është propozuar nga Komisioni Evropian një muaj më parë.
Mirëpo rezistenca, kryesisht nga Hungaria, e cila importon 65 për qind të naftës së saj nga Rusia përmes tubacioneve, ka mbajtur peng rundin e ri të sanksioneve.
Vendet tjera sikurse Sllovakia dhe Republika Çeke, po ashtu kanë kërkuar më shumë kohë për shkak të varësisë së tyre ndaj naftës ruse.
Bullgaria, vend të cilit i është ndalur gazi nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, ka kërkuar mundësi tjera.
Edhe kriza për shkak të kostos së jetesës në Evropë nuk i ka ndihmuar kësaj situate.
Rritja enorme e çmimeve të energjisë – në mesin e gjërave tjera – ka bërë që shtetet të hezitojnë për sanksione të reja, për shkak të shqetësimeve se mos dëmtojnë ekonomitë e tyre.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka pasur qasje të ashpër në diskutimet për sanksione, duke fajësuar Komisionin Evropian se nuk është duke negociuar siç duhet me vendet anëtare për këtë ndalesë.
Ai ka thënë se energjia është “çështje serioze” dhe se “neve na duhen zgjidhje e më pas sanksione”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u është drejtuar liderëve të BE-së përmes video-lidhjes, ka bërë thirrje që shtetet e bllokut evropian të shmangin zënkat mes vete, sepse në atë mënyrë i ndihmojnë Moskës.
“Duhet të ndalen të gjitha zënkat në Evropë, sepse ato do të inkurajojnë Rusinë që të vendosë më shumë presion mbi ju”, ka thënë Zelensky.
“Nuk është koha të jeni të ndarë, por të bashkuar”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, ka thënë se vendet anëtare nuk duhet të pengohen nga interesat personale.
“Do të na kushtojë më shumë. Mirëpo janë vetëm para. Ukrainasit janë duke e paguar këtë gjendje me jetët e tyre”, ka thënë ai.
Ndër zhvillimet tjera:
- Vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës, me fokus në qytetin e Severodonjeckut
- Sipas guvernatorit të këtij rajoni, Serhyi Haidai, situata është shumë e vështirë: pa ujë, gaz dhe rrymë.
- Gazetari francez, Frédéric Leclerc-Imhoff, është vrarë teksa ka qenë duke mbuluar operacionin e evakuimit në Ukrainë, për një media franceze
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë për një media franceze se “çlirimi” i rajonit të Donbasit është “prioritet” për Rusinë
- Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë armë në Ukrainë që mund të godasin shënjestrat brenda Rusisë.
Komentet