VOAL

VOAL

Bastisje në pesë OJQ me orientime fetare në Kosovë

June 24, 2015

Komentet

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka ndarë çmimin “Guximi Intelektual 2023” për aktivisten Dr. Luljeta Pula-Beqiri Nga Iliriana Pylla

 

Në 22 vjetorin e themelimit Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë ka ndarë çmimin “Guximi Intelektual 2023” për aktivisten e njohur Dr. Luljeta Pula-Beqiri.

“Intelektuali i mirëfilltë nuk është vetëm njeriu i shkolluar dhe i arsimuar por në radhë të parë ai i cili ka guximin intelektual t’a thotë të vërtetën pavarësisht rrethanave. Më 1968 është për admirim angazhimi i intelektualëve për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe Republikën për Kosovën. Më 1981, pas demonstratave të 1981 pati një mbështetje të demonstratve nga intelektualët por përkrahje në heshtje. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës asnjëherë nuk qe në nivel të detyrës. Nuk pati ide e as prononcime në kohët më delikate nëpër të cilat po kalonte Kosova. Në vend se t’u prijë proceseve ajo i injoroi. Pas luftës zhgënjim i madh në vend, krim e korrupcion. Inteligjenca hesht. Nuk ka prononcime për depërtimin e islamit politik në vend, e ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit”, ka thënë Pula-Beqiri me këtë rast.

Luljeta Pula-Beqiri ështё një nga intelektualet e njohura brenda e jashtë vendit pёr veprimtarinё e saj patriotike ndёr vite. Ajo me aktivitetin e saj nё vijimёsi ka dëshmuar qёndrim tё guximshёm lidhur me problemet e mёdha kombёtare, shtetёrore e shoqёrore.

Për 44 vite me radhë ishte profesoreshë në Universitetin e Prishtinës doktor i shkencave teknike në fushën e teknologjisë kimike dhe profesoreshë ordinare në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë që nga viti 1976. Pula – Beqiri rrjedh nga një familje intelektualësh nga Gjakova si nga ana e nënës (Edibe Binishi – Pula – veterane e arsimit), ashtu edhe nga babai (Xhevdet Pula – profesor universiteti).
Ajo kontribuoi në etapa të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Veprimtarinë e saj kombëtare e filloi qysh në moshën 16 vjeçare, kur iu bashkua demonstratës së vitit 1968. Prej viteve 80’-ta e deri në vitin 2000, Luljeta parreshtur e ka ngritur zërin kundër represionit dhe padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve në ish – Jugosllavi. Me punën, përkushtimin dhe guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit të gruas në ato vite në Kosovë. Si nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz, ishte dënuar me masën përjashtim nga shkolla për organizimin dhe nxitjen e propagandës kombëtare në mesin e bashkëmoshatarëve të saj.

Mori pjesë edhe në demonstratat e vitit 1981, duke u bërë kështu ndër të rrallët profesorë universitarë, që e përkrahte publikisht këtë nismë. Ishte pjesëmarrëse nëpër të gjitha tubimet kombëtare dhe demonstratat popullore, që nga viti 1981 e deri më 1999. I tërë ky angazhim, rezultoi në arrestimin e saj 8 herë në stacione të ndryshme policore.

Kontributi i saj është i pamatshëm dhe fatkeqësisht sot e kësaj dite nuk është çmuar sa duhet nga shteti. Kujtojmë këtu debatet e saj të forta në studiot e Beogradit, ku vetëm atmosfera e të qenurit shqiptar ishte tejet e vështirë e lëre përballja me figurat më të larta të asaj kohe në ish Jugosllavi.

Shquhet me paraqitjen e saj në Kongresin Amerikan në vitin 1990. Paraqitja e saj ishte mbreslënëse në kohën kur gjërat në ish-Jugosllavi veçse kishin filluar të përkeqësoheshin. Atje foli në emër të nënave kosovare, dhunës e represion që ushtronte Serbia mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Në Kongresin Amerikan, Luljeta Pula- Beqiri është shprehur se janë për demokraci parlamentare, për zgjedhje të lira, sistem shumëpartiak, për pranimin e subjektivitetit politik të popullit shqiptar, për barazi me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe për pranimin e subjektivitetit politiko-juridik të Kosovës i cili do duhet të sanksionohet me shprehjen e lirë të vullnetit të popullit të Kosovës. Në një kohë të atillë, të bësh paraqitje të tillë, duhej guxim e përtej guximit.

Po ashtu në takime me qindra diplomatë evropianë dhe botërorë ka lobuar për shtetin e Kosovës, duke ngritur zërin për padrejtësitë që po i bëheshin popullit shqiptar në ish jugosllavi e veqanërisht në Kosovë. Me punën, përkushtimin e guximin e saj ajo është bërë model i angazhimit e avancimit të gruas në Kosovë dhe diasporë.

Përpos librave shkencorë-profesionalë ajo ka botuar librin me kujtime e dëshmi të titulluar, ”Rrëfimi i një jete për Kosovën” dhe është para botimit libri” Helmimet, krimi dhe mashtrimi”.

Libri autobiografik, ”Rrëfimi i një jete për Kosovën” është libër kujtimesh mbi angazhimin e saj kombetar që nga fëmijeria. Ajo shkruan për familjen pasi që kishte ndikim qenësor në formimin dhe edukimin e saj. Në libër përshkruhen ngjarjet, angazhimi I saj kombëtar dhe përfshirja në to, për rrethanat, konjukturën dhe vet realizimin e objektivit për liri dhe pavarësi. Përshkruan pjesëmarrjen në shumë Konferenca ndërkombëtare dhe takimet me shumë liderë shteterorë ndërkombëtarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Në libër po ashtu citohen pjeseë të intervistave në media ndërkombëtare, serbe, rajonale dhe vendore. Pos tjerash autoja në libër shpreh dëshpërimin dhe zhgënjimin e thellë me rrjedhat në Kosovën e pas luftës që kanë rrënuar përfundimisht gjithë iluzionet e saj dhe kanë varrosur në pafundësi idealin e jetës së saj.

