Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit dhe studjuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Shaban Murati “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi, botuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”, me kryetar z.Alket Veliu.
Libri sjell këndvështrim të ri me analizën dhe zbërthimin profesional të bazës gjeopolitike të aleancës strategjike midis Shqipërisë dhe Turqisë mbi kriterin e vetëm afatgjatë të interesave shtetërore, kombëtare, diplomatike, strategjike dhe gjeopolitike. Paraqitet një sintezë depërtuese e dinamikës së shumëanëshme të marrëdhënieve dypalëshe në shekullin 21 dhe rendësia e efekteve pozitive të aleancës në planin rajonal dhe ndërkombëtar.
Marrëdhëniet dypalëshe si aleancë strategjike argumentohen mbi evidentimin dhe prioritarizimin e atyre elementeve jetike shtetërore dhe kombëtare, që duhet të përcaktojnë një aleance reale dhe afatgjatë strategjike. Faktorët interesantë, që paraqet autori në libër për karakterin e veçantë të aleacës strategjike dypalëshe në politikën rajonale shqiptare, konturojnë një strukturë elementesh strategjike dhe gjeopolitike, e cila dikton zbatimin dhe thellimin e kësaj aleance.
Autori zbërthen kolonën e parë të kësaj strukure të gjeopolitikës rajonale shqiptare të mbështetur në realitetin jetik të mungesës së plotë të kërcënimeve ekzistenciale për kombin tonë nga Turqia, që Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare brenda territoreve të saj, që Turqia nuk ka rivendikime territoriale tokësore apo detare kundrejt Shqipërisë, që Turqia nuk ka asnjë problem të minoriteteve për të bërë shantazh 30 vjeçar mbi Shqipërinë, që Turqia është i vetmi shtet ballkanik që ka përkrahur Shqipërinë në mbrojtjen e hapësirave sovrane detare, etj.
Përkrahja e aleancës strategjike dypalëshe përforcohet nga përkrahja e jashtëzakonëshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shekullin e ri në momentet e vështira të fatkeqësive natyrore si pandemia dhe tërmeti e deri te ndihma e pakursyer pë shtetin e pavarur të Kosovës, nga njohjet ndërkombëtare për të e deri te përkrahja për anëtarësimin e saj në NATO. Libri evidenton se Turqia ka për gjeopolitikën shqiptare një peshë dhe rol të pazëvendësueshëm gjeopolitik për përballimin e kërcënimeve ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, të cilat janë intensifikuar në shekullin e ri nga shtetet fqinjë.
Kolona e dytë e strukturës së elementeve të nevojshme për gjeopolitikën shqiptare, ku ndalet gjërësisht libri, lidhet me rolin e ri të Turqisë në planin rajonal dhe ndikimet pozitive direkte dhe indirekte për interesat shqiptare.
Në Ballkan, megjithë zhurmën e madhe për integrimin europian të rajonit, janë ringjallur paralelisht në shekullin e ri disa fenomene negative ballkanike të së kaluarës midis dy luftrave botërore në formën e krijimit të disa mikroaleancave të mbyllura trepalëshe dhe katërpalëshe të disa shteteve, jashtë lidhjeve me NATO-n ose BE. Këto grupime të reja ballkanike, ku Serbia dhe Greqia kanë rol protagonistësh, nuk e kanë ftuar kurrë Shqipërinë të jetë pjesë e tyre.
Kjo hierarki e brendëshme ballkanike tërheq vëmendjen, sepse së pari tre shtete prej tyre nuk e njohin Kosovën, dhe së dyti kanë si bosht lidhës faktin që janë që të gjitha vetëm shtete ortodokse. Sipas autorit, përballë këtyre intrigave bizantine ballkanike, Shqipëria duhet të shfrytëzojë si kapital diplomatik dhe gjeopolitik shenjën e përbashkët fetare të saj me Turqinë.
Kolona e tretë e strukturës së bazamentiit gjeopolitik të aleancës strategjike Shqipëri-Turqi lidhet sipas autorit me rolin e ri dhe peshën e madhe ndërkombëtare të Turqisë në shekullin 21. Në 100 vjet të krijimit të Republikës Turke dhe të vendosjes së marrëdhënieve midis dy shteteve tona, Turqia nuk ka qenë kurrrë kaq me peshë dhe ndikim si faktor kontinental në marrëdhëniet ndërkombëtare si në shekullin 21.
Ajo është shteti më i madh dhe më i fuqishëm i Ballkanit, që ka fituar një peshë dhe rol të veçantë në Mesdhe, në Lindjen e Mesme, në Kaukazin Qendror, në Azinë Jugore, në Afrikën Veriore dhe në Ballkan, dhe ky realitet diplomatik duhet konsideruar sipas librit një faktor force si aleate për diplomacinë shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Konkluzioni i autorit është se realizmi diplomatik dhe interesat afatgjata gjeopolitike dhe strategjike të kombit shqiptar në shekulli e ri diktojnë përcaktimin e Turqisë si aleati kryesor strategjik në Ballkanin kontinental. Libri i ri i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi” është libri i fundit i korpusit prej 20 veprash të autorit kushtuar ekskluzivisht problematikës diplomatike dhe gjeopolitike të çeshtjes sonë kombëtare, të marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e Ballkanit dhe të ndikimeve të fuqive të mëdha si BE dhe Rusia në zhvillimet ballkanike.
Siç ka përcaktuar vetë autori, korpusi i tij i 20 librave specifike për diplomacinë dhe gjeopolitikën është “saga diplomatike e Ballkanit”, e cila vjen te lexuesit dhe studjuesit, dhe në rradhë të parë te diplomatët dhe politikanët shqiptarë, si një bibliotekë e vogël profesionale në ndihmë të formulimit të një politike të jashtëme të drejtë dhe largpamëse në planin diplomatik dhe gjeopolitik.