VOAL- Të qetësohen kushtet për dhënien e vizave humanitare për azilkërkuesit. Kështu tha Elisabeth Baume-Schneider në një intervistë për Radio SRF. Për Këshilltaren Federale, kërkesa për një lidhje të ngushtë me Zvicrën është një pengesë shumë e madhe. Më pas ajo saktësoi se këtë aspekt dëshiron ta diskutojë me kolegët e saj të qeverisë dhe se çfarë mund të bëhet konkretisht si në planin juridik ashtu edhe në atë politik. “Ndoshta kufijtë e të mundshmes”, vazhdoi kreu i Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, “mund të zgjerohen disi”.
Vizat humanitare lejojnë personat e caktuar të hyjnë legalisht në Zvicër për të kërkuar azil. Sipas udhëzimeve të Sekretariatit Shtetëror për Emigracionin (SEM), parakusht është që “jeta ose integriteti fizik i një personi të kërcënohet drejtpërdrejt, seriozisht dhe konkretisht në vendin e origjinës ose prejardhjes”.
Në vlerësim mund të merren parasysh edhe faktorë të tjerë si ekzistenca e lidhjeve me Zvicrën dhe perspektivat për integrim. “Në veçanti”, vazhdon teksti i SEM, “lidhja aktuale dhe e ngushtë me Zvicrën është thelbësore”. rsi-eb