Luljeta Pula ka dorëzuar për botim dhe pritet që shpejt të promovohet libri “Helmimet, krimi dhe mashtrimi”. Autorja synon të bëj një sintetizim të materialit faktik për helmimet e vitit 1990 me qëllim të krijimit të rrugës për ngritjen e padisë ndërkombetare për dënimin e atij krimi monstruoz kundër fëmijëve që siç e quan ajo, ishte hyrje në gjenocidin mbi shqiptarët që do të bëhej më vonë nga regjimi kriminal i Serbisë. Në libër janë dhënë argumente të shumta shkencore për vërtetësinë e helmimit, janë cituar shumë mjekë kosovarë që kanë kuruar të sëmurët, janë dhënë diagnozat e të sëmurëve dhe shpjegimet shkencore të simptomave të tyre. Pasqyrohen po ashtu prononcimet e shumë mjekëve ndërkombëtarë që kanë analizuar mostrat e të helmuarve, janë cituar organizata të ndryshme ndërkombëtare që kanë hulumtuar helmimin e të 9-ve. Paraqiten dëshmitë autentike të të helmuarve dhe motrave të nderit që kanë kuruar mijera pacientë, janë dhënë prononcimet e rrejshme të mjekëve serbë që sabotonin e abuzonin me të vertetën. Në libër janë dhënë origjinalet e raporteve mjekësore të toksikologëve të dëgjuar dhe institucioneve mjekësore me renome që dëshmojnë helmimin. Po ashtu janë dhënë fragmente nga shumë gazeta vendore, serbe, rajonale dhe botërore për helmimet dhe qasja e tyre e ndikuar nga politika ditore. Në fund është transkriptuar emisioni “Porota”, debati televiziv i Tv Beogradit në të cilin Pula- Beqiri ishte ballafaquar me emrat më të njohur të akademikëve serbë dhe gjeneralëve të ushtrisë Jugosllave, sepse ajo konsideronte se nxjerrja e këtij ballafqimi e shpërfytyron më së miri mashtrimin e madh serb.

Ajo ka marrë pjesë në qindra Konferenca ndërkombëtare, dëshmi për Kosovën në Amerikë dhe Evropë ndër të cilat veçojmë: Dëshminë për Kosovën në Washington më 1990 dhe Dëshiminë për Kosovën në Bon të Gjermanisë. Pastaj Konferencën për çështjen shqiptare që është mbajtur nën patronatin e Parlamentit austriak në Vjenë, shumë takime në shtetet evropiane dhe Amerikë me shtetarë të rëndësishëm ndërkombëtarë, shumë simposiume të organizatave për të drejtat e njeriut në botë ku kurdoherë ka argumentuar nevojën për zgjidhjen e përhereshme të çështjes së Kosovës. Ideja themelore e të gjitha prezentimeve dhe përfaqësimeve të saj insistimi në parimin se Kosova duhet të nxirret nga korniza e ngushtë e të drejtave të njeriut dhe të pranohet si një çështje e pazgjidhur politike me dimension të pastër politik. Dhe natyrisht kërkesa që buron nga ky parim pranimi i të drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosje. Diskutimet e saj janë përcjellur në qendrat shteteve përkatëse dhe kanë pasur ndikimin e tyre.

Kryetari i kësaj Shoqate Prof. Dr. Ruzhdi Sefa, gjatë ndarjes së Çmimit u shpreh se: “Shoqata e Intelektualëve “Jakova” i ndanë çmimimin “Guximi Intelektual” për vitin 2023 Prof. Dr. Luljeta Pula-Beqiri që në vijimësi ka dëshumar mendim dhe qëndrim të guximshëm lidhur me problemet e mëdha kombëtare shtetërore e shoqërore.”

“Bazuar në Rregulloren për ndarjen e Çmimit “Guximi Intelektual” dhe pasi janë përmbushur të gjitha procedurat e parapara sot në mënyrë solemne Prof.Dr. Luljeta Pula-Beqirit, Shoqata e Intelektualëve ‘Jakova’ i ndanë këtë çmim për vitin 2023. Çmimi i Shoqatës “Guximi Intelektual” sivjet ndahet për të katërtën herë me rradhë”, ka thënë Sefa.

Pas marrjes së çmimit, Pula-Beqiri është shprehur e lumtur që në Gjakovë për të dytën herë po vlerësohet veprimtaria e saj për çka I ka falënderuar anëtarët e ShI “Jakova”. Ajo me këtë rast ka prezantuar para të pranishmëve kumtesën me titull “Roli i inteligjencës së Kosovës në proceset politike dhe kombëtare”.

Kumtesa e prof. Dr. Luljeta Pula-Beqiri

Do të doja fillimisht të them se intelektuali dhe inteligjencia e mirëfilltë nuk nënkupton domosdo njerëz të shkolluar dhe të ditur, njerëz të aftë e të arsimuar por mbi të gjitha ata që kanë guximin intelektual dhe kombëtar t’a thonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve, njerëz me dinjitet e integritet personal, moral e kombëtar, njerëz që janë të gatshëm të shkojnë edhe kundër rrjedhës kur këte e kërkon nevoja, interesi I lartë I kombit dhe atdheut.
Në rrugëtimin tonë të gjatë e të mundimshëm drejt lirisë dhe pavarësisë inteligjencia jonë jo gjithmonë ka qenë në rrugën e duhur dhe në nivel të detyrës. Natyrisht rrethanat kanë qenë shumë të vështira dhe nuk ka qenë aspak e rëndë për regjimet t’I ndëshkojnë dhe t’I heshtin zërat kundërshtues individual. Megjithatë jam e bindur se ka mundur të bëhet më shume se që është bërë në radhë të parë nëqoftëse këta zëra nuk do të mbeteshin të vetmuar dhe nese do të kishte një shumësi disidentësh.

Kështu fjala vjen ishte impresiv mobilizimi dhe angazhimi i jashtëzakonshëm I intelektualëve më të dëgjuar të Kosovës më 1968. Edhepse fëmijë në atë kohë me shumë interesim e kam përcjellë debatin intelektual dhe politik të asaj kohe për republikën e Kosovës. Ata, pra intelektualët e bënë të veten, ngritën zërin fuqishëm për të kërkuar për Kosovën të drejtën e saj të ligjshme për vetëvendosje dhe pranimin e statusit të Republikës. Më shumë se kaq ata nuk mund të bënin. Zëri i tyre jehoi fuqishëm në vend, entuziazmoi popullin I cili e donte këtë avancim dhe ndikuan fuqishëm edhe në qendrat politike të
vendosjes në Jugosllavi dhe natyrisht në Kosovë. Kam bindjen e thellë se po të kishte guxim më të madh dhe ngulmim shumë më të vendosur politik nga garniture politike e asaj kohe, Kosova që atëherë mbase mund të fitonte statusin e Republikës. Ndjehej një frymë relaksuese dhe një shkallë liberalizimi në atë kohë I cili kulmoi me ndryshimet kushtetuese të 1974-s. Në atë kohë dhe në atë raport forcash, megjithë rezistencën e Serbisë, kjo ndoshta edhe mund të bëhej. Ruaj rezervën time, sepse nuk jam naïve të besoj se megjithë liberalizimin e caktuar në Sërbi hegjemonizmi sërb ishte aty, i tërbuar, I fuqishëm, por i fshehur. Dhe kjo ndodhi vetëm atëherë dhe kurrë më. Të paktën ia vlente që nga ana jonë të bëheshin të gjitha përpjekjet e mundshme dhe të bëhej gjithë cfarë ishte në dorën tonë, që fatkeqësisht nuk u bë. Por ama intelektualët bënë gjithcka që ishte në dorën e tyre dhe ishin ata që krijuan frymën e mahnitshme për realizimin e statusit të Republikës për Kosovën.Fatkeqësisht ishte politika ajo e cila duke mos shkuar gjer në fund në përpjekjet e saja e dështoi këtë. Emri i Republikës do të na ndihmonte shumë në prag të luftës dhe nëse kjo do bëhej rruga jonë për pavarësi të vërtetë do të ishte sigurisht më e shkurtër, të paktën nga aspekti juridik-institucional. Dhe të paktën i ashtuquajturi Komision i Badinterit do të ishte me emrin e republikës për Kosovën shumë më i lehtë. Edhe pse pa luftë lirinë nuk do të mund t’a fitonim, ashtu siç nuk e fituan as republikat e tjera në ish Jugosllavi.

Më pas ndodhën demonstratat e 1981. U dëgjuan në atë kohë shumë vlerësime në masë për ngjarje e 81-shit. Disa nga ato buronin edhe nga eksponentë të dëgjuar të politikës kosovare, me ndikim në atë kohë. Natyrisht shqiptarë. Ata edhe disa, them unë kuaziintelektualë, arritën t’a plasojnë dhe t’a depërtojnë në masë të caktuar tezën, idenë dhe përceptimin për këto demonstrate, ndikimin e tyre në rrjedhat politike të kohës dhe të ardhmes politike të Kosovës. Dolën tezat se 1981-shi ishte produkt I agjenturave të huaja antishqiptare, të mbështetura nga serbët, dhe se ky nuk ishte reagimi I popullit shqiptar. As vazhdim I përpjekjeve tona për liri, drejtësi dhe vetëvendosje e as vazhdimësi e kthesë në planin e Lëvizjes sonë Nacionale. Sipas tyre ky ishte në fakt frenim i lëvizjeve progresiste në shoqëri dhe avancimit të të drejtave kombëtare. E quaj jo vetëm të gabuar këtë vlerësim por më shumë se kaq. Mendoj se kjo është një përdhosje dhe zhvlerësim i një vetëdije të plotë kolektive nacionale të popullit tim. Ndaj nuk e kam pranuar kurrë dhe as që mund t’a pranoj atë. Mund të jetë I diskutueshëm fakti se ishte ajo koha më e përshtatshme dhe më e favorshme apo jo për t’u ngritur në këmbë me 1981, një vjet pas vdekjes së Titos, atëherë kur hegjemonizmi sërb kishte ngritur krye dhe ishte I gatshëm për të dhënë leksionin e dhunës për të tjerët në Jugosllavi. Kjo mbetet të diskutohet.
Por ama ishte shumë vështirë të kontrrollohej e të dirigjohej gjithë ajo pakënaqësi me pozitën e Kosovës në Jugosllavi, që ishte burim dhe gjenerator I padrejtësisë dhe diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve.
Të mendosh se të tjerët, madje armiq, manipuluan vullnetin e popullit tënd për ta kthyer ate kundër interesave të vetë shqiptarëve, është nëncmim dhe nënvlerësim, madje edhe tallje me intelektin e një populli dhe mendjen e tij. Poashtu poshterim i gjithë asaj sakrifice, vetëflijimi dhe gjithë atyre viktimave të viteve të 80 dhe 81 në vecanti. Organizimi i 81-it u bë nga vetë shqiptarët, ndërsa forca lëvizëse e tij buroi nga vullneti i popullit dhe kundërshtimi I padrejtësisë dhe diskriminimit.Natyrisht askush nuk mund t’a diskutojë faktin se këto demonstrata u shfrytëzuan nga armiqtë tanë dhe se gjatë tyre në to u infiltruan shumë eksponentë të agjenturave të huaja antishqiptare, për t’a ndyshuar karakterin e tyre në përpjekjen për t’iu ndryshuar rrjedhën atyre, dhe për t’i shfrytëzuar dhe përdorur ato në emër të interesave të tyre. Për t’iu dhënë atyre kualifikimin e tmerrshëm që iu dhanë duke I quajtur kundërrevolucion, në emër të të cilit pastaj do ushtronin dhunë të pashembullt mbi shqiptarët të cilën edhe e bënë ndaj një populli të tërë.

Për ata që depërtuan tezën se 81 ishte vepër e Serbisë dhe vazhduan të mbeten në pozicionin e tyre në vazhdimësi, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj edhe sot se ky qëndrim më shumë se vlerësim i gabuar mund të ishte përpjekje e vetë atyre për të krijuar një alibi për veten e tyre dhe për t’ u shfajësuar për qëndrimin e tyre të padrejtë në atë kohë dhe gjykimin kolektiv që atyre u bëhej nga masa e gjërë për pozicionin e tyre oportunist.
Inteligjencia e asaj kohe në heshtje i mbështeti demonstratat e 81-it. Por ama në heshtje. Dhe dënoi dhunën e pashembullt e cila pasoi pas kualifikimit të tyre si kundërrevolucion. Natyrisht dënoi edhe ndëshkimin që iu bë në masë kryesisht intelektualëve me të ashtuquajturin proces të diferencimit ideopolitik. Por e tërë rezistenca bëhej në heshtje. Nuk pati sa kujtoj unë as edhe një prononcim të zëshëm kundër kualifikimit të tyre si kundërrevolucion, as kundër dhunës së tmerrshme e as kundër ndëshkimeve politike kundër inteligjencisë. Krerët politikë të Kosovës së asaj kohe u nënshtruan dhe nuk i dolën krah popullit të tyre.
Më kujtohet si sot renditja e akademikëve të Kosovës si nxënës të dirigjuar nga regjimi për t’I dënuar demonstratat e 81-ët. Përveq dyve të cilët nuk pranuan këtë poshtërim. Inteligjencia e Kosovës edhepse në heshtje I mbështeti demonstratat ajo në atë kohë nuk bëri të duhurën dhe të domosdoshmen. Të bëhej një, dhe të fliste zëshëm në mbrotje të tyre. Heshtja në atë zezonë nuk mjaftonte.

Pasoi marrja me dhunë e autonomisë së Kosovës me 1989. Roli i inteligjencisë në kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese të Kosovës edhe në atë kohë ishte modest. Kishte zëra individualë që kundërshtonin suprimimin e autonomisë por ata nuk mjaftonin. Ashtu siç kishte zëra të intelektualëve të rëndësishëm e të dëgjuar që u vunë në shërbim të pushtetit duke thënë se Kosova më këto ndryshime kushtetuese nuk humbë asgjë, duke e humbur kështu autoritetin e tyre profesional, kredibilitetin dhe integritetin moral e kombëtar. Nuk mendoj se edhe po të kishte në masë prononcime të inteligjencisë së Kosovës kundër abrogimit të autonommisë mund të ndryshonte dicka qenësore. Por kjo do të mbante të ngritur moralin e popullit dhe do të inkurajonte vazhdimin e luftës së popullit për mëvehtësinë e Kosovës.

Natyrisht dua të them disa fjalë edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe rolin e saj në proceset politike në Kosovë. Ajo pra, Akademia nuk qe asnjëherë në krye të detyrës. Ata njerëz që quheshin njerëzit më të ditur në vend nuk u dëgjuan kurrë e me kohë të ngrinin zërin për cfarëdo që ndodhte në Kosovë, nuk u dëgjuan kurrë të merrnin anaën e së mirës, e të prononcoheshin për shumë cështje delikate që lidheshin me lëvizjen politike të Kosovës. Nuk u dëgjuan kurrë të kishin një qëndrim të formësuar, këmbëngulës, e të vendosur duke u rreshtuar drejt asaj që ishte interes I Kosovës dhe duke e mbrojtur ate. Nuk folën e nuk kritikuan atëherë kur duhej kritikuar, një varg dukurishë negative që po e dëmtonin Lëvizjen. Nuk mbaj mend të kenë dalë ndonjëherë me një ide të qartë për të ardhmen e Kosovës, të kenë propozuar strategji të caktuar e taktika të caktuara të saj, të jenë prononcuar e të kenë mbajtur qëndrim për lloj-lloj ideshë që dilnin në opinion nga individë që ishin të përfshirë në politikë. Nuk mbaj mend të kishin propaganduar Këshillin e Shpëtimit kombëtar dhe shuarjen e partive politike kur Kosova ndodhej në prag të luftës, nuk mbaj mend të kishin kritikuar përcarjet e krerëve më të lartë të lëvizjes, përqarje që reflektoheshin pastaj jo vetëm në masa por më vonë edhe në frontin e luftës. Ky institucion pra Akademia e shkencave dhe Arteve të Kosovës do duhej të ishte në parim burim I ideve, prijatar dhe nismëtar i proceseve politike në vend. Nuk mbaj mend paraqitje të vlefshme të këtij institucioni, pra Akademisë, përvec disa zhgarravitjeve stereotipe dhe të përgjithësuara pa asnjë vlerë që nuk I bëjnë nder institucionit. Përveq prononcimeve të herëpashershme të individëve të saj. Përveq mungesës së guximit për dalje në opinion me ide origjinale, me qëndrime të prera, imponuese e të vendosura, vetë Akademia ishte dhe mbeti qerdhe e politikës dhe kundërshtive politike.

Erdhi Rambujeja, kjo kthesë tepër e rëndësishme per te ardhmen e Kosovës, dhe inteligjencia përsëri nuk u bë e gjallë. Përveq Kadaresë dhe qëndrimit të tij të prerë, të vendosur, të argumentuar dhe bindës i cili lëvizi për mbarë vendimin e duhur të përfaqësuesve tonë politikë.

Pas gjithë tmerrit të luftës më në fund erdhi liria. Paslufta nuk ishte ajo që kishim pritur. Gjithçka po shkonte ters. Në një vend që sapo kishte dalur nga lufta, një vend që jetonte në varfëri të skajshme, shiheshin hapur uzurpimet, krimi e korrupsioni dhe njëmijë të pabëra të tjera. Dhe asgjë nga ajo që një popull i tërë kishte ëndërruar në Kosovën e lirë. Asaj pra, Kosovës po i vendoseshin pa fije turpi, nderi e ndërgjegje, pranga të reja. Të gjithë ishim dëshmitarë të një përçartje konspirative banditeske. Populli i shikonte me indinjatë me mundim, urrejtje e frikë. Ama ajo që nuk bëhej në kohën e serbit, bëhej tani. Një heshtje, një heshtje e pafund. Një popull i tërë e në veqanti inteligjencia që i kishte ndenjur përballë pa frikë pushtuesit të egër serb, tani kishte vendosur të heshtte. Sepse edhe frika në këto kohë ishte e ligjshme nga ata që nuk hezitonin të hakmerreshin pa hezitim në të gjitha mënyrat e mundshme. Ata që i bënin këto të pabëra ishin individë, ama individë që shtoheshin dita ditës për t’a njollosur pa të drejtë Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve u bënë shumë gabime, demarkacioni, Specialja dhe shumë të tjera. Dhe inteligjencia nuk bëzan. Nuk është se fjala e saj do të ndryshonte shumë në vendimet e pushtetarëve ama fjlala e intelektualit ka peshë në avancimin dhe ndryshimin e mendësisë kolektive, natyrisht gradualisht dhe me kohën.
Një tjetër cështjë që ka pllakosur Kosovën është islami politik. Një numër aq i madh i të rinjve tanë që shkuan për të bërë luftërat e huaja është tmerri ynë. Numër që ndodhet në krye të listës botërore për kokë të banorit. Ku është zëri i inteligjencisë kundër këtij ferri?. Shamia e ferexheja që u luftua para 70 vjetësh na u kthye sërish në këtë vend. Kosova është shtet laik dhe e tillë duhet të mbetet. Nuk ka dëm më të madh që po I bëhet Kosovës se kjo. Serbia është e lumtur me këto zhvillime në këtë plan. Atë që nuk mundi t’a bëjë vetë e e deshti shumë, po ia bëjmë ne vetes tonë.

Intelektuali i mirëfilltë nuk është vetëm njeriu i shkolluar dhe i arsimuar por në radhë të parë ai i cili ka guximin intelektual t’a thotë të vërtetën pavarësisht rrethanave. Më 1968 është për admirim angazhimi i intelektualëve për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe Republikën për Kosovën. Më 1981 pas demonstratave të 1981 pati një mbështetje të demonstratve nga intelektualët por përkrahje në heshtje. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës asnjëherë nuk qe në nivel të detyrës. Nuk pati ide e as prononcime në kohët më delikate nëpër të cilat po kalonte Kosova. Në vend se të iu prijë proceseve ajo i injoroi. Pas luftës zhgënjim i madh në vend, krim e korrupcion. Inteligjenca hesht. Nuk ka prononcime për depërtimin e islamit politik në vend e ky është dëmi më i madh që po i bëhet vendit.

Gjakovë 13 nëntor 2024

 

Ulja e temperaturave, bie bora e parë në Kosovë

Në zonat kodrinoro-malore të Kosovës, tashmë kanë filluar edhe reshje të borës. Një pjesë e fshatit Meheti në komunën e Podujevës, sot ëshë mbuluar nga bora.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti sot pritet të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Moti i ngjashëm pritet të jetë edhe gjatë ditëve të tjera të javës.

1 2 338x600

Për këtë të hënën është parashikuar të mbajë mot kryesisht i vranët, ku pritet të ketë edhe reshje të izoluara shiu e bore të karakterit lokal, jo vetëm në zonat malore, por edhe në ultësira. Reshjet e borës pritet të paraqiten qysh në orët e para të 24-orëshit në zona të caktuara.

Temperaturat do të pësojnë ulje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej -3 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 8°C.bw

Shukri Buja lirohet nga të gjitha akuzat në Hagë: Kjo fitore vërteton pafajësinë, pastërtinë por edhe lavdinë e UÇK-së

Ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, pas pesë vjet hetimesh, është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo prokurori në mënyrë zyrtare.

Ai ka thënë se kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë e tij, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.

“Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht.

Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejt”, ka shkruar Buja në Facebook.

Ai ka theksuar se lufta e shqiptarëve ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda.

“Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë. Ky realitet u vërtetua nga rasti im dhe shpresoj se do të vërtetohet gjithashtu edhe nga rasti i bashkëluftëtarëve tanë që po përballen ende me proceset në Hagë.

Një falënderim i veçantë shkon për familjen time për mbështetje të palëkundur gjatë këtyre viteve, për qytetarët e Republikës së Kosovës që më mbështetën dhe më besuan, si dhe për avokatët e mi për angazhimin dhe kontributin e tyre të pandërprerë deri në epilogun e këtij rasti”, ka përfunduar Buja.  sn

Osmani: Nuk takohem me Vuçiqin, takimet e dialogut kryhen në Bruksel

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Budapest të Hungarisë.

Në konferencën para mediave, ajo ka deklaruar se takimet në kuadër të dialogut zhvillohen në Bruksel.

“Poashtu do të takohem me liderë të shteteve të tjera për të biseduar për lidhjet dhe raportet tona, por edhe për t’iu kërkuar mbështetjen  e tyre për integrimin euro-atlantik të Kosovës”.

“Normalisht ne nuk takohemi. Siç e dini Kosova dhe Serbia takohet në kuadër të procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-j, bisedimet janë duke vazhduar në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht në atë se si mund të ecim para në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur”, ka thënë Osmani. sn

Joseph: Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira nëse Grenelli merr pozitë të lartë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbase do të kishte dashur ta ndryshonte qasjen e tij nën administratën e presidentit Joe Biden, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e mbajtura në SHBA më 5 nëntor.

Joseph shtoi se do Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira, veçanërisht nëse Richard Grenell, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Kurtit, emërohet sekretar i Shtetit apo në ndonjë pozitë tjetër të lartë në politikën e jashtme.

“Në Serbi po e festojnë fitoren e Trumpit. Richard Grenell, të cilin Trumpi e përmendi në një tubim rishtazi, ka mundësi ta mbajë një pozitë të lartë, madje edhe pozitën e sekretarit të Shtetit. Grenelli për kohë të gjatë ka pasur mospajtime me Albin Kurtin dhe ka vazhduar me kritika edhe këtë vit”, tha Joseph.

Në vitin 2020, Kurti e kishte akuzuar Richard Grenellin, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell kishte thënë se Kurti ishte antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

“Kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet [në Kosovë] – dhe pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden. Qëndrimi më i mirë i Kurtit është ai për të cilin unë kam bërë thirrje gjithmonë: je kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe tregoju serbëve se Prishtina i mbron interesat e tyre më shumë se Beogradi”, theksoi ai.

Duke komentuar kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Joseph tha se populli amerikan injoroi gjithçka që dinte për Trumpin.

“Kjo është vërtet pika më befasuese. Është aftësia e kaq shumë mbështetësve të Trumpit për të ndarë në kategori të veçanta të kaluarën dhe skandalet e vazhdueshme të tij, si dhe fyerje dhe madje nxitjet e hapura për dhunë. Tre ditë më parë, në një tubim në Pensilvani, ai sugjeroi se nuk do t’i interesonte nëse gazetarët do të qëlloheshin me armë. E tha këtë si një ‘shaka’ — në një vend ku dhuna me armë nuk është aspak shaka. Nuk ka as zemërim dhe as shqetësim për një koment të tillë mes mbështetësve të tij. Dhe ky është vetëm një shembull”, shpjegoi ai.

Ai shton gjithashtu se, përtej kësaj, ekziston edhe e kaluara e tij në politikën e jashtme “e cila i shpëton çdo lloj kontrolli”.

“Qasja e tmerrshme e Trumpit në negociatat për Kim Jong Un; vendimi i Trumpit për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin – një vendim me gjasë vetëm për t’i bërë dëm Obamas – ishte katastrofike. Ishte Trump ai që negocioi me talebanët për të nxituar tërheqjen nga Afganistani, të cilën Biden vetë e zbatoi në mënyrë katastrofike”, tha Joseph.

Ata që votuan për Trump, sipas Joseph, si çështje që i shqetësonte më së shumti ishin ekonomia dhe emigracioni.

“Lidhur me inflacionin, politikat thelbësore të Trumpit për rritjen e tarifave posaçërisht ndaj mallrave kineze, do t’i rrisin çmimet. Kjo është poenta e tarifave: rritja e çmimit të një malli të importuar. Pra, kjo mosvazhdimësi flagrante injorohet”, përfundoi ai. REL

Kurti uron Trumpin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar republikanin Donald Trump, pasi fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA u konfirmua.

“SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere kyç për Kosovën dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkroi Kurti në X.

Përderisa liderët e tjerë politikë të Kosovës kishin uruar Trumpin më herët gjatë ditës, Kurti priti deri në konfirmimin zyrtar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi republikanin Donald Trump për fitoren e shpallur në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA – fitore që ende nuk është konfirmuar.

Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.

“Pres me padurim të punoj me administratën e re, për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi presidentja Osmani në X.

Me një fitore në Uiskonsin, Trump – i cili kishte udhëhequr administratën amerikane edhe gjatë viteve 2016-2020 – arriti të kalonte 270 votat elektorale që ishin të nevojshme për ta fituar presidencën.

Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.

Urimeve u janë bashkuar liderët e partive opozitare në Kosovë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, në shkurt të vitit 2025.

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, e uroi Trumpin për fitoren, ndërsa lavdëroi republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.

“Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij”, shkroi Hamza në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e uroi Trumpin ndërsa theksoi shpresën që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.

“Rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Duke e uruar Trumpin për fitoren e shpallur, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se shpreson që fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe.

Kosova, ndër vite, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht nga udhëheqësia e saj politike.

Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1999, SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s bombarduan objektiva të ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndaluar dhunën në Kosovë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova shpalli pavarësinë.

Edhe administrata aktuale e ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Gjatë presidencës së Trumpit, ai dhe administrata e tij kanë paralajmëruar disa herë për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre brenda misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si një garanci për sigurinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2020 e kishte akuzuar Grenellin se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell tha se Albin Kurti është antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump. REL

Liderët politikë të Kosovës urojnë Trumpin, shprehen entuziastë për bashkëpunim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar republikanin Donald Trump për fitore në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA – fitore që ende nuk është konfirmuar.

Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.

“Pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi Osmani në X.

Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.

Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.

Urimeve i janë bashkuar edhe liderët e partive opozitare në Kosovë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, në shkurt të vitit 2025.

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, uroi Trumpin për fitoren, ndërsa lavdëroi republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.

“Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij”, shkroi Hamza në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, uroi Trumpin ndërsa theksoi shpresën që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.

“Rikthimi i Kosovës në agjendën e Washingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Urimeve i është bashkuar edhe udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili shpreson se fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe.

Kosova, ndër vite, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht nga udhëheqësia e saj politike.

Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1999, SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s bombarduan objektiva të ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndaluar dhunën në Kosovë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova shpalli pavarësinë.

Edhe administrata aktuale ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si një kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Megjithatë, Richard Grenell, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, shtyu përpara marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, të cilën qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton.

Gjatë presidencës së Trumpit, ai dhe administrata e tij kanë paralajmëruar disa herë për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre brenda misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si një garanci për sigurinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2020 kishte akuzuar Grenellin se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell tha se Albin Kurti është anti-amerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump. REL

Kurti në Forumin Ekonomik, kërkon që Serbia t’i lehtësojë procedurat e transitit

Në Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se Serbia duhet të lehtësojë procedurat e hyrjes së të huajve kah territori i saj në Kosovë, pasi sipas tij, kjo do të ndikonte në zhvillimin ekonomik dhe në rregullimin e raporteve fqinjësore.

Të hënën, Kurti ka thënë se kushdo që futet në Kosovë si hyrje të parë, nuk mund të udhëtojë më pas kah Serbia pa shkuar në Maqedoni të Veriut “pasi për Beogradin hyrja në Kosovë fillimisht nënkupton hyrje të paligjshme”.

“Fqinji ynë verior, Serbia duhet t’i lejojë të huajt, destinacioni i të cilëve është Kosova, që më pas të mund të shkojnë në Serbi. Fatkeqësisht, kushdo që vjen nga Austria në Kosovë si hyrje e parë, nuk mund të vazhdojë (udhëtojë) për në Serbi pa shkuar më parë në Maqedoninë e Veriut, sepse në këndvështrimin e Beogradit zyrtar hyrja në Kosovë e parë nënkupton hyrje të paligjshme në territorin e Serbisë. Për marrëdhënie të mira fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik kjo duhet të ndryshohet”, ka thënë ai.

Kurti u tha se ka folur edhe për hapjen e hapësirës ajrore.

“…Hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale për dhe nga Kosova. Kjo nuk është as e mirë për marrëdhënie fqinjësore, për bashkëpunim ekonomik e as për përshtatje klimatike. Fluturimet nga Vjena në Prishtinë dhe anasjelltas mund të jenë shumë më të shkurtra dhe më pak të ndotura nëse Serbia i lejon aeroplanët komercialë të fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të Serbisë, destinacioni i të cilëve është Prishtina”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ai ka përmendur edhe mundësinë që qytetarë nga Bosnjë-Hercegovina të futen në Kosovë me letërnjoftime, duke kërkuar që një gjë e tillë të vlejë edhe për kosovarët.

“Muajin e kaluar në 10 vjetorin e Procesit të Berlinit, në Berlin njoftova se Kosova do të mundësojë lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që posedojnë letërnjoftime të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo do t’i japë fund pritjes së gjatë dhe procedurave të shtrenjta të nevojës për vizë për të udhëtuar lirshëm. Natyrisht, shpresoj se në kohën e mbetur, Bosnja dhe Hercegovina do të mund të ratifikojë Marrëveshjen e Procesit të Berlinit në mënyrë që qytetarë të të dy vendeve tona të lëvizin lirshëm me letërnjoftime. Por edhe nëse nuk e bëjnë këtë, nga 1 janari 2025, të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të vijnë lirisht në Kosovë me letërnjoftime. Liria e lëvizjes është një nga katër liritë themelore që ka mundësuar lëvizjen e njerëzve në të gjithë Evropën dhe kështu duhet të jetë rasti midis dy vendeve tona”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka shtuar se heqja e barrierave tregtare është thelbësore, por ato duhet të bazohen në bashkëpunim, besim dhe qëllime të mira.

Nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal ne po ecim në drejtimin ku jo vetëm do të kemi mundësi të kemi qasje në një treg më të gjerë, por edhe të integrojmë ekonominë tonë me fqinjët tanë. Kjo do t’i ndihmojë bizneset në Kosovë të ekspozohen, të rriten dhe të bëhen më konkurruese. Duke eliminuar tarifat, duke harmonizuar standardet dhe duke promovuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve, ne bëhemi shumë më të fortë ekonomikisht, krijojmë vende të reja pune dhe mbështesim industrinë tonë vendase”, ka theksuar ai.

Kreu i ekzekutivit tutje ka folur për shoqërinë kosovare, duke thënë se është e re dhe inovative. sn

Opozita me kritika ndaj qeverisë për qasjen e saj ndaj themelimit të Asociacionit

VOA/Leonat Shehu

Partitë opozitare në Kosovë kritikuan të hënën pushtetin për siç thanë sjellje të papërgjegjshme kundrejt detyrimeve ndërkombëtare të marra përsipër në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kritikat pasuan deklaratat e javëve të fundit të zyrtarëve të pushtetit të cilët hodhën mëdyshje nëse do të themelojnë Asociacionin, një detyrim në rrugën evropiane të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, tha se vendi po dëmtohet nga veprimet e qeverisë.

“Njëherë thonë e pranojmë, njëherë tjetër nuk e pranojmë, herën tjetër thonë vendoseni ta nënshkruajmë pastaj thonë t’i nënshkruaj dyjat, pastaj bëhet obligim i Bashkimit Evropian dhe tash thonë se nuk e pranojnë. Pra po bëjnë lojëra të cilat po e dëmtojnë vazhdimisht Kosovën si rezultat i papjekurisë politike, si rezultat i paaftësisë dilplomatike dhe si rezultat i mendjemadhësisë në sjellje”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se qeveria ka marr përgjegjësi për të themeluar Asociacionin.

“Ka një letër të nënshkruar nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja dhe ekziston poashtu një letër tjetër nga qeveria nga ministrja e punëve të jashtme që e ka në pranuar Asociacionin. Mund të thonë është “non paper” apo jo, mirëpo është pranuar nga qeveria dhe po ju them me përgjegjësi të plotë na e kanë lan te dera, do të thotë kushdo që vjen, kjo qeveri e ka lan te dera marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit edhe draft statutin e Asociacionit”, tha ai.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja për të cilën Kosova dhe Serbia ranë dakord vitin e kaluar është ligjërisht e detyrueshme, përfshirë këtu edhe çështjen e Asociacionit.

Edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit të bllokut, që u publikua javën e kaluar i kërkohet Kosovës që të fillojë procesin që çon në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian të paraqitur më 21 tetor 2023.

Tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe i dorëzuan një projekt statut për të, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve në Bruksel dhe në Ohër.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në atë kohë tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për Asociacionin i cili parasheh që Gjykata Kushtetuese të jap vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe sipas tij projekti është shkruar me kujdes “ndaj shkronjës dhe strukturës kushtetuese të vendit”.

Kryeministri Kurti tha javën e kaluar se si shef i qeverisë së vendit nuk mund të formojë Asociacionin e komunave serbe gjë që sipas tij, është përgjegjësi e vet komunave.

Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca tha ndërkaq se Bashkimi Evropian nuk mund t’i imponojë Kosovës një projekt statut për Asociacionin. Ai tha se Kosova e ka pranuar projekt statutin për shqyrtim ndërsa theksoi se do të ngulë këmbë për të drejtën e saj që të propozojë vet një projekt statut.

Vëzhgues të proceseve politike në Kosovë thonë se deklaratat e fundit të zyrtarëve të partisë në pushtet lidhen edhe me çështjen e zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në shkurt të vitit 2025 në Kosovë.

Bashkimi Evropian thotë se përparimi në zbatimin e marrëveshjes është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në proceset integruese.

Mbi 100 organizata i kërkojnë Këshillit Ekonomik të BE-së përfshirjen e Kosovës në ECMI

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), anëtare e së cilës është Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka dorëzuar letrën e nënshkruar nga mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC), me kërkesën për përfshirjen e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI), si dhe vazhdimin e kësaj iniciative edhe pas fazës pilot.

Në fillim të këtij viti, Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Evropian, si institucion përgjegjës i BE-së për përfshirjen e partnerëve social nga sektori i punëdhënësve, punëmarrësve dhe organizatave të shoqërisë civile, pati lansuar këtë pilot projekt të përfshirjes të përfaqësuesëve të këtyre sektorëve nga vendet e zgjerimit të cilat ende nuk janë shtete anëtare të BE-së, duke lënë jashtë kësaj nisme vetëm Kosovën.

KCSF nëpërmjet një komunikate njofton se ka përcjellur me vëmendje zhvillimet në kuadër të kësaj nisme dhe në prill të këtij viti kishte nisur reagimin në kuadër të BCSDN-së, pasi që Këshilli Ekonomik dhe Social, vendosi që të përdorë kornizën e vendeve me status të vendit kandidat si kriter bazë për kualifikueshmërinë e përfshirjes në këtë nismë. Kjo kornizë bëri që Kosova të mbetet vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE që nuk përfshihet në këtë nismë.

“Duke e konsideruar këtë vendim të Këshillit Ekonomik dhe Social si të gabuar dhe në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, KCSF bashkë me përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe sindikatave nga Kosova më 24 maj 2024 ka pasur takim me udhëheqës të KEES/EESC ku është shprehur shqetësimi për mos-përfshirje të Kosovës dhe është kërkuar korrigjimi i këtij vendimi. Për më tepër, e njëjta kërkesë është përsëritur edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që u zhvillua në Bruksel nga Këshilli Ekonomik dhe Social i BE-së, më 24 tetor 2024. KCSF vlerëson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikatë. /KosovaPress/

Kurti: Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”.

Përveç Kosovës, Kurti ka përmendur edhe Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën si vende që “ngacmohen” nga Serbia.

“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka thënë Kurti. sn

FSK merr në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nga sot, më 01.11.2024 do të ketë në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Kështu ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se vendosja e ushtarëve të FSK-së në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës sonë çlirimtare, Komandant Zahir Pajazitit” – theksoi ministri.

Tutje ai shtoi se ky hap forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane si dhe për të ofruar mbështetje më të mirë dhe më të shpejtë për reagime emergjente dhe për operacione në rast të emergjencave civile.

Ministri u shpreh se ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt. kallxo.com


Send this to a friend